LAJMI I FUNDIT:

Struktura arkitekturore e Sanxhakut të Nishit gjatë periudhës osmane

Struktura arkitekturore e Sanxhakut të Nishit gjatë periudhës osmane

Nga: Mead Osmani

Abstrakt

Në periudhën antike dhe të mesme, qyteti i Nishit njihej me emrin Naissus. Ky qytet dallohej për rëndësinë e tij gjeostrategjike për shkak se ishte qendër që lidhte rrugët e asaj kohe. Një nga rrugët kyçe që luajti rol të rëndësishëm në lidhjen me pjesët e tjera të botës, ishte edhe rruga e quajtur “Via Militaris”, që kalonte pranë Nishit. Ky qytet gjatë periudhës osmane (1386-1878) nuk e humbi rëndësinë që kishte më parë, por përkundrazi pati një ndikim të çmuar në ngjarjet që ndodhën gjatë kësaj kohe. Osmanët i shfrytëzuan rrugët e mëparshme dhe ndër vite i zgjeruan ato. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të rëndësisë strategjike, zhvillimit dhe potencialit ekonomik, kjo zonë njëkohësisht kanosej nga rreziqe të pazakonshme. Për këtë arsye, disa herë i është nënshtruar shkatërrimit thuajse të tërësishëm, por sërish ka arritur të rindërtohet dhe të rezistojë. Andaj, Nishi disa herë thuajse u ndërtua rishtas, ku edhe sot ka pjesërisht elemente arkitekturore dhe kulturore, që dëshmojnë një të kaluar të pasur. Gjatë kësaj periudhe, themelimi dhe zhvillimi i qyteteve pasqyronte gjendjen shoqërore dhe religjioze të popullsisë, e cila ka ndikuar në zhvillimin dhe zgjerimin e qytetit, që ishin të përqendruar kryesisht pranë komplekseve, mensave publike etj. Roli dhe kontributi i familjeve dhe personaliteteve me peshë socio-ekonomike, ka qenë mjaft i rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin arkitekturor dhe social të qyteteve të periudhës osmane. Në këtë kontekst, punimi synon të shpalos detaje mbi monumentet arkitekturore në Nish dhe gjendjen e tyre deri më sot.

Fjalë kyçe: Nishi, “Via Militaris”, periudha osmane, arkitektura.

Hyrje

I njohur si një qendër e lashtë vendbanimi, Nishi qëndroi nën administrimin osman për një periudhë shumë të gjatë, e cila zë fill nga viti 1386 deri në vitin 1878. Gjatë këtij harku kohor, për shkak të rëndësisë strategjike që kishte dhe për arsye se ndodhej në njërën prej rrugëve të lashta e me rëndësi siç qe “Via Militaris” (Stamboll-Beograd), kjo hapësirë kishte përparësi ekonomike dhe strategjike, por në të njëjtën kohë i kanosej edhe rreziku. Kjo ka qenë edhe arsyeja që disa herë iu nënshtrua shkatërrimit thuajse të tërësishëm, por sërish arriti t’i rezistojë kohës. Kështu, Nishi disa herë u rindërtua thuajse nga e para dhe, edhe sot e kësaj dite posedon elemente kulturore nga ajo periudhë, ndonëse në masë të vogël por që dëshmojnë një të kaluar të pasur.

Kryesisht, qytetet e periudhës osmane gjatë themelimit dhe zhvillimit të tyre janë ndikuar nga struktura fetare dhe sociale, e cila ka diktuar zhvillimin dhe madhësinë e qytetit që frekuentohej zakonisht afër komplekseve (külliye)[1] dhe mensave (kuzhinave) publike (imâret), të cilat ndërtoheshin në zona të ndryshme. Në themelimin, ngritjen dhe zhvillimin e qyteteve të periudhës osmane rol të madh kanë luajtur personalitetet me ndikim social dhe ekonomik. Përveç Sulltanit dhe familjes së tij, udhëheqësit e lartë shtetërorë, tregtarët, dijetarët, dervishët dhe udhëheqësit ushtarakë si dhe personalitetet e pasura të shoqërisë brenda sistemit vakëf – mensë publike, me veprat që kanë bërë kanë luajtur rolin kryesor në zhvillimin fizik të qytetit. Ky punim është realizuar duke u bazuar në burimet arkivore osmane dhe në burime të tjera dhe, si i tillë, synon të nxjerrë në pah numrin e monumenteve të trashëgimisë arkitektonike të periudhës osmane në Nish dhe sa prej tyre kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët e sotme.

Sipas Sami Frashërit, Nishi ndodhej 215 kilometra në juglindje të Beogradit, duke u pozicionuar në rrafshin e lumit Nishave që bashkohet me lumin Morava. Kjo qendër urbane gjendej në kryqëzimin e linjës së Selanikut me Stambollin, në një hapësirë fushore të rrethuar me male dhe ishte një qytezë me bazë ushtarake ku jetonte një popullsi prej 21 049 banorësh. Qyteti kishte hapësira të fortifikuara, qenë ngritur shumë xhami, ekzistonte një pallat enkas për mbretin, si dhe gjendej edhe godina e parlamentit. Në vitin 1878 Nishi u bë pjesë e Serbisë dhe, për shkak se ishte qyteti i dytë më i madh pas Beogradit, u konsiderua si kryeqyteti i dytë. Shumicën e popullsisë së Nishit e përbënin myslimanët, të cilët u detyruan me dhunë të shpërngulen në tokat e mbetura të Perandorisë Osmane.[2]

Edhe në ditët e sotme, Nishi gjendet në një pozicion kryqëzimi ndërkombëtar ku bashkohen pesë rrugë hekurudhore e gjashtë rrugë interurbane. Edhe osmanët punimet më të rëndësishme në infrastrukturën rrugore i konkretizuan në vitin 1863 në Nish, në Bosnjë dhe në Vidin. Gjatësia e rrugëve të hapura nga fillimi dhe rrugëve të përmirësuara arrinte në 360 fersaha[3] në vilajetet e lartpërmendura dhe krahinat e tjera të Rumelisë.[4] Për këtë arsye, pozita gjeostrategjike e Nishit ishte mjaft e rëndësishme për qeveritarët dhe administratorët osmanë. Kështu, qyteti i Nishit, edhe pse me ndërprerje gjatë viteve 1386-1878 ka vazhduar të mbetet nën administrimin osman; ku kishte fituar një rëndësi të madhe strategjike e njëkohësisht kishte ruajtur edhe karakteristikën e të qenit një qendër islame.[5]

Në Nish dhe rrethina ekzistojnë disa objekte arkitekturore, më saktësisht gërmadha që i përkasin si periudhës paraosmane, dhe asaj osmane. Më e vjetra nga këto i përket periudhës ilire. Thuhet se njëra nga katër depot e armëve të ilirëve gjendej në Nish.[6] Madje, ekzistojnë edhe rrënoja të tempujve bizantinë dhe rrënoja të arkitekturës antike të një kishe latine (katolike) në veri të qytetit në Gorngji Matejevac, të cilat i përkasin shek. XI dhe XII.[7]

