LAJMI I FUNDIT:

Taksa 100 për qind, deputetët sot deklarohen për ose kundër

Taksa 100 për qind, deputetët sot deklarohen për ose kundër
Foto: Arkiv

Taksa doganore 100 për qind e vendosur nga Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pritet që të largohet nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, me synimin që të zëvendësohet me reciprocitet ekonomik dhe tregtar.

Tashmë heqjen e taksës e ka paralajmëruar kryeministri Kurti, duke bërë të ditur se taksa 100 për qind do të largohet më 15 mars, vetëm për lëndën e parë që importohet nga këto dy vende.

Kurti ka bërë të ditur kushtet që do të vendosë për Serbinë dhe Bashkimin Evropian, ku sipas tij taksa do të largohet në një afat prej 90-ditësh, me arsyetim se taksa mund të rikthehet në qoftë se shteti serb nuk ndalon fushatën kundër Kosovës.

“Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”, ka pohuar Kurti.

Por, ky qëndrim i Kurtit nuk u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Reagon Grenell: Taksa duhet hequr plotësisht, Kurti është duke bërë një gabim serioz
Lexo po ashtu Reagon Grenell: Taksa duhet hequr plotësisht, Kurti është duke bërë një gabim serioz

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.

“Ne nuk e mbështesim heqjen e taksës pjesërisht nga kryeministri Albin Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të largohet plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë edhe Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell, përcjell Telegrafi.

Largimin e taksës e kërkuan edhe partia me të cilën bashkëqeveris Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte thënë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm me SHBA-në dhe se asnjë tarifë dhe asnjë reciprocitet nuk matet me peshën e partneritetit.

Mustafa: Taksa të hiqet ashtu siç po kërkon SHBA-ja
Lexo po ashtu Mustafa: Taksa të hiqet ashtu siç po kërkon SHBA-ja

“Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të”, kishte shkruar Mustafa në Facebook, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, partitë opozitare janë shprehur kundër heqjes së kësaj takse, kurse reciprocitetin ndaj Serbisë e shohin si masë jo të duhur.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook ka quajtur Kurtin mashtrues, duke thënë se me veprimin e fundit, kryeministri ka nisur kthimin e Serbisë në vend.

Haradinaj: Albin mashtruesi sot u dorëzua para Serbisë
Lexo po ashtu Haradinaj: Albin mashtruesi sot u dorëzua para Serbisë

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kurti duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.

Veseli për taksën: Kurti me veprimin e fundit po del që është i padijshëm, i dobët dhe mashtrues
Lexo po ashtu Veseli për taksën: Kurti me veprimin e fundit po del që është i padijshëm, i dobët dhe mashtrues

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar. Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët”, ka shkruar Veseli në Facebook, përcjell Telegrafi.

Lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën e jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e taksës, ku nismëtar i kësaj seance është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme për taksën
Lexo po ashtu Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme për taksën

Kujtojmë se që nga 21 nëntori i vitit 2018, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë qenë të detyruara të paguajnë taksën 100 për qind, për të futur mallrat e tyre në territorin e Kosovës. Vendimin për vendosjen e kësaj mase e kishte marrë kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.

Në atë kohë, ish-kryeministri Haradinaj kishte obliguar Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/