Gjykata Themelore në Pejë ka mbyllur sot shqyrtimin gjyqësor në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, ndërsa aktgjykimi ndaj Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt do të shpallet më 24 gusht.

Gjatë seancës së sotme të këtij rigjykimi, gjykata ka administruar si provë edhe një video-incizim, në të cilin, sipas gjykatës, shihet Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në një bjeshkë të Deçanit.


Pas administrimit të provave, shqyrtimi gjyqësor është shpallur i mbyllur dhe çështja tashmë është në fazën e shpalljes së aktgjykimit, raporton kp.

Ndërkaq, rasti ishte paraparë të përfundonte më 10 korrik, kur ishte planifikuar shpallja e aktgjykimit.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Pejë kishte vendosur ta rihapë shqyrtimin gjyqësor për administrimin e një prove shtesë.

Tre të akuzuarit po gjykohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor 2021, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të autobusit që po qarkullonte në Gllogjan.

Nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa një tjetër person, F.T., ishte plagosur rëndë.

Në aktakuzë të Prokurorisë thuhet se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj.

Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

Sipas aktakuzës, Kastriot Mehmetaj, i armatosur kishte dalë në rrugë para autobusit, duke u shtirur si i dehur, me qëllim që ta detyronte shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pas ngadalësimit të autobusit, ai, sipas Prokurorisë, kishte shtënë në drejtim të shoferit.

Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj.

Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur dy djemtë e tij Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, shoferin e autobusit duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.