LAJMI I FUNDIT:

Specialja tregon akuzat që rëndojnë mbi Rexhep Selimin

Specialja tregon akuzat që rëndojnë mbi Rexhep Selimin

Sekretari administrativ i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka lexuar pikat e aktakuzës të cilat e rëndojnë mbi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimin. 

Sekretari bëri të ditur se Selimi akuzohet për katër vepra penale si krime lufte dhe gjashtë tjera si krime kundër njerëzimit, transmeton Telegrafi.


“Selimi akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave”, u shpreh sekretari administrativ i Speciales.

Sekretari shtoi më tej së krimet dyshohen të jenë kryer në disa lokacione në Kosovë dhe në Shqipëri.

Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë. /Telegrafi/