Max Verstappen i jep fund spekulimeve, rinovon me Red Bull deri më 2030

Max Verstappen do të vazhdojë të jetë pjesë e Red Bullit deri në fund të vitit 2030, pasi kampioni katër herë i botës ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën austriake.
Red Bulli e konfirmoi marrëveshjen të enjten, duke i dhënë fund spekulimeve të shumta rreth të ardhmes së pilotit holandez në Formula 1.
“Edhe katër vite me këmbën në gaz. Jemi të lumtur të njoftojmë se Max ka nënshkruar vazhdimin e kontratës me skuadrën deri në fund të vitit 2030”, shkroi Red Bulli në rrjetin social X.
Four more years of full send ✍️
We’re delighted to announce that Max has signed a contract extension with the Team until the end of 2030 🦁#F1 pic.twitter.com/7u1TgslIvS
— Oracle Red Bull Racing (@redbullracing) August 20, 2026
Njoftimi erdhi pak para garës së shtëpisë së Verstappenit, Çmimit të Madh të Holandës në Zandvoort, ku piloti 28-vjeçar pritet të marrë mbështetje të madhe nga mijëra tifozë holandezë.
Verstappen është një prej pilotëve më të suksesshëm në historinë e Formula 1. Ai fitoi katër tituj radhazi të kampionit të botës nga viti 2021 deri në vitin 2024, duke dominuar këtë sport për disa sezone.
Megjithatë, sezoni aktual ka qenë dukshëm më i vështirë për holandezin. Verstappen nuk ka arritur ta përfundojë një pjesë të garave në gjysmën e parë të sezonit dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë në klasifikimin e pilotëve.
Pavarësisht rezultateve jo në nivelin e viteve të kaluara, Red Bulli ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me kampionin holandez, i cili tashmë do të jetë pjesë e skuadrës deri në vitin 2030./Telegrafi/










































