LAJMI I FUNDIT:

Premtohet heqja e TVSH-së për librin, 1,500 tituj të ri në panairin “Prishtina 2018”

Premtohet heqja e TVSH-së për librin, 1,500 tituj të ri në panairin “Prishtina 2018”

Lajm i plotësuar: Qeveria e Kosovës do të mbështesë botimin dhe shpërndarjen e librit duke hequr taksat. Ky ishte premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj në ceremoninë e hapjes së Panairit, të 20-it me radhë, “Prishtina 2018”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në fjalën e tij theksoi se panairi i librit është lindur nga pushka për të sjellë paqen në Kosovë.


Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “sot, kur janë shumëfishuar mundësitë e botimit dhe ato të leximit, institucionet dhe shoqëria jonë duhet t’i shtojnë përpjekjet inkurajuese për ngritjen e nivelit të leximit”.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve në Kosovë, Daut Demaku, tha se është për t’u krenuar organizimi i 20-të i Panairit, ku po marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë si dhe kolosët botërorë.

“Kjo është ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë. Ngjarja me organizimin më stabil për 20 vjet rresht”, u shpreh ai, derisa kujtoi edhe organizimin e panairit të parë në Kosovën e pasluftës.

Panairi i librit “Prishtina 2018” ka mbledhur më shumë se 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora. Ndërsa, do të prezantohen 1.500 tituj të rinj të autorëve shqiptarë shqip dhe libra të përkthyer.

———-


Sot hapet panairi i librit, “Prishtina 2018”

Sot në Prishtinë hapet edicioni i sivjetmë i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë. Sipas organizatorëve, për këtë vit janë paraparë edhe disa risi.

Anëtari i Bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, ka thënë se botuesit janë përgatitur mjaftueshëm që përveç shitjes të ofrojnë edhe takime me lexues dhe shkrimtarë.

Ai theksoi se e veçanta e këtij panairi është edhe pjesëmarrja e shkrimtarit francez François-Henri Désérable, vepra e të cilit vjen në shqip pikërisht në vigjilje të panairit.

Zeneli bëri të ditur se në kuadër të Panairit do të mbahen rreth 50 aktivitete të ndryshme që koincidojnë me përvjetorët në këtë vit. Ndërsa, shtoi se edhe këtë vit do të shpallet shkrimtari i vitit nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, si dhe stenda më e vizituar. /KP/