Rruga më e rëndësishme e transportit në Gadishullin Ballkanik ndodhej në mes Stambollit dhe Beogradit (“Via Militaris”). Kjo rrugë kryesore kalonte afër qyteteve të mëdha siç ishin Edrene, Plovdiv, Sofja dhe Nish. Dominimi i kësaj rruge kryesore të gadishullit Ballkanik siguronte në masë të madh sovranitet strategjik, ekonomik dhe politik.[8] Kështu, gjatë periudhës osmane, gjegjësisht në vitin 1554 udhëtari Busbecq gjatë rrugëtimit për në Stamboll u ndal edhe në Nish. Ai do të deklaronte se atje kishte parë një kishë që ishte ndërtuar me gurë të vegjël mermeri, me kolona të shkruara me shkronja latine që i përkisnin periudhës romake. Busbecq për herë të parë kishte parë në Nish një karvansaraj[9], objekte arkitekturore që ishin shumë të përhapura tek osmanët. Ndër të tjera, ai e përshkruan karvansarajin e Nishit si një objekt i cili konsistonte në një godinë të madhe, që ishte më shumë e gjatë sesa e gjerë. Në mes të ndërtesës ndodhej një hapësirë, e cila shërbente për vendosjen e bagazheve dhe kafshëve e mjeteve të transportit. Kjo hapësirë ishte e rrethuar tërësisht nga një mur një metër i lartë dhe lidhej me murin e jashtëm që rrethonte të gjithë ndërtesën. Pjesa e sipërme e murit të ulët ishte e rrafshët dhe e gjerë rreth 1.2 metra, hapësirë e cila shërbente për shtrat dhe si tryezë për ngrënie. Përmbi të gjithashtu edhe gatuhej, sepse kishte oxhaqe në hapësirën e murit të jashtëm. Mbi këtë mur, njerëzit përgatisnin shtretërit duke vënë fillimisht një qilim të cilin ata zakonisht e mbanin të lidhur në shalën e kalit me vete dhe duke vendosur një gunë mbi të. Shala shërbente si jastëk dhe kështu ata mbështilleshin gjatë natës me rroba të gjata të qepura me gëzof, të cilat i mbanin veshur gjatë ditës. Kështu, në këto karvansaraje nuk ofrohej kurrfarë privatësie, gjithçka bëhej në publik dhe vetëm errësira e natës ishte ajo që të jepte njëfarë intimiteti.[10]

Rreth një shekull pas Busbecqit, në vitin 1660 Evlija Çelebiu (1611-1682), kaloi nëpër Nish, i cili e përshkruan qytetin si më poshtë:

Nga fillimi deri në fund në qytet kishte 2060 ndërtesa me kopshte dykatëshe dhe një katëshe të mbuluara me tjegulla, gjithashtu kishte dhe shtëpi të varfërish. Të gjitha ishin të këndshme, ndër këto më me emër ishte saraji (pallati) i Ali Agës nga Nishi dhe saraji i vjehrrit të tij, si dhe kishte njëqind shtëpi të bukura e të mirëmbajtura. Kalaja e Nishit ishte në mes të qytetit pa mbrojtje dhe për më tepër ishte e ndërtuar prej guri në formën e një hani. Në kala nuk kishte asnjë ndërtesë. Në mes të qytetit ndodheshin xhamitë e Muradit të I, e Musli Efendisë dhe Xhamia e Hysejin Kethydasë. Madje në qytet ndodheshin dhe 22 shkolla fillore (sibyan) në krye të urës ishte një teqe bektashiane me teqet e Zahide Baxhës dhe Hajdar Kethydas”.[11]

Kalaja e Nishit me mure madhështore ishte ndër kështjellat osmane me rëndësi në Ballkan. Përveç xhamisë së Malkoçoglu Bali Beut dhe asaj të Islam Agës, e cila datonte aty nga mesi i shek. XIX, Nishi kishte një komunitet të vogël myslimanësh që banonin përreth kësaj faltoreje e cila mbart gjurmët e periudhës së pasur osmane.[12] Krahas rëndësisë strategjike, Nishi ishte i rëndësishëm edhe nga këndvështrimit tregtar. Qyteti për shkak të këtyre veçorive, në shek. XIX përbënte njërën prej pikave më kryesore të Perandorisë Osmane kundër Serbisë në këtë hapësirë.

Sipas salnamesë[13] së vilajetit të Prizrenit, të vitit 1874 Nishi ishte qendra e Sanxhakut dhe qe i ndarë në 30 lagje: në kazanë e Nishit jetonin 4 921 myslimanë dhe 17 107 jomyslimanë. Numri total i shtëpive ishte 3 651 të tilla. Në Nish kishte 1 507 dyqane, 3 depo, 26 hane (hotele) 4 hamame, 13 xhami, 6 mesxhide, 4 medrese, 1 ruzhdije (shkollë e mesme), 9 shkolla fillore myslimane, 3 shkolla fillore jomyslimane, 24 çezme, 1 rezidencë qeveritare, 1 zyrë telegrafi, 2 spitale, 2 kisha dhe 1 sinagogë. Përveç kësaj, para Portës së Beogradit ndodhej tyrbja e Dervish Babait dhe ajo e Zahide Baxhës.[14]

Qendra e Nishit

Xhamitë dhe mesxhidet[15]

Numri i monumenteve të vakëfeve që u ndërtuan dhe u regjistruan në Serbi, në Mal të Zi dhe në Sanxhak (Jugosllavinë e re) gjatë periudhës osmane ishte 1 140. Ndërsa numri i monumenteve që kanë arritur ta ruajnë ekzistencën e tyre deri në ditët e sotme është 30.[16] Evlija Çelebiu kur përmend xhamitë e Nishit, veçanërisht thekson xhaminë e Muradit të I dhe ato të Musli Efendiut e Hysejin Kethudasë, të cilat kishin një strukturë të thjeshtë arkitekturore dhe ndodheshin në qendër të pazarit të Nishit.[17] Sipas përshkrimit të Hans Dernschwam-it[18], nuk kishte mure rreth qytetit të Nishit. Sidoqoftë, gjatë asaj kohe Nishi ishte një vend i fortifikuar[19] dhe kishte 3 xhami me minare që i ngjanin kullës.[20]

Xhamitë që ndodheshin në Nish ishin këto: xhamia e Abdi Dede-Koprubashit, e Damad Mehmed Pashës[21], e lagjes “Debbaghane”[22], e Lagjes Re (Xhedid Mahallesi)[23], e lagjes “Beograd” (Belgrad Mahallesi)[24], e Edirneli Bali Reis Beut[25], e Shehid Osman Pashës[26], e kishës Fethije-Hudavendigar, mesxhidi i Haxhi Balaban-Koprubashit, xhamia e Haxhi Mustafait dhe Haxhi Durmushit[27], e Haxhi Mukbilit[28], e Haxhi Mustafait që ndodhej në kala të Nishit[29], e lagjes “Haxhi Bekir”[30], e Haxhi Ebubekirit, e Haxhi Hysejnit, e Haxhi Muslihiddinit, e Haxhi Piri Beut; xhamia e Haxhi Sulejmanit dhe zavija e tij, xhamia e Hamza Beut[31] dhe mensa publike. Xhamia e Varoshit që ndodhej brenda Portës së Stambollit në kalanë e Nishit[32], xhamia e Teqes që ndodhej në kala të Nishit,[33] e Burmalis[34], e Husejin Kethyda dhe e Islam Agës.[35] Xhamia e Mehmed Bin Mihal Koçi Beut, e Mehmed Bin Minnetit, që njihet edhe si xhamia e Musliut ose Muslis (Evliya Çelebiu flet me lavdi për këtë xhami).[36] Xhamia e Sulltan Sulejman Hanit që ndodhej në kala të Nishit,[37] xhamia Fethiye e ndërtuar nga Sadrazam Jegen Mehmed Pasha,[38] e Bajraklisë e cila rinovua nga Osman Pasha,[39] e Veziriazam Osman Pashës që ndodhej në lagjen “Tashgir” në periferi të kalasë së Nishit,[40] mesxhidi i sheh Sulejmanit ose xhamia e sheh Sulejmanit (kjo xhami njihej edhe si xhamia e sheh Sulejmanit që ndodhej në lagjen periferike “Tashkopru”). Xhamia e Terzi Bashë Haxhi Durmushit, mesxhidi i Teqesë,[41] xhamia e Jahja Pashës[42] dhe xhamia e Jegen Mehmed Pashës ishin xhamitë e tjera të njohura.[43]

