Kryetari i Aleancës në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, ka reaguar pas vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në Prishtinë, duke kërkuar që siguria në vendin e punës të jetë prioritet për institucionet.

Përmes një postimi në Facebook, Smajlaj u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.


Ai ka thënë se humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që prek të gjithë shoqërinë dhe duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse.

Sipas Smajlajt, raste të tilla nuk duhet të shndërrohen në përplasje politike, por duhet të trajtohen si çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

“Është e dhimbshme të shohësh që edhe këto tragjedi janë bërë subjekt i luftës politike në Kosovë. Nuk është koha për të treguar me gisht se kush e ka fajin, por momenti i fundit që institucionet lokale dhe qendrore të ulen në një tryezë të përbashkët me ekspertët e fushës”, ka deklaruar Smajlaj.

Ai ka kërkuar që institucionet të veprojnë me urgjencë dhe profesionalizëm për krijimin e mekanizmave që do të parandalonin raste të ngjashme në të ardhmen.

Kryetari i Aleancës në Prishtinë ka theksuar se siguria në punë dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve duhet të trajtohen si prioritet kombëtar, duke bërë thirrje që dallimet politike të lihen anash në raste të tilla.

“Duhet të bashkohemi rreth një qëllimi: krijimit të një mjedisi të sigurt ku prindi, djali apo vajza nisen për punë dhe kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Siguria e punëtorëve dhe e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër”, ka përfunduar Smajlaj. /Telegrafi/