LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Serbia është adresa e vetme për gjetjen e personave të zhdukur

Tahiri: Serbia është adresa e vetme për gjetjen e personave të zhdukur

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se adresa e vetme për të zbardhur fatin e të pagjeturve është Serbia, sepse ajo ka të dhënat për personat e pagjetur.

Tahiri ka treguar edhe për nismën që kanë ndërmarrë për të dërguar nota verbale te shtetet e fuqishme për t’i bërë presion Serbisë deri në gjetjen e këtyre personave.


“Ka një adresë konkrete ku duhet të kërkohen të dhëna për fatin e këtyre personave dhe kjo adresë pa dyshim se është Serbia. Janë organet e saj të ushtrisë dhe drejtësisë të cilat në mënyrë direkte kanë qenë pjesë e kryerjes së këtyre veprave. Pra, kanë pasur dhe kanë njohuri dhe të dhëna për peronat që neve na mungojnë. Prandaj, në konsultim me Komisionin shtetëror dhe me familjarët e të pagjeturve jemi duke përgatitur një seri notash verbale ndaj vendeve me të fuqishme evropiane dhe me gjerë për të kërkuar që kjo temë, të jetë temë e diskutimit në çdo takim formal e jo formal ku është e pranishme Serbia që të bëhet presion i vazhdueshëm deri në gjetjen e këtyre personave”, tha Tahiri.

Kreu i drejtësisë kosovare shtoi se janë për paqe me shtetet e rajonit, por, tutje sipas tij, pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve nuk mund të jenë të qetë dhe nuk mund të rrinë indiferent.