Zvicër: Dënohet për vrasje të rëndë 22-vjeçari që vrau një vajzë "nga kurioziteti"


Një gjykatë në kantonin e Solothurnit e ka dënuar me burg të përjetshëm një 22-vjeçar zviceran.
Ai u shpall fajtor për vrasje të rëndë me paramendim dhe të kryer me mizori të pashoqe. Ngjarja e rëndë, e cilësuar nga trupi gjykues si një skenar rrëqethës që do të mbetet gjatë në kujtesë, ka tronditur opinionin publik zviceran për shkak të motivit krejtësisht absurd të autorit.
Sipas dosjes hetimore, krimi u krye më 8 prill 2023 në lokalitetin Bellach të kantonit të Solothurnit. Autori, i cili në kohën e krimit ishte 19 vjeç, po kthehej me një furgon nga një udhëtim.
Gjatë rrugës, atij i kishte lindur ideja e tmerrshme „se si do të ishte po t'i merrte jetën dikujt”, duke vendosur ta provonte këtë ndjesi thjesht nga „kurioziteti” dhe „etja për të vrarë”.
Viktima e tij ishte një vajzë e re, të cilën vrasësi nuk e njihte. Ajo po udhëtonte me biçikletë elektrike për te shtëpia e gjyshërve të saj. Autori e ndoqi nga pas me furgon, e goditi duke e rrëzuar, dhe kur pa se ajo u ngrit pa lëndime, e godit prapë. Pastaj vajza vdiq.
Gykata nënvizoi se i akuzuari kishte pasur mundësi të shumta të tërhiqej nga qëllimi i tij kriminal, por zgjodhi ta çonte atë deri në fund me gjakftohtësi absolute.
Gjatë seancave, autori nuk shfaqi pendesë të vërtetë, përveç disa deklaratave formale.
Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm dhe zbatim të një mase terapeutike.
Gjykata e shpalli fajtor për vrasje të kualifikuar, duke theksuar se akti plotëson të gjitha kriteret e një krimi të kryer me vetëdije të plotë. /Telegrafi.







































