LAJMI I FUNDIT:

Sulmi i Trumpit ndaj refugjatëve

Sulmi i Trumpit ndaj refugjatëve

Gordon Brown

Vendimi i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar financimin e Agjencisë së Ndihmës dhe Punës të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërme (UNRWA) ka politizuar ndihmën humanitare, kërcënon të ndezë më shumë një nga konfliktet të flakta në botë dhe rrezikon të ardhmen e gjysme milioni fëmijë dhe të rinj palestinezë.


E krijuar fillimisht për të ofruar ndihmë bazë për refugjatët e zhvendosur gjatë krijimit të shtetit izraelit, UNËRA ka ofruar kujdes shëndetësor, punësim dhe ushqim urgjent dhe strehim për palestinezët e zhvendosur që nga viti 1949. Sot, gati dy milionë refugjatë marrin ndihmë urgjente dhe ndihmë në para nga organizata dhe çdo vit miliona përdorin 143 klinika shëndetësore të drejtuara nga UNRWA.

Por, shumica e buxhetit të UNRWA-s shkon drejt edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, gjysma e tyre në Liban, Siri dhe Jordani, dhe pjesa tjetër në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. UNRWA drejton rreth 700 shkolla, duke i shërbyer më shumë nxënësve sesa çdo organizatë tjetër e OKB-së. Rreth 75 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës merr një formë ndihem nga UNRWA dhe 60 për qind e fëmijëve të Gazës nga klasa e parë deri në të nëntën ndjekin shkollat e UNRWA-së.

Megjithatë, pa ndihmën nga SHBA-ja, aftësia e UNRWA-së për të ofruar shërbimin e saj më të vlefshëm do të zvogëlohet ndjeshëm. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë bie në kundërshtim me angazhimin e liderëve botërorë, si pjesë e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (SDGs), për t’u siguruar që çdo fëmijë të jetë në shkollë deri në vitin 2030.

Edhe pse UNRWA ka më shumë se 100 donatorë, gati një e katërta e buxhetit të saj total – rreth 400 milionë dollarë në vit – më parë vinin nga Shtetet e Bashkuara. Në fakt, për rreth 70 vjet, SHBA-ja ka qenë donatori më bujar dhe më i besueshëm i UNRWA-s, me administratat republikane dhe demokratike që e njohin vlerën e organizatës.

Tani, donatorët e tjerë të UNRWA-s – dhjetë kryesorët e të cilëve kontribuojnë me rreth 80 për qind të buxhetit total të organit – janë nën presion për të kapërcyer hendekun e financimit. Dhe tashëm po shfaqen disa donatorë.

Në Gjermani, financuesi i tretë më i madh i UNRWA-së, ministri i Jashtëm Heiko Maas së fundmi njoftoi se qeveria “po përgatitet që të sigurojë një shumë shtesë fondesh të konsiderueshme” për organizatën. Në mënyrë të ngjashme, Mbretëria e Bashkuar sapo ka shtuar shtatë milionë funte (nëntë milionë dollarë), duke e çuar kontributin e saj të përgjithshëm për vitin aktual në 45.5 milionë paund.

Suedia së fundmi ka premtuar 206 milionë dollarë fonde të paracaktuara për katër vitet e ardhshme. Bashkimi Evropian, donatori i dytë më i madh i UNRWA-së, ka dhënë një paradhënie në financimin e këtij viti dhe u zotua se do të ofrojë të njëjtin kontribut në vitin 2019 dhe 2020. Donatorë të tjerë – si Danimarka, Finlanda, Luksemburgu, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Rusia dhe Zvicra – kanë rënë dakord që të transferojnë paraprakisht gjithashtu fondet e tyre.

