Qeveria e së majtës ekstreme e Sanchezit po saboton aleancën.

Nga: Emilio T. Gonzalez, oficer i pensionuar i inteligjencës së ShBA-së, i cili ka shërbyer në pozicione të larta në Ushtrinë e ShBA-së, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Departamentin e Sigurisë Kombëtare / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com


Kërcënimi i fundit i presidentit Trump për të ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Spanjën nuk ishte impulsiv.

Ai ishte pranim i vonuar prej kohësh se qeveria socialiste e së majtës ekstreme e kryeministrit Pedro Sanchez e ka shndërruar Spanjën në hallkën më të dobët dhe në një rrezik për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Prej vitesh, Madridi ka shmangur përgjegjësitë e tij në mbrojtje, është rreshtuar me kundërshtarët më të ashpër të Amerikës dhe ka krijuar një kulturë korrupsioni që ka arritur në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo politikë e paqësimit ka dështuar.

Qeveria Sanchez ka dëshmuar se është partner i pasigurt dhe barrë strategjike në një botë gjithnjë e më të rrezikshme. Ka forcuar kundërshtarët e NATO-s, ndërsa në mënyrë sistematike ka çmontuar bazën e organizatës të ndërtuar mbi angazhim të përbashkët dhe ndarje të barrës.

Kjo çarje u shkaktua së fundmi nga pengimi i hapur i Madridit ndaj Operacionit Furia Epike [Epic Fury], kur Sanchezi i mohoi ShBA-së përdorimin e bazave ajrore spanjolle që operohen bashkërisht. Duke e përshkallëzuar situatën, qeveria më pas ua ndaloi hapësirën ajrore spanjolle të gjitha aeroplanëve ushtarakë amerikanë.

Në samitin e NATO-s të vitit 2025, ndërsa aleanca përballej me një kërcënim të ripërtërirë nga Rusia agresive, anëtarët u pajtuan për një angazhim të ri, detyrues, për të shpenzuar të paktën 3.5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Spanja ishte i vetmi vend anëtar që e refuzoi këtë angazhim.

Z. Sanchez siguroi një përjashtim të veçantë për të kufizuar shpenzimet në një nivel të ulët prej 2.1 përqind, duke vazhduar një politikë të kahershme të neglizhencës.

Sabotimi i NATO-s nga Qeveria Sanchez është vazhdim logjik i një politike të jashtme që në mënyrë aktive u afrohet armiqve të Shteteve të Bashkuara. Nën drejtimin e z. Sanchez, Madridi është bërë kryeqytet evropian për një konfederatë regjimesh të majta antiamerikane, duke u ofruar atyre një mbulesë diplomatike, mbështetje ekonomike, legjitimitet ndërkombëtar dhe një platformë për të sulmuar interesat perëndimore.

Z. Sanchez synon ta riorientojë Spanjën larg aleancës transatlantike drejt një koalicioni regjimesh antiamerikane dhe antiperëndimore. Ai ka bërë thirrje për një rol më të madh të Kinës në sigurinë dhe mbrojtjen globale, mbështet aneksimin e Tajvanit dhe ka hapur Spanjën për 70 produkte kritike të infrastrukturës nga [kompania kineze] Huawei, duke e kthyer në mënyrë efektive Spanjën në portën hyrëse të Kinës drejt Evropës.

Shumë vetë tani pyesin pse vazhdojmë të subvencionojmë sigurinë e një vendi që vepron në mënyrë aktive kundër interesave tona të sigurisë kombëtare.

Lidhjet e koalicionit në pushtet të Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle me narko-diktaturën në Venezuelë janë mirë të dokumentuara. Ish-kryeministri spanjoll, Jose Rodriguez Zapatero, një lobist i Kinës, është nën hetim nga Gjykata Kombëtare e Spanjës për bashkëpunimin e tij me kartelët. Kur ShBA-ja kapi diktatorin Nicolas Maduro, Spanja ishte e vetmja qeveri e Bashkimit Evropian që e denoncoi arrestimin.

Qëndrimi pro-Teheran i z. Sanchez nxitet nga partnerët e tij të koalicionit të majtë ekstrem. Disa prej tyre kanë lidhje të dokumentuara financiare me regjimin iranian, pasi kanë marrë miliona dollarë përmes organizatave të dyshimta. Kjo besnikëri reflektohet në qëndrimin fanatik anti-Izrael të Spanjës.

Raportohet se Irani ka vendosur afishe me komente kundër luftës nga z. Sanchez - mbi raketat e lëshuara drejt Izraelit.

Së fundmi, Madridi njohu shtetin palestinez, një veprim i përshëndetur nga Hamasi. Z. Sanchez i ka shitur Iranit teknologji me përdorim të dyfishtë, ndërsa ka vendosur embargo të plotë armësh ndaj Izraelit. Kjo pasoi vendimin e vitit 2025 për të bllokuar çdo dërgesë armësh përmes Spanjës drejt Izraelit.

Anëtarë të kabinetit kanë marrë pjesë në protesta rrugore kundër Izraelit. Ministri i Transportit e quajti publikisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “bastard gjenocidal”. Z. Sanchez tërhoqi ambasadorin e Spanjës nga Izraeli, ndërsa rihapi ambasadën spanjolle në Teheran. Ai gjithashtu bëri thirrje që Bashkimi Evropian të pezullojë të gjitha marrëveshjet tregtare me Izraelin.

Spanja ka qenë prej kohësh mbrojtësja kryesore e Kubës në Evropë, duke punuar vazhdimisht për të dobësuar sanksionet e BE-së dhe për të zgjeruar tregtinë dhe ndihmën ndaj diktaturës komuniste. Kjo politikë i siguron mbështetje jetike ekonomike një regjimi të dështuar dhe shtypës, duke minuar kauzën e lirisë dhe demokracisë vetëm 90 milje larg brigjeve tona.

Koalicioni parlamentar socialist i Z. Sanchez përfshin komunistë, separatistë rajonalë të së majtës ekstreme dhe parti të lidhura me terrorizmin. Kryeministri ka kaluar nga një kritik i politikave në një kundërshtar të ashpër politik. Ai është lideri më i hapur dhe më i ashpër politik anti-ShBA dhe mbajtësi kryesor i flamurit anti-Trump në Evropë, si dhe një figurë e preferuar e liberalëve globalë.

Fushata e qëllimshme dhe e vazhdueshme e z. Sanchez për delikuencë financiare, pengim operacional dhe rreshtim ideologjik me kundërshtarët e ShBA-së, e ka shndërruar Spanjën nga një aleat dhe partner historikisht të besueshëm në hallkën më të dobët të NATO-s.

Është koha të ndalojmë së treguari mirësi dhe të fillojmë të mendojmë për t’u rreshtuar më shumë me ata që duan të rreshtohen me ne. /Telegrafi/