Superliga me 6 skuadra?

Të mërkurën përfundoi afati për licencimin e klubeve për sezonin e ri dhe shlyerjen e borxheve. Ashtu siç është pritur jo të gjitha klubet e kanë kryer obligimin dhe sezoni i ri në elitën e basketbollit të Kosovës mund të pësojë ndryshime, duke u zvogëluar në gjashtë nga tetë sa ishte sezonin e kaluar.
Drita dhe Besa që më herët kishin kërkuar dorëheqjen e Erolld Belegut në krye të FBK-së janë klubet që nuk janë licencuar dhe nuk i kanë shlyer borxhin e vitit të kaluar.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha është shprehur i kënaqur që shumica e klubeve kanë kryer licencimin për sezonin e ri.
“Mund të ju njoftoj se shumica dërmuese e klubeve kanë kryer licencimin për sezonin e ri, duke pasur drejtë të garojnë. Për shkak të procedurave bankare gjithçka do të dihet të enjten, por gjashtë klube nga Superliga, 12 nga Liga e Parë dhe të gjitha klubet e femrave kanë kryer licencimin. Vetëm Drita dhe Besa nga elita nuk e kanë kryer këtë obligim”, ka thënë Hoxha për ‘Sport Plus’.
Shuma që duhej të paguanin klubet për licencim ishte tre mijë euro. /Telegrafi/



















































