Suedia nuk ka arritur ta mposhtë Spanjën (1-1) në ndeshjen e zhvilluar në Friends Arena të Stokholmit, e vlefshme për fazën kualifikuese të ‘Euro 2020’.

Portieri nikoqir, Robin Olsen, bëri një pritje të mrekullueshme në minutat e para, kur Thiago Alcantara tentoi drejt portës, ndërsa gardiani suedez ishte aty për të ndalur një tjetër përpjekje të spanjollëve, kësaj radhe nga Rodri.

Robin Quaison e testoi portierin në anën tjetër të fushës, David de Gea dhe skuadrat shkuan në pushim me shifra të pandryshuara.

Pas një aksioni të gjatë të suedezëve, erdhi një harkim në zonë, mirëpo David de Gea e mbrojti goditjen e Marcus Berg. Portieri spanjoll e mbrojti edhe një tjetër tentativë, por topi sërish shkoi drejt Berg, i cili e futi në rrjetë (50′).

Në vazhdim të ndeshjes, mysafirët nuk u dorëzuan dhe vazhduan ta kërkonin golin, të cilin e shënuan në minutat shtesë (90’+2) përmes Rodrigo, i cili u asistua nga Fabian Ruiz.

Spanja mbetet lidere në Grupin F me 20 pikë dhe e ka siguruar edhe matematikisht kualifikimin, ndërsa Suedia është në vend të dytë me 15 pikë, një më tepër se Rumania, me të cilën në nëntor do ta ketë përballjen e drejtpërdrejt për kualifikim. /Telegrafi/