Stuhi e fortë kërcënon ndeshjen Francë – Irak në Kupën e Botës


Ndeshja mes Francës dhe Irakut, e vlefshme për xhiron e dytë të Grupit I në Kupën e Botës 2026, mund të përballet me vonesa apo edhe ndërprerje për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në Filadelfia.
Franca synon të sigurojë kualifikimin në fazën eliminatore me një fitore ndaj Irakut, por një stuhi e paralajmëruar për zonën mund të ndikojë në zhvillimin normal të takimit, i cili është planifikuar të nisë në orën 23:00.
Sipas meteorologut francez Guillaume Sechet, ekziston rreth 60 për qind mundësi që gjatë ndeshjes të ketë stuhi me rrufe. Sistemi i motit pritet të përfshijë një pjesë të madhe të Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara, nga jugu deri në veri të shtetit të Nju Jorkut.
“Zona e prekur është shumë e gjerë, por ende ekziston mundësia që disa rajone, përfshirë Filadelfian, të mos goditen drejtpërdrejt nga stuhia”, ka deklaruar Sechet për mediumin francez L'Equipe.
Sipas parashikimeve, situata mund të përkeqësohet rreth orës 22:00, vetëm një orë para fillimit të ndeshjes.
“Kur këto stuhi shfaqen, ato zakonisht janë shumë të forta. Momentet e para të stuhisë janë zakonisht më problematiket”, shtoi ai.
Protokolli i FIFA-s në rast rrufesh
Në Shtetet e Bashkuara zbatohen rregulla të rrepta sigurie për ngjarjet sportive gjatë stuhive me rrufe. Nëse regjistrohet një goditje rrufeje brenda një rrezeje prej rreth 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja ndërpritet menjëherë.
Lojtarët dërgohen në dhomat e zhveshjes, ndërsa tifozët zhvendosen në zona të sigurta brenda stadiumit. Pas ndërprerjes nis një periudhë pritjeje prej 30 minutash. Nëse gjatë kësaj kohe nuk regjistrohen rrufe të tjera, ndeshja mund të rifillojë.

Megjithatë, çdo goditje e re rrufeje e rinis numërimin nga fillimi, çka mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme.
Sipas raportimeve të L'Equipe, FIFA nuk ka përcaktuar një afat maksimal për kohëzgjatjen e ndërprerjeve të tilla, duke lënë të hapur mundësinë që ndeshja të shtyhet nëse kushtet e motit nuk përmirësohen. /Telegrafi/







