Xhamia brenda kalasë

Me sa duket kjo xhami me kalimin e kohës u shkatërrua dhe u rindërtua. Xhamia në oborrin e gjerë të kalasë duhet të jetë rindërtuar pas viteve 1717-1739 pasi osmanët humbën përballë Vjenës. Në fillim të shek. XVIII, austriakët duke pushtuar disa toka osmane dogjën dhe shkatërruan të gjithë Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën. Por, duhet theksuar se data e saktë e ndërtimit të kësaj xhamie nuk mund të përcaktohet. Megjithatë, duke u nisur nga mbishkrimet, kalaja dhe fortifikata e saj mendohet se janë ndërtuar në kohën e Sulltan Mexhidit në vitin 1852. Por, duke parë mjeshtërinë e shkëlqyeshme, kangjellat me topuz të stolisur në xhami, duket se kjo i përket fundit të shek. XVII dhe fillimit të shek. XVIII. Diçka është e sigurt se kjo xhami nuk duket si një ndërtesë e shek. XIX. Kjo, për faktin se porta e kalasë që u ndërtua në shek. XIX ishte e një stili shumë më ndryshe dhe kështu me radhë. Xhamia, edhe pse në katër anët e saj ishte e rrethuar me tulla, ishte e ndërtuar me gurë të gdhendur dhe ka ekzistuar si e tillë deri para pak kohësh. Ayverdi thekson se në një kohë të afërt në të dyja anët e saj ishin shtuar nga dy dhoma. Shtesat e lartpërmendura nuk përmenden në librin e Minnettit që u botua në vitin 1923. Në vitin 1964 ndërtesat e shtuara ishin hequr. Restaurimi i xhamisë më 1977 ishte shumë i ngadaltë, për të krijuar përshtypjen se artefaktet (veprat) osmane mbroheshin me kujdes.[44]

Në vitet e fundit të sundimit osman në Nish ndodheshin 19 xhami.[45] Një nga dy xhamitë që arriti të mbijetojë deri në kohët tona, u shkatërrua më 1896 nga një përmbytje e fortë.[46] Kjo xhami u restaurua midis viteve 1970-1980. Ndërsa xhamia e Islam Agës u dogj nga grupe radikale serbe si rezultat i trazirave në Kosovë, më 17 mars 2004.[47] Xhamia e Islam Agës pasi u restaurua momentalisht është e vetmja xhami funksionale në Nish.

Teqetë, zavijet[48] dhe tyrbet

Teqeja bektashiane dhe teqetë e Zahide Baxhës dhe të Hajdar Kethydas që ndodheshin në kryeurë (Köprübaşı) në Nish, përmenden në mënyrë të veçantë nga Evlija Çelebiu. Këtu gjendej edhe një çezmë e teqesë së Hajdar Kethydas. Sërish në afërsi të kësaj teqeje ndodhej tyrbja, e cila me shumë gjasa ishte e Mihalzâdes që vinte nga familja e njohur Mihalogullari.[49] Madje, përveç kësaj janë identifikuar disa monumente kulture si, zavija e Ali Beut, të birit të Mihalzâdes, së bashku me teqenë e Dervishëve, mensën popullore, dhe pusin e tij,[50] zavija e Haxhi Sulejmanit, teqeja e Koprubashë (kryeurës),[51] teqeja (e tarikatit) Halveti e sheh Sejjid Mustafasë, tyrbja e sheh Ibrahim Durdi Babasë,[52] një teqe Halveti dhe një teqe (e tarikatit) Sadi në qytezën e Leskovcës[53] si dhe zavija dhe tyrbja e Isa Beut në Vranjë.[54]

Hamamet dhe çezmat

Një pjesë tjetër e monumenteve të kulturës së periudhës osmane që gjenden në Sanxhakun e Nishit janë hamamet (banjat publike) dhe çezmat (burimet publike të ujit). Në shek. XVI në Nish ndodheshin dy hamame. Më vonë Hysein Sipahiu, duke marrë leje nga beu i Sanxhakut të Smederevës dhe nga gjykatësi i Nishit, ndërtoi edhe një hamam tjetër në qytet.[55] Emrat e monumenteve të kësaj natyre që u identifikuan janë këto: hamami i Ali Beut, të birit të Mihalzâdes, hamami i Ali Beut, të birit të Mihalit, hamami i Mehmedit, të birit të Minnet Beut, çezma e Hajdar Kethyda[56], e Jusuf Beut dhe sebili[57] i Zahide Baxhis. Evlija Çelebiu identifikon se çezma e Hajdar Kethyda ishte e famshme dhe qe ndërtuar gjatë viteve 1590-1591, ndërsa ajo e Jusuf Beut ishte ndërtuar rreth viteve 1627-1628. Çelebiu gjithashtu identifikoi se atje ndodhej edhe tyrbja e Zahide Baxhës.[58] Madje në Leskovc ndodhej edhe hamami i Hysen Agës,[59] ndërsa në Pirot ndodheshin dy hamame private[60] dhe një hamam ndodhej edhe në Vranjë, vend ku gjendej edhe një çezmë.[61]

Vakëfet dhe çifligjet

Nga të dhënat e viteve 1521-1523 dhe viteve të mëvonshme, në Nish janë identifikuar 13 vakëfe. Ato janë: vakëfi i Ali Mihail Beut, i Sulejman Pashës, i Mehmet Minet Beut, i Mehmedit që ishte i biri i Mihal Koçit, vakëfi i zonjës (Hanëm) Çiçek bashkëshortes së bukëpjekësit Sinan, i Abdi Dedes, i Haxhi Ballabanit, i Hoxhë Ibrahimit, i Hamza Xherrahit, i Haxhi Durmushit, i Bali Jadranlisë, i Mustafa Babait[62] dhe vakëfi i Abdurrahmanit, i biri i Hyseinit.[63] Kurse çifligjet që ndodheshin në Nish dhe që i kemi identifikuar janë gjithsej 48. Ato janë: çifligu i Haxhi Davudit,[64] i Mustafa Beut, i Haxhi Hafizit,[65] i Abdylkerim Beut[66], i Kanaviçes[67], i Lalanxhes[68], i Agus Agës, i Rashid Agës[69], i Molla Omerit[70], i Imamit[71], i Binalisë, i Emin Agës, i Hasan Beut, i Maxhikut, i Turnës, i zonjës Kiremithane, i Skënderit, i Koprylys, i Çolak Ahmedit, i Moju Agës, i Kostadinit, i Mahmud Pashës[72], i Ahmet Beut, i Ali Agës, i Xhedid Ibrahim Beut, i Egriderelis, i tyrbes Ene, i Haxhi Aliut, i Haxhi Memishit, i Haxhi Mirasit, i Haxhi Nabiut, i Hafiz Agës, i Karabaxhak Bahçes, i Kara Ibrahimit, i Korishkës, i Kirkestos, i Koseoglu Sherif Agës, i Kostës, i Kullës, i Mehmet Burxhus, i Muhammed Beut, i Musli Mehmed Agës, i Orsofçës, i Polilolait, i Softait, i Shishman Arifit, i Terzi Ali Agës dhe i Tuzxhu Hasan Agës.[73]

Imaretet[74] (mensa publike) dhe hanet (hotele)

Një ndër njësitë e komplekseve osmane në Nish që zënë një vend shumë të rëndësishëm janë imaretet apo mensat publike dhe hanet. Nga këto janë identifikuar vetëm dy prej tyre. Dhe ato janë imareti apo mensa publike e Mehmetit i biri i Minnet Beut dhe hani i Memi Çavushit.[75] Por Evlija Çelebiu kishte identifikuar edhe një han te pazari në Pirot.[76] Në lidhje me hanet e Perandorisë Osmane kemi të dhënat e udhëtarit Busbecq, i cili shprehet se:

Herë pas here jam strehuar në hanet osmane të cilat janë godina shumë të gjëra dhe mjaft impozante me dhoma gjumi të ndara. Çdo kush ka të drejt të qëndroj në to qoftë i krishterë apo Hebre, i pasur apo i varfër dera është e hapur pa dallim për të gjithë. Këto ndërtesa shfrytëzohen nga pashallarët dhe sanxhakbejlerët kur këta janë në udhëtim. Mua gjithmonë më është ofruar mikpritje bujare sikurse të ishte pallat mbretërorë. Është zakon ti ofrohet ushqim të gjithëve që vendosen aty ndaj kur vinte koha e drekës një shërbëtor paraqitej me një pjatë druri tejet të madh gati sa një tryezë në mes të së cilës gjendej një enë me qull elbi me një copë mish në të. Rreth enës kishte kuleç buke e dojë herë edhe një copë huall mjalti”.[77]

Kalatë – kështjellat

Kalaja e Nishit kishte tri porta. Porta kryesore quhej Porta e Stambollit, në të djathtë të saj ishte Porta e Vidinit, ndërsa në të majtë gjendej Porta e Beogradit.[78] Nga informacionet që përmenden në referenca kuptohet se kalaja e Nishit ekzistonte edhe para osmanëve. Kështu që historiani i kryqëzatave të para, Tureli William e përmend kalanë e Nishit duke e përshkruar atë si një kala që kishte mure të forta me një garnizon të shkëlqyeshëm dhe kështjellat e saj të mrekullueshme.[79] Restaurimi i kalasë së Nishit në periudhën osmane dhe kthimi i saj në përdorim, me shumë mundësi mund të jetë realizuar në vitin 1619 gjatë periudhës së ndërtimit të urës së gurit në Nish.[80]

Informacioni i detajuar që jep Evlija Çelebiu rreth kalasë së Nishit, paraqitet edhe si një orientim i brendësisë së qytetit. Historiku i saj shtrihet deri në mes të shek. XVII, më saktësisht i përket vitit 1660. Ai përmend se brenda kalasë së Nishit, në atë kohë nuk kishte asnjë ndërtesë dhe se brenda saj ishte një shesh që ngjasonte me oborrin e një hani.[81] Kjo kala pozicionohej në rrafshinën e bregut të majtë të lumit (Nishava), që shtrihej në pjesën kryesore të qytetit. Ndërsa sot, në bregun e djathtë ekziston një kala e shek. XIX në formën e një kampi të gjerë ose më saktë është një fortifikatë. Në oborrin e saj ekziston një xhami, e cila u përmend më lart. Për më tepër, me traktatin e Pozharevcit (1718) për shkak se gjysma e veriut të Serbisë i mbeti Austrisë, osmanët duke përdorur teknika të reja deri në vitin 1723 në Nish ndërtuan një kala shumë të madhe.[82] Në anën e lumit të kalasë instaluan 25 artileri topash.[83] Ayverdi jep këto informacione rreth kalasë. Ajo ishte shumë e gjerë, në të ndodhej një kamp ushtarak me shumë porta të llojit fortifikatë të shek. XIX. Muret e saj ishin të hollë dhe nuk kishte pikë shkarkimi për ujërat apo zbrazëtirat natyrore, nuk kishte as vend dalje nga muret e kalasë e as kulla. Përkundrazi, muret ishin të tërthortë, poshtë tyre kishte vendstrehime nëntokësore, ato ishin të mbuluara me një bastion të trashë toke që do të pengonte efektin e gjyleve të artilerisë (topave). Përveç kësaj, në kala kishte një arsenal lufte, shumë ndërtesa të përdorura si depo, hamame, xhami dhe një rezidencë. Porta e kalasë ishte e ndërtuar me gurë dekorativë, të zbukuruar në mënyrë të përshtatshme me traditën osmane. Trashësia e portës ishte e tepërt. Në mes kishte një tarracë rojesh dhe nga dy dhoma në pjesën e përparme dhe të pasme. Ndërtimi i saj ishte plotësisht me gurë dekorativë, gjithashtu edhe ana e brendshme e saj. Dhomat e pasme kishin dritare që ishin të pajisura me kangjella. Mënyra e harqeve të dritareve nga të dyja anët, struktura nga fundi deri në fillim, vendi ku qëndronin rojet kryesore dhe stili i përpunuar i kangjellave në pjesën e pasme nuk i ngjasonte një arkitekture të shek. XIX. Këto, duke përfshirë xhamitë dhe banjat publike (hamamet) ishin monumente të ndërtuara në fundin e shek. XVII ose në fillimin e shek. XVIII.[84]

Në fillim të shek. XIX gjegjësisht në vitin 1837 edhe Ami Boue[85] e përshkruan kalanë e Nishit duke shtuar se:

“Nishi ka një kala të vogël por të rëndësishme, e cila gjendet në një fushë në mes të së cilës kalon lumi Nishava. Ky qytet dominohet nga ana jugperëndimore dhe ka kodrinat larg fortesës. Kalaja ndodhet në bregun verior të lumit dhe ka bedena mjaft të lartë për t’u mbrojtur nga dëmtimi. Qyteti është i rrethuar nga një ledh shumë i ulët, mirëpo dikur ka qenë i rrethuar me gardh, ndërsa te porta duken ende frëngji për vendosjen e topave me përjashtim të pjesës nga ana e lumit. Kalaja e Nishit është e rrethuar nga një hendek i veshur me tulla dhe bastione të shumta të mëdha dhe të larta në forma tetëkëndore apo gjashtëkëndore, muret e së cilës janë në gjendje të mirë dhe mbi të cilat ka frëngji për vendosjen e topave. Aty-këtu ka roja, kurse në njërën anë të kalasë mund të numërohen 25 topa. Më tej, nga muret e kalasë në drejtim të lumit gjendet një gardh i formuar me trarë të mëdhenj mjaft të lartë dhe qytetin me kalanë e lidh një urë e drunjtë”.[86]

Informacione të tjera që jep Ayverdi rreth kalasë janë këto: sipër portës së kalasë ndodhet një mbishkrim të cilën ai nuk kishte mundur ta lexoj. Në veri të saj në anën ku ndodhej Porta e Beogradit dy cepat e saj ishin ndërtuar me kolona të harkuara, korniza mes kolonave ishte stolisur me tulipanë dhe bozhure. Stolisjet e vijëzimeve ishin gjithashtu një thyerje baroke. Në anën jugore ekziston një portë e quajtur porta e ujit (Su kapısı) që mbart një mbishkrim në gjuhën frënge “Pres de l’Eau (Pranë ujit)” dhe serbe. Porta ishte në anën e jashtme të kalasë, në fotografi dallohej edhe një pjesë e fortifikatës. Në anën e kësaj porte ishte ndërtuar edhe një amfiteatër i hapur. Mburojat dhe fortifikimet vazhdonin të ishin të lidhura me rrugë dredha-dredha si kthesa gjarpri me njëra-tjetrën. Lartësitë e tyre ishin shumë më të mëdha sesa duken tani. Rrënojat që dolën nga zonat përreth kishin mbushur rrugët. Disa prej tyre ishin bërë vend lojërash për fëmijë.[87] Në kala kishte dy hamame që shërbenin me ujë të nxehtë dhe një hamam që shërbente me ujë të ftohtë. Edhe pse muret anësore janë ndërtuar nga njëra anë me tulla të dyfishta, dhe nga ana tjetër me gurë dekorativë, i ftohti ishte i ndjeshëm. Në kala ishte ndërtuar një rezidencë (konak) për komandantin e kalasë, që i përkiste pashait. Por ajo është shkatërruar dhe momentalisht është vetëm porta e saj dhe gërmadhat e ndërtesës. Në këtë portë ka nga një një mbishkrim me emrin e pallatit në frëngjisht dhe serbisht. Dhe sipër saj ndodhet një ndërtesë e vogël, e cila mbart mbishkrimin që në gjuhën serbe do të thotë “Këtu qëndron Kapiteni Turk Pasha”. Madje, atje kishte edhe tri ndërtesa hambari. Njëra prej tyre i kishte dritaret e ngushta, ndërsa dy të tjerat i kishin të vogla.[88] Në kala ka edhe një depo ku është prodhuar apo mbajtur baruti (baruthane), që ishte ndërtuar në periudhën e Sulltan Mexhidit. Dyshemetë e saj kishin mbetur nën nivelin e rrugës aktuale. Nga gjashtë ndarje të harkuara në bodrumin kryesor hyhet përmes ndarjes së mesme. Pothuajse e gjithë ndërtesa ishte ndërtuar prej tullash. Vetëm se ndarjet kanë mbetur rrënoja. Në hyrje të depos së barutit ishte vendosur një mbishkrim greqisht (fronten). Lart ishte e mbuluar me tjegulla. Sipër mbi portë ndodhej një mbishkrim kaligrafik i veçantë osman me stil talik me firmën (tugrën) e Sulltan Mexhidit.[89] Lidhur me kalanë, në një dokument të vitit 1854, ndodhet një vizatim në formë harte, që paraqet restaurimin e saj.[90] Madje në kazatë e Sanxhakut të Nishit kishte edhe dy kala të tjera. Njëra prej tyre ishte kalaja e Pirotit[91], ndërsa tjetra ishte kalaja e Vranjës.[92]