Ky është një lajm i mirë, por ne do të duhet të bëjmë më shumë për të kompensuar humbjen e ardhshme të mbështetjes amerikane në një kohë kur buxhetet tashmë janë të tensionuara nga nevojat humanitare në rritje të 60 milionë njerëzve të tjerë të zhvendosur në botë, përfshirë më shumë se 20 milionë refugjatë (një rekord pas Luftës së Dytë Botërore). Po ashtu, fondi Arsimi S’mund të Presë”, i themeluar në vitin 2016 për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë e prekur nga luftërat dhe emergjencat, tani duhet të marrin në konsideratë 40 emergjenca të veçanta dhe kriza të zgjatura. Deri më tani, organizatës, e udhëhequr nga Yasmine Sherif, i mungon fondi i nevojshëm për të ndihmuar në mbylljen e boshllëkut të madh financiar.

Përveç reduktimit të kapaciteteve të UNRWA-së për të ofruar shërbime bazë për refugjatët palestinezë, mungesa e burimeve do të kërcënojë gjithashtu stabilitetin tashmë të tendosur të Bregut Perëndimor, Gazës, Sirisë, Libanit dhe Jordanisë.

Siç tha Maas, “humbja e kësaj organizate mund të shkaktojë një reaksion zinxhir të pakontrollueshëm”. Fëmijët do të dalin nga klasat e UNRWA në rrugë, ku ata do të ishin më të prekshëm ndaj skenarëve të rrezikshëm siç janë përpjekjet e rekrutimit nga terroristët, të cilët me siguri do të shfaqen në mundësinë e parë për të argumentuar se nëse nuk mund t’i mbajmë premtimet tona për ndihmë, bashkëjetesa paqësore me Perëndimin është e pamundur. Martesa, puna dhe trafikimi i fëmijëve do të rriteshin. Një brez fëmijësh dhe të rinjsh do të humbiste, në një rajon më të paqëndrueshëm se kurrë.

Administrata e Trumpit ka ofruar një numër justifikimesh imagjinative, por jo bindëse për vendimin e saj. Për shembull, ajo pretendon se vendet e tjera duhet të kishin paguar më shumë për një kohë të gjatë. Por, edhe nëse kjo të ishte e vërtetë, vështirë se do të justifikonte eliminimin e menjëhershëm të të gjithë mbështetjes.

Administrata pohon gjithashtu se UNRWA po zmadhon numrin e refugjatëve palestinezë, të cilët jo të gjithë meritojnë “të drejtën për t’u rikthyer” (një pikë e rëndësishme e bisedimeve të paqes me Izraelin) dhe se organizata e ka tejkaluar dobinë e saj. Por, përsëri, argumenti nuk është bindës.

Për të qenë të sigurt, UNRWA ka kohë që është kritikuar nga disa për kalimin e statusit të refugjatëve për breza me radhë që nga viti 1948. Administrata Trump tani po shqyrton një propozim për të kufizuar të drejtën e rikthimit nga pesë milionë palestinezë në disa qindra mijëra.

Por, në përgjigje thuhet se praktika e përcaktimit të pasardhësve të refugjatëve si refugjatë është në përputhje me konventat ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat e refugjatëve, si edhe me të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtën humanitare dhe qasjen e ndërmarrë nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Fakti është se, që kur u krijua UNRWA, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përfshirë SHBA-në, jo vetëm që ka ripërtërirë mandatin e saj çdo tre vjet, por ka lavdëruar gjithashtu punën e saj. Një shumicë dërrmuese e shteteve anëtare të OKB-së, duke njohur rolin unik që UNRWA luan në një rajon të paqëndrueshëm, kanë njohur vazhdimisht nevojën për t’i dhënë asaj mbështetje të fuqishme financiare.

Ndërsa bota vazhdon të kërkojë një marrëveshje për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, UNRWA (nën lidershipin reformues të Pierre Krähenbühl) është një ndikim i rëndësishëm stabilizues dhe forcë humanitare që çon para kauzën e paqes. Fëmijët refugjatë palestinezë janë tashmë të pa favorizuar. Nëse UNRWA-s nuk i jepet mbështetja që i nevojitet, këta fëmijë dhe shoqëritë e tyre do të paguajnë një çmim akoma më të rëndë. /Project Syndicate/BIRN/