LAJMI I FUNDIT:

Tahiri i PDK-së, Kurtit: Kryeministër a e din që pas 14 shkurtit ka ardhur 14 nëntori – tregoju qytetarëve pse e ke refuzuar projektin e gazsjellësit

Tahiri i PDK-së, Kurtit: Kryeministër a e din që pas 14 shkurtit ka ardhur 14 nëntori – tregoju qytetarëve pse e ke refuzuar projektin e gazsjellësit
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka akuzuar Qeverinë për refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan.

Tahiri në seancën e Kuvendit ku po debatohet për këtë çëshjte ka thënë se gazsjellësi është ndër projektet më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.


“Falënderoj ministren që pati kurajo me dal me arsyetu diçka që nuk arsyetohet. Tash e shtatë vite ka angazhim për projektin e MCC, dhe sot papritmas kemi një refuzim të pa argumentuar nga Qeveria e Kosovës për projektin e gazit. Nuk kemi asnjë argument të vetëm se pse po refuzohet ky projekt”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Qeveria së fundmi është “zbutur” duke thënë se do ta shqyrtojnë për vitet e ardhshme.

Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej pati edhe disa fjalë drejt kryeministrit Albin Kurti, për këtë çështje, shkruan Telegrafi.

“E kuptoj që është zbut kryeministri sepse e kanë refuzu qytetarët, kryeministër mos u zgërdhi se puna është shumë ma serioze, ju ke kërkuar qytetarëve me bashkëqeveris me ta, të kanë refuzu. Qeverisja jote i ka frikësuar, qeverisja jote e ka refuzuar projektin më të rëndësishëm që pas shpalljes së pavarësisë”, tha Tahiri.

Ai më tej vazhdoi duke iu drejtuar kryeministrit se “Po më pëlqen arroganca jote jashtë mase, jam shumë i lumtur dhe po du me të pa çdo ditë kështu”.

“Kryeministër dil e shpjegoju qytetarëve pse e ke refuzuar një projekt kaq të rëndësishëm për Kosovën. Nuk kisha pas dëshirë asnjëherë të vetëm diçka e tillë me ndodh prej një Qeverie, pavarësisht se jemi në taborë të ndryshëm politikë. Nuk është mirë mu fsheh pas ministrave tu, në këtë rast”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i PDK-së, nuk nguroi edhe të ironizoi me rezultatin e LVV-së në zgjedhjet lokale, duke ia përmend kryeministrit Kurti se i ka fituar vetëm katër komuna.

“Pas 14 shkurtit ka ardhur 14 nëntori kryeministër a e din, se na pate lodh me 14 shkurtin. A e din kryeministër se qeverisë në 4 komuna që i përfshinë 220 mijë qytetarë, PDK qeverisë 9 komuna që i përfshinë 620 mijë qytetarë”, tha Tahiri.

Në ndërkohë ndërhyri kryeparlamentari Glauk Konjufca duke i thënë Tahirit se “deputet të gjithë qytetarët janë të barabartë”. /Telegrafi/