Urat

Në zonën e Nishit janë identifikuar emrat e tri urave: e Mehmed Pashës, e Ak’ut (e bardhë) dhe Hysein Pashës. Ura e Mehmed Pashës ndodhet në Nish. Evlija Çelebiu tregon se data e ndërtimit të kësaj ure i përket vitit 1619. Ajo është e vendosur në mes të qytetit mbi lumin (Nishava). Lagjja e përmendur si Koprybashë që ishte buzë lumit ka shumë gjasa të jetë quajtur si e tillë, ngaqë ishte bazuar në këtë urë.[93] Gjatë viteve 1617-1618, lidhur me rinovimin e urës së kasabasë së Nishit, e cila ndodhej në skaj të rrugës dhe ishte në shkatërrim e sipër, për kadiun e Pirotit është lëshuar vendimi nr. 247 i regjistrit (Mühimme Defteri)[94] nga Këshilli i Lartë në Stamboll. Nga një kopje e këtij vendimi i është dërguar edhe kadilerëve të Nishit, Banjës, Isfirlikut, Prokuplës, Krushevcit, Leskovcit, Koznikut, Bovnës, Paraqinit, Medvegjës dhe Timokut. Më tej, në këtë vendim theksohet se duhet ndihmuar me punëtorë krahu nga vendet e lartshënuara Mustafai, i cili ishte i përzgjedhur nga Porta e Lartë për rinovimin e urës. Në po të njëjtin regjistër është vendimi tjetër nr. 248 drejtuar kadilerëve të Sanxhakut të Krushevcit dhe kadiut të Nishit, për të arkëtuarat e vitit të kaluar nga vendet e lartpërmendura që të jepen për shpenzimet e rinovimit të urës së Nishit. Më tej, në regjistrin në fjalë është vendimi nr. 250 drejtuar nëpunësit financiar të Shkupit në lidhje me plumbin e nevojshëm për rinovimin e urës së Nishit: “Kur të vijë personi i autorizuar nga Mustafai, nëpunësi financiar i Shkupit t’i japë plumbin e nevojshëm me çmim të arsyeshëm dhe pa ia dorëzuar këtë plumb të mos iu bëhen shitje të tjerëve”. Gjithashtu edhe një kopje për kadiun e Leskovcës:

“Sado që nevojitet hekur kur të vijë personi i autorizuar t’i jepet hekuri që është kërkuar”.

Dhe, vendimi i fundit për këtë çështje është nr. 251 i po të njëjtit regjistër, i cili ka të bëjë me dërgimin në Nish të sa më shumë punëtorëve të kualifikuar dhe marangozëve nga Sanxhaku i Krushevcit përmes personit të autorizuar nga Mustafai, për të punuar për një tarifë ditore në rinovimin e urës.[95] Në vitet 1618-1619 nxirret sërish një vendim me nr. 301, në lidhje me rinovimin e urës së Nishit, i cili i drejtohet Mustafait nga Kormani. Në këtë vendim thuhet se i përzgjedhuri Mustafa Kormani, i cili ka treguar përpjekje dhe përkushtim të admirueshëm në rinovimin e urës së Nishit, të vazhdojë punën kështu siç ka punuar gjer më tani deri në përfundimin final të saj.[96] Kurse Ura e Bardhë (Ak köprü)* ndodhet në Vranjë, e ndërtuar mbi përrenjtë e fshatit Vranjë. Ajo është 4,95 m e gjatë dhe është me një ndarje (hark). Kjo urë është ndërtuar me gurë dekorativë. Mesi i urës është i shndritur. Në anën e brendshme të saj ishte shënuar “Ja Hafiz” (o Ruajtës), në dy anët e tjera ishte një mbishkrim i shënuar me katër rreshta. Megjithatë vakëfi ishte identifikuar si i zonjës Ajshe dhe i përkiste vitit 1844.[97] Edhe ura e Hysein Pashës gjendet në Vranjë ashtu si Ura e Bardhë dhe është e gjatë 4.9 m, por si pasojë e përmbytjeve të mëdha që ndodhën para vitit 1929 u prish harku i urës. Më pas në vend të saj u ndërtua një urë e vogël prej druri.[98]

Përfundime

Si përfundim mund të themi, se Perandoria Osmane e ka administruar Sanxhakun e Nishit për një periudhë gati pesëshekullore. Duke u bazuar në burimet arkivore osmane, veprat e botuara dhe studimet në terren dalin në shesh shumë monumente kulturore dhe sociale të asaj periudhe. Numri i monumenteve të vakëfeve që u ndërtuan dhe u regjistruan në Serbi, në Mal të Zi dhe në sanxhak (Novi Pazar) (Jugosllavinë e re) gjatë periudhës osmane ishte 1140, ndërsa numri i monumenteve që kanë arritur ta ruajnë ekzistencën e tyre deri në ditët e sotme është 30. Vetëm në Nish përmendet se janë shkatërruar gjithsej 23 xhami, dy medrese, 4 mektebe, 7 teqe, dy mensa publike, një han, dy hamame, tri çezma, një kala dhe një urë.[99] Prandaj shifrat që janë dhënë në punim nuk do të thotë medoemos të nxjerrin të gjitha monumentet e asaj periudhe, sepse ka ende shumë dokumente nëpër arkiva të ndryshëm që pritet në të ardhmen që studiuesit t’i shfrytëzojnë për t’i plotësuar, por megjithatë shpresojmë që sadopak të mbushin një boshllëk në këtë fushë. Duhet theksuar se, faktorët kryesorë në shkatërrimin e trashëgimisë arkitekturore të periudhës osmane ishin luftërat dhe kanuni, ose i ashtuquajturi ligji 12 pikësh i Vasojeviçit i miratuar nga fundi i vitit 1829 dhe gjysma e parë e vitit 1830.[100] Ky ligj, i përbërë prej 12 pikave kryesore dhe 27 nënpikave është mjaft i rëndësishëm dhe mund të thuhet se është organizimi i parë dhe prijatar i projekteve të mëvonshme serbe për dëbimin me dhunë të popullsisë, kryesisht myslimane shqiptare. Këtu do të cekim vetëm një nga këto pika të ligjit që ka të bëjë me asgjësimin e monumenteve kulturore. Pika e dytë nr. 3 e ligjit të Vasojeviçit thotë:

Xhamia të reja mos të ndërtohen, kurse të vjetrat duhet shkatërruar”.[101]

Nga kjo pikë, me sa duket, serbët duhet të jenë ndikuar shumë dhe me një hulumtim të thjeshtë shihet se me qindra monumente kulturore të periudhës osmane janë shkatërruar në Serbi.[102] /Studime Historike/Telegrafi/

Tabela 1: Ndërtesat e periudhës osmane në sanxhakun e Nishit të vitit 1868.[103]

Numri i shtëpive, dyqaneve dhe ndërtesave tjera në sanxhakun e Nishit

Lloji i pasurive të paluajtshme
Znepol
Pirot
Leskovc
Pokuple
Vranjë
Nish
Totali
Xhami
2
7
6
4
4
18
40
Shtëpi
237
1853
1951
886
1759
3077
9763
Dyqane
29
910
876
223
814
1389
4241
Depo
1
79
22
1
7
50
160
Hane (bujtinë)
12
30
27
13
12
75
169
Hamam
2
1
1
1
4
9
Mullenjë
9
11
29
23
5
77
Furra
3
35
34
16
52
140
Punishte lëkure
1
3
12
2
5
26
49
Mejhane
21
119
2
72
47
261
Stacion policor
18
18
Kazermë dhe uzinë artilerie
10
10
Depo municioni
7
7
Ësllahane (shkollë profesionale)
1
1
Zyra Telegrafi
1
1
1
1
4
Spitale
1
1
Fabrika
4
35
1
14
54
Kazerma
4
4
Hambar
2
11
2
19
38
Rezidenca
1
1
1
1
4
Gjykata
1
1
Dogana
1
1
Sahat kulla
1
1
1
1
1
5
Medrese dhe mensa popullore
3
2
1
2
8
Mejtepe
6
4
1
3
14
28
Teqe dhe tyrbe
3
13
2
6
10
34
Kisha dhe sinagoga
2
2
1
1
1
2
9
Vend argëtimi (Gazino)
3
3

Tabela 2: Monumentet e periudhës osmane në sanxhakun e Nishit.[104]

Qytetet
Xhami
dhe
Mesxhide
Medrese
Shkolla
Teqe
Mensa
popullore
Hane
(bujtina)
Hamame
Tyrbe
Ura
Kala
Karvan
saraja
Çezma
Sebil
Krua
Nish
25
2
4
7
2
1
2
1
1
1
2
1
1
Leskovc
8
1
2
1
Vranjë
5
1
1
2
1
Pirot
2
7
1
2
Prokuple
3
Total
43
3
11
9
2
2
6
1
3
1
1
3
1
1

 Tabela 3: Monumentet kulturore të periudhës osmane që janë shkatërruar në sanxhakun e Nishit.[105]

Qytetet
Xhami
Medrese
Mejtepe
Teqe
Mensa
popullore
Hane
Hamame
Çezma
Kala
Ura
 
Nish
23
2
4
7
2
1
2
3
1
1
Pirot
2
7
1
1
Prokuple
2
Total
27
2
11
7
2
2
3
3
1
1

 Fig. 1. Kalaja e Nishit, xhamia dhe hamami që gjenden brenda saj.[106]

  

 Fig. 2. Ura e vogël në Leskovc mbi lumin Veternica, hamami dhe Ura e Bardhë (Ak) (ura e zonjës Ajshe) në Vranjë.[107]

___________________

[1] Külliye (kompleks) quhet grupi i ndërtesave me funksione të ndryshme si medrese, mensë publike, hamam, spital, bibliotekë etj., të formuara nga kombinimi i disa strukturave të cilat në qendër kishin një xhami të madhe. Për më tepër shih: Ahmet Vefa Çobanoğlu, “Külliye”, Diyanet İslam Ansiklopedisi (më tej: D.İ.A.), c. XXVI, Ankara: Türkiye Diyanet Vakfı (më tej: T.D.V.) Yayınları, 2002, f. 542-544.

[2] Şemseddin Samî, “Niş”, Kâmûsu’l-A’lâm, c. VI, İstanbul: Mihran Matbaası, 1898, f. 4631.

[3] Fersah – distancë matëse katër orë rrugë ose distancë deri 5 km largësi. Şemeddin Samî, Kâmûs-ı Türkî, İstanbul: Yeditepe, 2015, f. 989.

[4] Enver Ziya Karal, Büyük Osmanlı Tarihi, c. III, Ankara: Türk Tarih Kurumu (më tej: T.T.K.) Yayınları, f. 267.

[5] Machiel Kiel, “Niş”, D.İ.A. c. XXXIII, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2009, f. 147.

[6] Stanoje Stanojevič, “Niş”, Narodna Enciklopediya Srpsko-Hrvatsko-Slovenaçko, s. 3, Zagreb: Bibliografski Zavod D.D., 1928, f. 113.

[7] Vladimir Aleksič (Владимир Алексић), “Povlastice Grada Niša na Kraju XII. Veka (Повластице Града Ниша на Крају ХII. Века)”, Niš i Vizantija X. (Ниш и Византија Х.), ed. Миша Ракоциуа, Niş: Симпозиум, Niş 3-5 Juna 2011-2012, f. 540.

[8] Konstantin Yosif İreçek, Belgrad – İstanbul – Roma Askeri Yolu, Ankara: Kültür Bakanlığı Yayınları, 1990, f. XI.

[9] Kervansaray (Karvansaraj) quhen objektet e ndërtuara me gurë dhe që gjendeshin kryesisht afër rrugëve kryesore, vende rezidente për akomodimin e udhëtarëve në vendet tregtare, për të pushuar karvanët dhe për të qëndruar mallrat derisa t’i dorëzoheshin pronarëve apo tregtarëve. Shih: Mehmet Zeki Pakalın, Osmanlı Tarihi Deyimleri ve Terimleri Sözlüğü, c. III, İstanbul: Milli Eğitim Bakanlığı (me tej: M.E.B.), 1971, f. 245; për më tepër rreth Karvansarajit Shih: Şebnem Akalın, “Kervansaray”, D.İ.A., c. XXV., Ankara: T.D.V. Yayınları, 2002, f. 299-302.

[10] Ogier Ghiselin de Busbecq, Life and Letters of Ogier Ghiselin de Busbecq, v. I, London: C. Kegan Paul & Co., 1 Paternoster Square, 1881, f. 96-97.

[11] Evliya Çelebi, Seyahatname, c. V, İstanbul: İkdam Matbaası, 1896, f. 363.

[12] M. Kiel,“Niş …”, f. 149.

[13] Fjala salname rrjedh nga gjuha perse dhe përbëhet nga dy fjalë: sal që do të thotë vit dhe name që do të thotë shkresë, libër. Përkthimi i saj në gjuhën shqipe do të thotë vjetar. Salnametë janë punime të cilat trajtojnë ngjarjet e rëndësishme të së kaluarës dhe gjendjen e tyre, si dhe tregojnë vitet që i përkasin atyre në formë kronologjike. Salnametë janë përgatitur për qëllime të ndryshme. Për më tepër shih: ‘sal-nâme’, İslam Ansiklopedisi (më tej: İ.A.), Millî Eğitim Bakanlığı (më tej: MEB) Yayınları, c. X, İstanbul: 1978, f. 134; Bilgin Aydın, “Salname”, D.İ.A., c. XXXVI, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2009, f. 51-54; Mead Osmani, “The Kaza of Preşevo According to the Salname of the Vilayet of Kosovo in 1896 (H. 1314)”, The Journal of Balkan Studies, c. XI, Bursa: S: 1/ 2015, f. 49-61.

[14] Salnâme-i Vilâyet-i Prizren, H.1291 (M.1874), 2 defa, f. 99-100.

