LAJMI I FUNDIT:

Studentët e demonstratave të ’81 kthehen sërish në mensën e studentëve

Studentët e demonstratave të ’81 kthehen sërish në mensën e studentëve

Përmbysja e pjatave në mensën e studentëve me 11 mars 1981, shënojë fillimin e demonstratave për liri e pavarësi në të gjitha qytetet e Kosovës. E sot, 40 vite më pas, ish-studentët organizues të këtyre demonstratave u kthyen në vendin ku fillojë gjithçka.

Pritja në radhë për t’u ushqyer, që 40 vite më parë ishte një tmerr i vërtetë, sot për ish-studentët ishte një moment krejt i veçantë, e që e quajtën realizim të ëndrrës së atëhershme që studentët të kenë kushte më të mira në mensë e në konvikte.


Ramadan Gashi, ish student i Universitetit të Prishtinës, ka përkujtuar sot momentin kur në mensë kishin përmbysur pjatat në shenjë revolte për kushtet e papërballueshme që ishin në mensë e në konvikte.

Ai thotë se përmbysja e pjatave ishte simbolikë se dëshironin të përmbysnin Federatën Jugosllave, e për çka thotë se njëmend arriti që ta përmbys.

“Në skenarin e demonstratave ka qenë hyrja në mensë dhe përmbysja e pjatave në shenjë revolte për kushtet e papërballueshme atëherë që mbizotëronin në mensën e studentëve dhe në konviktet e studentëve. Përmbysja kishte edhe një simbolikë në prapaskenën e saj sepse vërtetë dëshironim ta përmbysnim një ngrehinë të ashtuquajtur Federatë Jugosllave e ku proklamohej se ishim të barabartë nga të gjitha njësitë, por vërtetë Kosova ishte e diskriminuar dhe ne dëshironim ta përmbysnim dhe pjata ishte simbolika e asaj përmbysje. Vërtetë ajo përmbysje ka ndodhur siç jeni dëshmitar ju vet të kësaj situate ku ne tash e kemi Kosovën të liruar dhe shtet”, tha ai.

Gashi thotë se të gjithë studentët që ishin në mensë i ishin bashkangjitur përmbysjes së pjatave e karrigeve dhe më pas demonstratave në qytet.

“Realisht rinia nuk frikësohet asnjëherë, studentët dhe rinia nuk frikësohen. Kështu që, ne nuk jemi frikësuar, përndryshe po të ishim frikësuar ndoshta kish me qenë vështirë me e nis dhe ajo ka qenë një ngjarje shumë masive që i janë bashkëngjitur më vonë edhe klasa punëtore dhe gjithë rinia shkollore”, tregoi ai.

Ndonëse kishin mbajtur burg për organizim të demonstratave, Gashi thotë se nga ajo kanë arritur ta bëjnë Kosovën shtet dhe të formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kthimi në mensë, Gashi thotë se është shumë emocionuese sepse gjithmonë kanë menduar se si do të ishte një mëngjes në Kosovën e lirë.

“Ne në burgje kur kemi qenë kemi menduar a thua si do të ishte një mëngjes kur të zgjohemi në Kosovë dhe jemi të lirë. Ajo është një përjetim që përjetohet vetëm kur të kesh Kosovën e lirë dhe kur e dinë në çfarë gjendje ke qenë më herët. Kështu që, janë emocione të papërshkrueshme, nganjëherë mendoj që nuk ia dimë rëndësinë dhe vlerën se çka është arritur, është krijuar shteti që do të jetojë përgjithmonë”, tha ai.

Demonstratat e 1981-ës i ka përkujtuar edhe një nga organizatorët e tyre Shemsi Syla.

Ai tha se demonstratave të vitit 1981 i kishte paraprirë një protestë që e kishin organizuar me 1 prill të vitit 1980, e cila ishte organizuar me pretekstin e refuzimit të rritjes së çmimeve nga Qendra e Studentëve.

Pas kësaj proteste ai tha se çmimet ishin kthyer siç kishin qenë, por që tha se sërish ishin ngritur në tetor të atij viti, e që me 12 tetor tha se kishin organizuar protestën e dytë.

Me demonstratat e ’81, Syla thotë se fillojë revolucioni për përmbysje të ish-Jugosllavisë.

“Si produkt i atyre dy testeve që ne i kishim bërë është kjo e 11 marsit, ideja ishte që në Qendër të Studentëve, te mensa e studentëve dhe aty ku maltretoheshin duke pritur në rend për të ngrenë ushqim me orë të tëra, kishte raste kur studentëve iu binte të fikët duke pritur. Aty e shfrytëzuam rastin dhe aty u hodh pjata e parë dhe aty fillojë revolucioni i vitit ’81, nga mensa e studentëve që u përmbys gjithçka që në mënyrë simbolike fillojë të përmbysej edhe ai sistem dhe ish-Jugosllavia e cila ishte nga të tjerët si një parajsë e popujve, por që ishte tmerri i shqiptarëve. Nga aty fillojë revolucioni i ’81, revolucioni i cili vazhdojë edhe më tutje deri në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në fitoren përfundimtare”, tha ai.

40 vite pas, kthimi në mensë atij ia kujtuan shokët që humbën jetën për idealin për të qenë të lirë.

“Po kemi shumë emocione pas 40 vitesh se shumë shokë tanë janë vrarë, shumë shokë tanë janë vrarë nëpër burgje, në demonstrata, pastaj në luftë. Ata gjithnjë na kujtohen dhe ndjenja është e fuqishme sidomos në përvjetorë, sepse edhe shumë prijës të demonstratave sot nuk janë”, tha ai.

Pasi që kishte dëgjuar se në mensë janë përmbysur pjatat e studentët kishin nisur të dilnin në rrugë, atyre iu kishte bashkangjitur edhe studentja Lumnije Hoxha-Rama, e cila thotë se disa ditë para se të ndodhte kjo e kishin ditur se do të hapej në epoke e re për ta.

“Disa ditë më përpara ne e dinim se diçka do të ndodh, do të hapet një epokë e re, një ditë e re për ne. Ju kam bashkëngjitur protestës, janë ardhur duke u masivizuar studentët. Frikë nuk kemi pasur absolut. Thirrje kemi bërë “Kosova Republikë”, “Trepça punon Beogradi ndërton”, “Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, këto kanë qenë thirrjet që i kemi bërë”, tregon ajo.

Ajo pasi u ushqye në mensë, tha se për këtë ditë u deshtë që të derdhet shumë gjak.

“Nostalgjia që jemi ushqyer atëherë, por mirë. U deshtë me dhanë shumë, u deshtë me u derdh gjak shumë për me ardhë deri tek kjo ditë”, tha ajo.

40 vjetori i demonstratave të ’81 i ka bërë bashkë sot organizatorët e tyre, e të cilët kanë marrë pjesë edhe në vënien e gurthemelit të monumentit që i kushtohet Pranverës Shqiptare ’81.

Studentët e Kosovës më 4 mars 1981, organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981. Demonstratat gjithë popullore të marsit dhe prillit shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kalo në kategori