LAJMI I FUNDIT:

Sveçla thotë se ka elemente të Rusisë në veri të Mitrovicës

Sveçla thotë se ka elemente të Rusisë në veri të Mitrovicës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se në veri ka indikacione për elemente ruse, me qëllim të trazirave dhe eskalim të situatës.

Për zëvendësimin e pozitave të policëve të dorëhequr, ai ka theksuar se do të plotësohen të gjitha nevojat dhe shpejt do të shpallen edhe konkurset për zyrtarë policor shtesë.


Në konferencë për media, ministri Sveçla deklaroi se situata e sigurisë është e qetë dhe se të gjitha institucionet e sigurisë janë duke punuar në kapacitetet e nevojshme.

Ai nuk ka mohuar se ka pjesëtarë rusë të përfshirë në atë çfarë po ndodh në veri.

“Ne po përcjellim situatën.Jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e të gjitha informatave edhe të kësaj natyre. Ka edhe deklarime dhe indikacione se mund të ketë elemente të Rusisë, të cilat janë të interesuara të shkaktojnë trazira, eskalim të situatës atje. Unë jam i bindur që institucionet e Kosovës në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë janë të suksesshëm në parandalimin, neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ të kujtdo qoftë në raport me sigurinë atje”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës është e pjekur dhe e aftë që të menaxhojë në situata të ndryshme.

Sa i përket zëvendësimit të pozitave të policëve të dorëhequr, ai u shpreh se kjo do të bëhet bazuar në rregullativën e brendshme të Policisë së Kosovës.

“Për sa policë do të ketë nevojë, kjo është çështje e vlerësimeve operacionale të vet Policisë së Kosovës.Unë mund t’ju them lirisht se kam kërkuar dhe ata janë të angazhuar që të gjitha nevojat të plotësohen, në mënyrë që ne të sigurojmë që do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët atje. Se si do të vijojnë më tutje në plotësimin e kapaciteteve të cilat i kemi humbur, është çështje e rregullativës së brendshme të policisë. Unë besoj që ata sa më shpejt që është e mundur do të shpallin konkurset e nevojshme që të kemi pjesëtarë shtesë”, theksoi Sveçla.

Sveçla në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, nuk është përgjigjur se a do të veshin policët sërish uniformën e dorëzuar, në rast të ndonjë marrëveshjeje. Ai shtoi se Policia e Kosovës është duke plotësuar detyrat e saj, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Sveçla ka folur edhe për sulmin në Kishnicë, ku një shtëpi serbe është gjuajtur me koktej molotivi.

“Unë pranoj në vazhdimësi raportime të Policisë së Kosovës mbi gjendjen e sigurisë. Posaçërisht kur ka incidente, të cilat mund të interpretohen si incidente ndëretnike apo incidente ku minoritet e ndryshme atakohen. Patjetër që edhe këtë raportim e kam marrë. Policia e Kosovës është jashtëzakonisht e angazhuar që të zbulojë të gjitha detajet e këtij rasti dhe me të marrë hapat e duhur, patjetër që publiku do të informohet. Është e vërtetë se ka fryrje nga ana e institucioneve të Serbisë lidhur me incidentet, siç i quajnë ata, ndëretnike. Për këtë kemi edhe deklarime edhe të institucioneve ndërkombëtare, por në këtë rast unë asgjë nuk dua të komentoj pa marrë raportet zyrtare të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetarja e RTK-së sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë

Gazetarja e RTK-së sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë

Lajme
Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Drejtësi
Abdixhiku-Kurtit: Jep dorëheqje, cakto datën e zgjedhjeve - LDK do ta caktojë festën

Abdixhiku-Kurtit: Jep dorëheqje, cakto datën e zgjedhjeve - LDK do ta caktojë festën

Politikë
Bislimi jep detaje për takimin në Bruksel: Propozimet e Serbisë ishin për legalizimin e strukturave paralele

Bislimi jep detaje për takimin në Bruksel: Propozimet e Serbisë ishin për legalizimin e strukturave paralele

Lajme
QUINT-i dhe BE-ja reaguan për moslejimin e vizitës së tij, Musliu publikon deklaratën e partiarkut serb ku dezinformon rreth Kosovës

QUINT-i dhe BE-ja reaguan për moslejimin e vizitës së tij, Musliu publikon deklaratën e partiarkut serb ku dezinformon rreth Kosovës

Lajme
Një pishinë e brendshme 1600-vjeçare, e para e këtij lloji zbulohet në Shqipëri

Një pishinë e brendshme 1600-vjeçare, e para e këtij lloji zbulohet në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori