LAJMI I FUNDIT:

Suhodolli mbetet sherr për kufirin mes dy komunave të Mitrovicës (Video)

Suhodolli mbetet sherr për kufirin mes dy komunave të Mitrovicës (Video)

Fshati Suhodoll, që ndodhet në anën veriore të lumit Ibër, tashmë është shndërruar në mollë ‘sherri’ i mos nënshkrimit të marrëveshjes që do të definonte kufirin administrativ mes komunave të Mitrovicës jugore dhe veriore.

Rreth kësaj çështje, më herët u mendua se qëndrimet mes palëve janë përafruar, mirëpo, ato vazhdojnë të mbeten ende larg, secila në pikëpamjen e vet.


Derisa Prishtina zyrtare thotë se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit, dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008, përfshinë brenda edhe fshatin Suhodoll, që ndodhet në anën veriore të lumit Ibër, veriorët e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka bërë të ditur për KosovaPress se kjo çështje është përcaktuar qartë me ligjin për vijat administrative komunale të Republikës së Kosovës, dhe nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi rreth kësaj.

Ajo ka potencuar se asnjëherë në Bruksel nuk është diskutuar kjo çështje, dhe as që do të diskutohet, sepse është çështje e brendshme e Kosovës.

Sipas saj, ajo që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është duke përpiluar, ka të bëjë me një memorandum për Mitrovicën dhe dy kryetarët, me të cilin do të respektohen ligjet e Kosovës.

Komunat e Kosovës, shtoi ajo, me ligj obligohen që planifikimet urbane t’i bëjnë duke respektuar planifikimin urban shtetëror.

“Është e vërtetë se vitin 2013, banorët e Suhodollit kanë votuar në veri për shkak të disa paqartësive me hartat, mirëpo në kohën kur kemi diskutuar me katër komunat për zgjedhjet, unë kam kërkuar që t’i referohemi hartave të Ahtisaarit. Aty shihet se Suhodolli është me jugun e Mitrovicës, ndërsa, Kroi i Vitakut me veriun. BE-ja mbi hartat e marra nga OKB-ja ka nxjerr një interpretim juridik, respektivisht që Suhodolli përfshihet me jugun e Mitrovicës”, ka thënë Tahiri.

Ajo u shpreh e bindur se duke u ofruar koha para zgjedhjeve, kjo çështje do të përfundojë dhe MMPH-ja është duke punuar intensivisht në këtë drejtim.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se kufiri në mes të jugut dhe veriut të Mitrovicës mbetet në përpikëri ai që ka qenë më herët.

“Sa i përket kufirit në mes të pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës, është konfirmuar qartë se kufiri është ai që është pacaktuar me pakon e Ahtisarit dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim… Askush në Bruksel nuk e ka cenuar ose prekur Pakon e Ahtisarit, kufiri mbetet në përpikëri ai që është përcaktuar më herët”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, foli ditë më parë rreth kësaj çështje, duke thënë se vija administrative në mes të Mitrovicës veriore dhe jugore akoma s’ka përfunduar.

Ai gjatë një deklarate dhënë para gazetarëve në veri të Mitrovicës, tha se banorët e fshatit Suhodoll janë pjesë e komunës veriore dhe se në zgjedhjet lokale të fundit kanë votuar për zgjedhjen e strukturave komunale të komunës veriore të Mitrovicës, andaj nuk heq dorë nga kjo.

“Vija administrative në mes të Mitrovicës veriore dhe jugore akoma s’ka mbaruar, kemi biseduar disa herë unë dhe kryetari Bahtiri, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të BE-së dhe ambasadave nuk kemi gjetur një zgjidhje për kompromis dhe jam i mendimit se kjo çështje duhet të kthehet për zgjidhje në Bruksel… Gjatë procesit të zgjedhjeve në mitrovicën veriore, qytetarët e Suhodollit kanë votuar në veri, pastaj kemi këshilltarë të cilët janë pjesë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore andaj nuk mund të heqim dorë aq lehtë”, theksoi Rakiq.

Në anën tjetër, shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë vizitës së saj para disa ditësh në veri të Mitrovicës, ka shprehur shpresën e saj se në të ardhmen më nuk do të flitet për Mitrovicën Veriore dhe Jugore por vetëm për Mitrovicën.

“Më lejoni të them se shpresoj që së shpejti nuk do të flasim më për Mitrovicën veriore dhe Mitrovicën jugore, por do të flasim vetëm për Mitrovicën, kjo është dëshira ime”, tha ajo. /Telegrafi/