[15] Mesçid quhen xhamitë e vogla, të ndërtuara kryesisht prej druri në lagje të ndryshme, vend për t’u lutur. Shih: Mehmet Zeki Pakalın, Osmanlı Tarihi Deyimleri ve Terimleri Sözlüğü, c. II, İstanbul: M.E.B., 1971, f. 488; Ferit Develioğlu, Osmanlıca – Türkçe Ansiklopedik Lugat, Ankara: Aydıb Kitapevi, 2009, f. 625.

[16] Mehmet İbrahimgil, “Eski Yugoslavya”, Günümuz Dünyasında Müslüman Azınlıklar, III. Kutlu Doğum İlmi Toplantısı, İstanbul: T.D.V. İslam Araştırmaları Merkezi (më tej: İSAM) Yayınları, 1998, f. 157.

[17] Başkanlık Osmanlı Arşivi (më tej: B.O.A.), Evkaf Defteri, No: 13839/3; Çelebi, Seyahatname, c. V, f. 363; M. Kiel,“Niş …”, f. 148.

[18] Hans Dernschwam ishte një udhëpërshkrues gjerman, i cili erdhi në Stamboll gjatë sundimit të Sulltan Sulejmanit I, shkoi gjer në Amasya dhe shkroi një libër udhëtimesh. Për më tepër shih: Semavi Eyice, “Dernschwam de Hradiczin, Hans”, D.İ.A., c. IX, İstanbul: T.D.V. Yayınları., 1994, f. 182-183.

[19] Hans Dernschwam, İstanbul ve Anadolu’ya Seyahat Günlüğü, Ankara: Kültür Bakanlığı Yayınları, 1992, f. 25.

[20] Po aty, f. 27.

[21] Ekrem H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari Eserleri Yugoslavya, c. III, 3. Kitab, İstanbul: Bilmen Basımevi, 1981, f. 129.

[22] B.O.A., Hatt-ı Hümayûn, No: 1605/11.

[23] Po aty, Evkaf Defteri, No: 13839/5.

[24] Po aty, Evkaf Defteri, No: 13839/3.

[25] Po aty; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 129.

[26] B.O.A., Evkaf Defteri, No: 13839/2.

[27] Vakıflar Genel Müdürlüğü Arşivi (më tej: V.G.M.A.), Defter No: 731, sene H.1142 (M.1729), sayfa no 2, sıra no 2.

[28] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 130.

[29] B.O.A., Hatt-ı Hümayûn, No: 1529/41; po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1500/4; po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1514/57; po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1514/64.

[30] Po aty, Evkaf Defteri, No: 13839/3.

[31] Po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1533/78; po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1534/27; po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1550/52.

[32] Po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1572/40.

[33] Po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1589/34; po aty, Evkaf Defteri, No: 13839/4.

[34] Po aty, Evkaf Defteri, No: 13839/3.

[35] Goran Milosavlevič (Горан Милосавлевић), “Niške Džamije u Osmanskim Popisima i Delima Putopisaca, (Нишке Џамије у Османским Пописима и Делима Путописаца: Пет Векова Доминације Ислама)”, Zbornik (зборник), Niş: br. 22, 2013, f. 105; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 130.

[36] Po aty, f. 131.

[37] B.O.A., Hatt-ı Hümayûn, No: 1526/20759.

[38] Po aty, İrade-i Meclis-i Vâlâ, No: 527/23661.

[39] Po aty, İrade-i Meclis-i Vâlâ, No: 529/23724.

[40] Po aty, Hatt-ı Hümayûn, No: 1626/6.

[41] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

[42] B.O.A., Evkaf Defteri, No: 13839/4.

[43] Po aty, İrade-i Meclis-i Vâlâ, No: 549/24651; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

[44] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 131.

[45] M. Kiel, “Niş …”, f. 149.

[46] A. Cevdet Eren, “Niş”, İ.A., c. IX, İstanbul: M.E.B., 1964, f. 297.

[47] M. Kiel,“Niş …”, f. 149.

[48] Zaviye quhen teqetë e vogla që janë ndërtuar kryesisht në periferi të qyteteve dhe kasabave. Mehmet Zeki Pakalın, Osmanlı Tarihi Deyimleri ve Terimleri Sözlüğü, c. III, İstanbul: M.E.B., 1971, f. 648.

[49] E. Çelebi, Seyahatname …, f. 363-364; M. Kiel,“Niş …”, f. 148.

[50] Dimitriye Milenkoviç, Slavko Sariç, İstorija Nişa I od Najstarijih Vremena do Oslobodjenje od Turaka 1878 Godine, Niş: Gradina i Prosveta, 1983, f. 122; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

  Sipas Evlija Çelebiut teqeja e Koprubashit ishte e njohur. Ka gjasa që ajo të jetë e njëjta me teqenë e Haxhi Sulejmanit që ndodhej në lagjen “Tashkopru” (Taşköprü). Shih: E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

[52] Kjo tyrbje gjendej në lagjen e (portës) Beogradit në Nish. Kuptohet se ekzistenca e tyrbes varej nga një furrë buke që komandanti i Nishit Mahmud Pasha ia dhuroi si vakëf kësaj tyrbeje. Shih: E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

[53] Po aty, f. 94.

[54] Po aty, f. 71.

[55] D. Milenkoviç, S. Sariç, İstorija Nişa …, f. 128.

[56] Mbishkrimi i çezmës i përkiste vitit 1581. Shih: M. Kiel,“Niş …”, f. 148.

[57] Sebil quhen njësitë e veçanta arkitekturore ku uji i pijshëm shpërndahej në rrugët më të frekuentuara të qyteteve të mëdha, përgjithësisht pranë xhamive për bamirësi. Për më shumë shih: Nur Urfalıoğlu, “Sebil”, D.İ.A., c. XXXVI, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2009, f. 249-251.

[58] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132-133.

[59] Dihet se ndër vakëfet e Hysejin Agës ishin: një xhami me çati që ndodhej midis Çemberlitashit dhe Çarshikapis në Stamboll bashkë me xhaminë e vogël Ajasofia, e cila ishte ndërtuar në vend të një kishe të rrënjosur dhe hamami Çardaklis, që i përkiste një teqeje të madhe prej 36 dhomash të ndara, që ishin pranë kësaj xhamie. Hysejin Aga ishte dhe themeluesi i një hamami të dyfishtë në Kırklareli (Turqi). Ai kishte dhuruar shumë vakëfe dhe njihej si Aga i Babysades. Siç kuptohet edhe nga defterët e tahririt (regjistrat kadastralë) të ardhurat vjetore të hamamit të Hysejin Agës që ndodhej në Leskovc ishin 1.900 akçe. Mes vakëfeve që ishin ndarë për bamirësinë e Hysejin Agës ishin edhe mullinjtë dhe pronat e tjera në Leskovc që sillnin të ardhura prej 2.100 akçesh në vit. Shih: E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 94.

[60] Po aty, f. 222.

[61] Zdravkoviç në punimin e tij i kushtoi shumë hapësirë ​​Vranjes dhe ka përfshirë në te një hamam dhe një plan te nje çezmeje, mirepo nuk përmend xhamitë e Vranjës. Natyrisht që një shekull më parë të gjitha xhamitë i kishin shkatërruar serbët. Autori përmend se ndërtuesi i hamamit nuk ishte i njohur dhe se kishte gjasa që ky monument të ishte produkt i shek. XVIII dhe se gjatë viteve 1954-1955 ishte restauruar. Ka shumë gjasa që hamami të jetë vakëf i Mehmed Pashës që kishte ndërtuar dhe një xhami në Prizren, sepse Mehmed Pasha kishte shërbyer edhe si drejtues i sanxhakut të Kjustendilit dhe ndër fitimet e vakëfeve që organizoi për të ardhurat e xhamisë ishte edhe një hamam që e kishte ndërtuar në Vranjë. Për më shumë, shih: E. H. Ayverdi, Avrupa’ da Osmanlı Mimari …, f. 72.

