LAJMI I FUNDIT:

Sot janë bërë 23 vite pa legjendën e Formula 1, Ayrton Sennan

Sot janë bërë 23 vite pa legjendën e Formula 1, Ayrton Sennan

1 maji i vitit 1994 ishte dita kur Botërori i Formulës 1 humbi një prej talenteve më të mëdha të saj, Ayrton Sennan.

Tri herë kampioni i botës u nda në mënyrë tragjike nga jeta, në një aksident në pistën e Imolës, duke shkaktuar një dhimbje të madhe që ndihet edhe tani, kur kanë kaluar 23 vite.


Në pranverën e atij viti, me 3 tituj botërori dhe me zemrën e të gjithë tifozëve në duart e tij, braziliani la Tokën për t’u shndërruar në një mit. Ka qenë, është dhe do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që duan të fitojnë si pilotë, por edhe në disiplina të tjera.

Tashmë është bërë diçka e paevitueshme, që çdo vit të bëjmë një homazh të sinqertë dhe mëse të merituar për Sennën, për t’i thënë faleminderit që na ka bërë të argëtohemi me këtë sport, duke parë aftësitë e tij teksa fluturonte nëpër pista, transmeton TCH.

“Nëse një person nuk ka ëndrra, nuk ka asnjë arsye për të jetuar. Të ëndërrosh është e nevojshme edhe kur kalohen kufijtë e realitetit”, është një prej frazave më të famshme të kësaj legjende të Formulës 1, i cili garonte me shpejtësi, shpirt dhe emocion, 3 cilësi që përkufizojnë perfeksionin dhe që do të pasqyrohen në statujën që do të ngrihet ne sheshin e Sao Paulos, që do të marrë edhe emrin e tij.