Trump kërcënon me dyfishim të tarifave për veturat kanadeze në 50 për qind

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të dyfishojë tarifat ndaj automjeteve dhe pjesëve të prodhuara në Kanada, duke i çuar ato në 50% nga 1 janari 2027.
Trump e bëri njoftimin përmes rrjetit të tij social, duke akuzuar Kanadanë se për vite me radhë ka “përfituar në mënyrë të padrejtë” nga Shtetet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.
Aktualisht, SHBA-ja aplikon tarifa prej 25% për përmbajtjen jo-amerikane të automjeteve. Por sipas kërcënimit të ri të Trump, nga viti i ardhshëm tarifa do të rritet ndjeshëm për makina, kamionë dhe pjesë automobilistike, si dhe për çelikun.
Vendimi vjen pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Otavës për një marrëveshje tregtare. Kryeministri kanadez Mark Carney tha se Kanadaja u detyrua të largohej nga një marrëveshje që e konsideronte të pafavorshme.
Carney paralajmëroi gjithashtu se Kanadaja do t'u përgjigjet tarifave amerikane “dollar për dollar”, duke vendosur masa ndaj sektorëve amerikanë si çeliku, produktet bujqësore, pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronika.
Ndërkohë, administrata Trump e akuzon Kanadanë për tarifa të larta ndaj produkteve amerikane dhe pretendon se politikat e saj tregtare dëmtojnë prodhuesit dhe fermerët amerikanë.
Trump ka përsëritur edhe deklaratat e tij të mëparshme se Kanadaja duhet të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së, duke thënë se Otava kërkon përfitimet e një shteti amerikan pa qenë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Përplasja e fundit rrit rrezikun e një lufte tregtare më të gjerë mes dy ekonomive të lidhura ngushtë, veçanërisht në industrinë automobilistike, ku zinxhirët e furnizimit kalojnë vazhdimisht kufirin SHBA-Kanada.
Kritikët e politikës së Trump paralajmërojnë se tarifat më të larta mund të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë dhe të krijojnë pasiguri për kompanitë, ndërsa administrata amerikane këmbëngul se ato do të nxisin prodhimin vendas dhe vendet e punës. /Telegrafi/





