[62] D. Milenkoviç, S. Sariç, İstorija Nişa …, f. 127.

[63] Vakëfi që ndodhej brenda kalasë së Nishit ishte themeluar nga Abdurrahmani, i biri i Hysejinit. Sipas rregullores (testamentit) së vakëfit, pasuritë që ishin dhuruar si vakëf ishin këto: xhamia e Haxhi Mustafës dhe e Haxhi Durmushit, që ishin brenda kalasë dhe kishin të ardhura 2.880 akçe kesh, ahuri në katin e poshtëm që ndodhej në pazar, shtëpia dykatëshe me dhomat në katin e sipërm dhe me stallë në katin e poshtëm, 8 dyqane afër shtëpisë, shtëpi dykatëshe me 32 dhoma në katin e sipërm dhe hambari në katin e poshtëm, shtëpi me oxhak, 3 dyqane që ishin në të njëjtin pazar dhe një çiflig në lagjen “Jagodina” që ndodhej jashtë kalasë. Kushtet e vakëfit ishin si më poshtë: për sa kohë që Abdurrahmani ishte gjallë, do të angazhohej vetë në menaxhimin dhe riparimin e vakëfit, pasi të ndërronte jetë ky angazhim do të ishte barrë për skllevërit e liruar që ishin më të aftë, të denjë dhe të drejtë ku nga të ardhurat e 3 shtëpive, 20 dyqaneve dhe një çifligu çdo vit do të shpenzonin fillimisht për menaxhimin dhe riparimin e vakëfit. Më pas, çdo ditë do të përfitonte administruesi i tij 6 akçe dhe 2 akçe në ditë do të merrte mbikëqyrësi i vakëfit, një pjesë e të ardhurave do të shpërndaheshin për kujdestarin e qirave të vakëfit, ndërsa pjesa tjetër do t’u shpërndahej të varfërve në vendet e shenjta, gjegjësisht në qytetin e Mekës dhe të Medinës. Shih V.G.M.A. Defter No: 731, viti 1142 H. (1729M.), sayfa no 2, sıra no 2.

[64] B.O.A., ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11174/2.

[65] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11174/6.

[66] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11142/2.

[67] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11157/2.

[68] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11046.

[69] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11062.

[70] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11074.

[71] Po aty, ML. VRD. Temettuât Defteri, No: 11084.

[72] Hasan Babacan, Abidin Temizer, “XIX. Yüzyıl Ortalarında Niş Sancak Merkezinde Ekonomi ve Meslekler” Osmanlı Dönemi Balkan Ekonomisi, ed. Zafer Gölen vd., Ankara: Uluslararası Balkan Tarihi Araştırmaları Komitesi Gece Kitaplığı, 2018, f. 183.

[73] Aydın Ayhan, Rumeli ve Akdeniz Adalarında Türk Varlığı, Stamboll: Doğu Kütüphanesi Yayınları, 2013. f. 321.

[74] Për më tepër shih: Zeynep Tarım Ertuğ, “İmaret”, D.İ.A., c. XXII, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2000, f. 219-220.

[75] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 132.

[76] Po aty, f. 222.

[77] O. Gh. Busbecq, Life and Letters of Ogier Ghiselin de Busbecq …, f. 98.

[78] B.O.A., İrade-i Meclis-i Vâlâ, No: 271/10478.

[79] M. Kiel, “Niş …”, f. 147.

[80] D. Milenkoviç, S. Sariç, İstorija Nişa …, f. 115.

[81] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 133.

[82] Mehmet Hacısalihoğlu, “Sırbistan”, D.İ.A., c. XXXVII., İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2009, f. 122.

[83] A. C. Eren, “Niş…”, f. 296.

[84] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari…, f. 133;

[85] Ami Boué u lind më 16 mars të vitit 1794 në Hamburg (Gjermani) dhe ka vdekur më 21 nëntor të vitit 1881 në Vjenë (Austri). Ka qenë pionieri gjeologjik austriak që nxiti bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkime gjeologjike. Ai bëri tri udhëtime në Turqi dhe publikoi gjetjet e tij gjeologjike me titull “Turqia Evropiane”; https://www.britannica.com/biography/Ami-Boue, (qasur më 22.01.2021).

[86] Ami Boue, Shqipëria në Turqinë Evropiane, përktheu Ilirjana Angoni, Tiranë: Plejad, 2011, f. 69-70.

[87] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 134.

[88] Po aty, f. 134.

[89] Po aty.

[90] B.O.A.,İrade-i Meclis-i Vâlâ, No: 271/10478.

[91] Machiel Kiel, “Şehirköy”, D.İ.A., c. XXXVIII, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2010, f. 454.

[92] Machiel Kiel, “İvranye”, D.İ.A., c. EK-1, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2016, f. 682; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 222.

[93] E. Çelebi, Seyahatname …, f. 363; E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 133; D. Milenkoviç, S. Sariç, İstorija Nişa …, f. 116.

[94]Mühimme Defterleri, janë regjistrat që përmbajnë vendimet e Këshillit të Lartë (Divan-ı Hümayun) të Perandorisë Osmane, të cilët janë përpiluar pas marrjes së miratimit nga Sulltani. Për më tepër shih: Mübahat S. Kütükoğlu, “Mühimme Defteri”, D.İ.A., c. XXXI, İstanbul: T.D.V. Yayınları, 2006, f. 520-523.

[95] 82 Numaralı Mühimme Defteri (1026-1027 / 1617-1618) (Özet – Transkripsiyon – İndeks ve Tıpkıbasım), Türkiye Cumhuriyeti Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü Genel Müdürlüğü, Osmanlı Arşivi Daire Başkanlığı yayın nu: 47, Ankara: 2000, f. 166-168.

[96] 82-1 Numaralı Mühimme Defteri (H. 1027-1028/ M. 1618-1619) (Özet ‑ Çeviri Yazı), Türkiye Cumhuriyeti Cumhurbaşkanlığı, Devlet Arşivleri Başkanlığı, yayın no: 7, İstanbul: 2020, f. 243.

* Fotografia e kësaj ure gjendet në fund të punimit te shtojca.

[97] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 72.

[98] Po aty, f. 72

[99] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 350.

[100] Ilije М. Jelića (Илије М. Јелића), Vasojevički Zakon u 12 točaka (Васојевићки закон од 12 точака), Srpska kraljevska akademija (Српска краљевска академија), Beograd (Београд): 1929, f. 5.

[101] М. Jelića, Vasojevički Zakon u 12 točaka, f. 13.

[102] Divna Đurić-Zamalo (Дивна Ђурић-Замоло), “Džamije u užoj Srbiji iz XIV-XIX veka (Цамије у ужој Србији из XIV-XIX века)”, Gradska kultura na Balkanu (XV-XIX vek) Zbornik radova (Градска Култура на балкану (XV – XIX век) Зборник Радова), Balkanološki Institut Srpska Akademija Nauka i Umetnosti (Балканолошки Институт Српска Академија Наука и Уметности), Beograd (Београд): 1984.

[103] Salnâme-i Vilâyet-i Tuna, H.1285 (M.1868), 1 defa, f. 109; të njëjtat të dhëna ndodhen edhe në salnamen e një viti më vonë. Shih: Salnâme-i Vilâyet-i Tuna, H.1286 (M.1869), 2 defa, f. 112.

[104] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 340,342,345.

[105] E. H. Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari …, f. 350.

[106] http://www.nit-istanbul.org/kielarchive/index.php (qasur më 15.03.2021).

[107] M. Kiel, “İvranye …”, f. 682.