LAJMI I FUNDIT:

Takim me Vuçiqin? Osmani në Spanjë: Sanksione së pari ndaj Serbisë, pastaj mund të bisedojmë

Takim me Vuçiqin? Osmani në Spanjë: Sanksione së pari ndaj Serbisë, pastaj mund të bisedojmë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në samitin e liderëve të vendeve evropiane. Në nisje të këtij samiti, Osmani para mediave ndërkombëtare foli për situatën në Kosovë.

Ajo tha se fillimisht duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë pastaj mund të bisedojnë.


E pyetur nëse do të ketë takim me presidentin e Serbisë, ajo tha “nuk ka arsye për takim para sanksioneve… sanksione së pari pastaj mund të dialogojmë…”, tha ajo.

“Janë kohë të vështira për gjithë Evropën, posaçërisht për vendin tim pasi që së fundmi jemi përballur me një akt agresioni nga Serbia, i cili është kryer përmes një grupi terrorist paramilitar. Jam këtu të kërkoj mbështetje nga aleatët dhe partnerët evropian që të sanksionojnë Serbinë, në mënyrë që ata të mos kenë guximin që të kryejnë akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjqve tjerë”, u shpreh Osmani.

Presidentja gjithashtu ka theksuar se nuk ka të konfirmuar takime të veçanta me liderë, por se shpreson që për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të flasë në samit.

Osmani është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.

“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer jo vetëm ndaj Kosovës por edhe kundër paqen dhe sigurisë së tërë Evropës”, u shpreh presidentja Osmani. /Telegrafi/