LAJMI I FUNDIT:

‘Subvencionet 1’, i akuzuari mohon të jetë ai në videot për të cilat Prokuroria pretendon se është duke pranuar ryshfet

‘Subvencionet 1’, i akuzuari mohon të jetë ai në videot për të cilat Prokuroria pretendon se është duke pranuar ryshfet

 Në rastin e njohuri si “Subvencionet 1”, i akuzuari në cilësinë e zyrtarit për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Sadat Shkodra, gjatë dhënies së mbrojtjes ka mohuar të jetë ai personi në videot, për të cilat Prokuroria pretendon se shihet duke marrë ryshfet.

Prokurori Rafet Halimi me lejen e gjykatës, i ka shfaqur para të akuzuarit disa pamje që sipas tij në bazë të masave të veçanta hetimore pasi i akuzuari Shkodra pranon paratë nga Kushtrim Zogaj për fermerin Dukagjin Mavraj, i njëjti shkon në zyrën e të akuzuarit Luan Statovci për ta njoftuar për ryshfetin.

“Pasi pranoni paratë nga Kushtrim Zogaj për Dukagjin Mavraj, shkoni në zyrën e të pandehurit Luan Statovci dhe në orën 15 e 33 minuta e njoftoni për ryshfetin për Dukagjin Mavraj, duke i thënë se këto janë prej Dukagjinit dhe ia dorëzoni 1 mijë e 700 euro”, tha prokurori Halimi.


I akuzuari tha se sa i përket Dukagjin Mavrajt ishte deklaruar më herët për lëndën e tij, kurse lidhur me paratë tha se nuk ka pranuar dhe as nuk ka diskutuar me Zogajn.

Ndërkaq, pas shikimit të videos, i akuzuari Shkodra mohoi të ketë qenë ai në atë video. Gjithashtu, mohoi të jetë edhe në një video tjetër, ku sipas prokurorit Halimi shihet Shkodra teksa pranon një shumë prej 500 euro.

I akuzuari Shkodra tha se aty shihet vetëm një person me kokë të ulur.

Paraprakisht, i akuzuari Shkodra deklaroi se nuk i njeh fermerët Bekim Shala e Arlinda Seferin dhe se as nuk kishte punuar me lëndët e tyre. Mirëpo, tha se është e mundur që të jetë interesuar për lëndët e tyre, pas kërkesës së fermerëve apo të ndonjë zyrtari komunal.

I akuzuari Shkodra deklaroi se e njeh Alban Bushatin si një zyrtar komunal, kurse tha se është e mundur që i njëjti të jetë interesuar edhe për fermerë tjerë, edhe për Shalën e Seferin.

Më pas, prokurori e pyeti në lidhje me një transkriptë, ku sipas tij i akuzuari Shkodra në zyrën e drejtorit për pagesa direkte bisedon me të akuzuarin Luan Statovci, ky i fundit thotë se e njofton të Shkodrën se cilët numra janë në Raiffeisen Bank, fermerët Shala e Seferi.

“Në këtë transkript, Luani ju njofton se Arlinda është numri….në Raiffeisen që i kanë dalë. Bekimi është numër …. dhe ju e pyetni “edhe Arlindës, a po”. Ju merrni përgjigje, “edhe Arlindës në Raiffeisen thuj i ka”. Dhe ju kontaktoni me telefon me një person dhe e njoftoni se “hej kqyr edhe niherë aty, m’u kry janë kry të dyja, mas orës 3 janë kry” e ballafaqoi prokurori Halimi të akuzuarin, duke e pyetur se për çfarë njoftimi e kishte pasur fjalën.

Mirëpo, sipas të akuzuarit Shkodra nuk ka diçka të keqe në këtë bisedë pasi që pagesat janë publike.

“Në këtë bisedë nuk po shoh diçka të keqe sepse pagesat janë publike. Kjo biseda është ndonjë informatë që ka kërku ndonjë zyrtar ose ndonjë fermer…”, tha ai.

Gjithashtu, prokurori Halimi e ballafaqoi të akuzuarin Shkodra edhe me një deklaratë të tij të dhënë në Prokurori, në lidhje me një përgjigje që ky i fundit sipas prokurorit kishte deklaruar lidhur me një lëndë.

“Albani e ka thirrë zyrtaren Habibe Dauti, e ka lypë një lëndë, më duket për Arlindën, Habibja ka qenë e zënë me lëndë tjera dhe më ka thirrë edhe mu Albani dhe fillimisht i kam thanë që nuk muj m’u marrë me këtë lëndë dhe pas një presioni të madh kam biseduar me Habiben dhe i kam thënë Albani po e lyp një lëndë me ia skenu… Pastaj e kom pyt unë a muj me ia dërgu, më ka thënë po dhe ja kam dërgu në Whatsapp”, tha prokurori se kishte qenë përgjigja e Shkodrës.

Për këtë, i akuzuari tha se ka pasur mundësi të ndodh sikur me fermerë tjerë, sa i përket kërkesave të zyrtarëve komunalë, fermerëve apo familjarëve të tyre, për t’ua dhënë ndonjë informatë të kërkuar nga ata.

