JD Vance apo Marco Rubio - kë do ta mbështesë Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028?

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë privatisht donatorëve se dëshiron që zëvendëspresidenti JD Vance të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, duke sinjalizuar se është i gatshëm ta mbështesë kandidaturën e tij. Këtë e raportoi të enjten The Washington Post.
"Në fund të ditës, duhet të zgjedhim JD-në", u tha Trump donatorëve gjatë një takimi në Zyrën Ovale rreth dy javë më parë, sipas personave të njohur me bisedën.
Sipas gazetës, kjo deklaratë ndryshon nga qëndrimi publik që Trump ka mbajtur gjatë vitit të kaluar, kur ai inkurajonte një lloj gare mes JD Vance dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio.
Trump i ka lavdëruar të dy, ka lënë të kuptohet se mund të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme dhe ka refuzuar të tregojë se kë preferon si pasardhës.
Megjithatë, edhe pse para donatorëve shprehu mbështetje për Vance, Trump vazhdon t'u kërkojë këshilltarëve të tij të krahasojnë Vance-in dhe Rubion. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti, edhe në fund të muajit të kaluar, gjatë një fluturimi me helikopterin presidencial Marine One, i pyeste bashkëpunëtorët për mendimin e tyre mbi të dy politikanët.
Një këshilltar pohon se Trump ka vendosur privatisht që Vance duhet ta udhëheqë Partinë Republikane pas largimit të tij, por shton se është ende "shumë herët" për të parashikuar se kur Vance do ta shpallë kandidaturën ose kur Trump do ta mbështesë publikisht.
Megjithatë, gjashtë aleatë dhe këshilltarë të tjerë të Trumpit thanë se nuk janë të bindur se presidenti ka marrë një vendim përfundimtar, duke theksuar se ai shpesh u thotë gjëra të ndryshme njerëzve të ndryshëm dhe se mund ta ndryshojë ende mendimin.
"Kushdo që mendon se kjo çështje është mbyllur tashmë, ose po nxiton në përfundime, ose nuk e njeh mjaftueshëm presidentin", tha një zyrtar.
Vance ende nuk i ka bërë publike planet e tij. Burime që kanë folur me të thonë se ai nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe se kishte planifikuar të priste lindjen e fëmijës së tij të katërt, i cili lindi më 19 korrik.
Një këshilltar shtoi se Trump do të dëshironte ende që Marco Rubio të ishte në të njëjtën dyshe zgjedhore me Vance dhe e lavdëron shpesh sekretarin e Shtetit, megjithëse nuk është e qartë nëse Rubio do ta pranonte rolin e kandidatit për zëvendëspresident në një kandidaturë të udhëhequr nga Vance. /Telegrafi/






