Paraprakisht, i akuzuari Shkodra është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Musa. Gjatë përshkrimit të detyrave të tij, ai tha se në mungesë të stafit ka bërë edhe kontrollet administrative-teknike, që kanë pasur të bëjnë me aplikacionet, letërnjoftimet, llogarinë e bankës, e të tjera.

Shkodra mohoi të ketë njohur Daut Kabashin dhe fermerin Dukagjin Mavraj, e që për këtë të fundit tha se i ka bërë kontrollën administrative dhe se e kishte pasur të gjithë dokumentacionin sipas programit të thirrjes nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas tij, për këtë lëndë ishte bërë edhe kontrolla në terren nga inspektorët, pastaj tha se ishte kthyer nga Drejtoria e kontrollit dhe se raporti i terrenit ishte përshkruar edhe në sistem. I akuzuari deklaroi se kjo lëndë nuk kishte pasur asnjë mungesë.

“Po, këtë lëndë e ka lypë edhe kryeshefi ekzekutiv, Agim Nuha. E kam dërgu këtë lëndë fizikisht, në zyre, kanë qenë edhe policia hetues të regjionit të Pejës, drejtori i kontrollit të terrenit, Florim Shabani”, tha i akuzuari Sadat Shkodra.

Kurse, tha se më vonë i ishte kthyer kjo lëndë dhe se kryeshefi i kishte thënë që ta dërgojë në terren në mënyrë “pak më të veçantë, si me thanë specifike”. Lëndën në fjalë, tha se e kishte dërguar në zyrën e drejtorit të kontrollit të terrenit.

“Pas një kohe më është kthy lënda në zyre dhe e kam proceduar për pagesë sipas raportit të terrenit”, tha i akuzuari Shkodra, duke shtuar se sa i përket kontrollës administrative-teknike gjithçka ka qenë në rregull.

Ai po ashtu deklaroi se Kushtrim Zogajn e njeh si zyrtar komunal dhe mohoi që ai t’i ketë dhënë ndonjëherë para për fermerin Mavraj. Gjithashtu, mohoi të ketë biseduar me të për dosjen e fermerit Mavraj, duke theksuar se “Kjo dosje u kanë gjithçka në rregull”.

Shkodra tha se nuk e njeh fermerin Agron Krasniqi, as të jetë takuar apo të ketë biseduar me të.

Për këtë të fundit, avokati Musa e pyeti në lidhje me dëshminë e tij (Krasniqit) se është takuar me të akuzuarin Shkodra dhe se i ka dhënë ryshfet në veturën e të akuzuarit “Golf 6”. Por, Shkodra mohoi të ketë ndodhur një gjë e tillë.

“Agroni nuk u taku me mu dhe nuk më ka dhënë ryshfet asnjëherë, madje as Golf 6 nuk kam. Ai ka mujt me ardhë në zyre m’u interesu për lëndën e tij, po nuk më kujtohet që ka qenë”, shtoi ai.

Mes tjerash, i akuzuari Shkodra deklaroi se kanë pasur shumë telefonata nga palët që interesoheshin për lëndët e tyre, madje brenda orari më shumë se 20 telefonata.

Kurse, deklaroi se gjatë një ditë në atë Agjencion ka qenë e mundur që të paraqiten 50 deri 100 palë, nga të gjitha komunat e Kosovës.

I akuzuari Shkodra në të gjitha rastet ka mohuar të ketë pranuar ryshfet.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj,  Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti,  për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera, raporton betimiperdrejtesi, transmeton Telegrafi.

Në trend Lajme

Më shumë
Trump ose Harris, Nesho: S’do të kenë qasje si përpara në raport me stabilitetin e Kosovës

Trump ose Harris, Nesho: S’do të kenë qasje si përpara në raport me stabilitetin e Kosovës

Lajme
Tërmeti në Shqipëri, goditja e parë e fuqishme u shoqërua edhe nga dy lëkundje të tjera sizmike

Tërmeti në Shqipëri, goditja e parë e fuqishme u shoqërua edhe nga dy lëkundje të tjera sizmike

Lajme
Bislimi: Kryeministri serb ia bëri të qartë BE-së se nuk ka Marrëveshje Bazike

Bislimi: Kryeministri serb ia bëri të qartë BE-së se nuk ka Marrëveshje Bazike

Politikë
Këshilla se si të mbroheni gjatë shkarkimeve të rrufesë

Këshilla se si të mbroheni gjatë shkarkimeve të rrufesë

Lajme
Me aparatura të avancuara, hapet Spitali i Përgjithshëm “Rezonanca 2”

Me aparatura të avancuara, hapet Spitali i Përgjithshëm “Rezonanca 2”

Elfije Boletini
Dënohen me 39 vite e 6 muaj burgim dy të akuzuarit për vrasjen në Baks të Skenderajt

Dënohen me 39 vite e 6 muaj burgim dy të akuzuarit për vrasjen në Baks të Skenderajt

Drejtësi
Kalo në kategori