LAJMI I FUNDIT:

“Skulptura në hapësirë” – ekspozita që rrëmben vëmendjen e çdo kalimtari në Sheshin e Prishtinës dhe pasqyron luftën e njerëzve për pushtet

Prej ditësh në kryeqytet janë vendosur disa skulptura, të cilat kanë rrëmbyer vëmendjen e çdo kalimtari në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kjo ekspozitë mban titullin “Skulptura në hapësirë” dhe autor i saj është artisti Eroll Murati.


Në një intervistë për Telegrafin, artisti i kësaj ekspozite tregon se si për realizimin e saj u frymëzua nga aktualiteti i dëshirës për pushtet, që mbizotëron në vendin tonë.

“Domethënia e kësaj ekspozite është qysh po e shihni edhe ju prej këndvështrimit të qytetarëve, është një ngjarje në vete. Secili artist apo skulptor apo piktor e tregon një ngjarje përmes një ekspozite edhe realitetin e diçkaje që e preokupon vendi i tij. Mua më kanë preokupuar ngjarjet e fundit pak a shumë, për shkak që është duke u bërë shumë lufta për karrige, xhelozia ndaj njeri-tjetrit, si me thënë ‘i keqi e mund të mirin’, e kështu që kam luajtur pak edhe me ngjyra, sepse pe shihi si është e zeza, sepse e zeza e reflekton të keqen, kurse e bardha e reflekton të mirën, ku më shumë i kam dhënë rëndësi skulpturave në hapësirë, me pas mundësinë njerëzit me pa skulptura që nuk kanë parë shumë në Kosovë, sepse nëpër vende të tjera të Evropës ku ka art, ka edhe kësi skulptura, po te ne nuk ka shumë. Ndaj kam dashur vet të bëj këtë lloj ekspozite”, ka thënë Eroll Murati për Telegrafin.

Eroll Murati (Foto: Telegrafi)

I pyetur nëse ekspozita në fjalë pati një inspirim nga ndonjë vepër ekzakte, autori i saj e përjashtoi këtë mundësi, duke thënë se ishte e gjitha një frymëzim e gjendjes reale në Kosovë.

“D.m.th vetëm tema ka qenë më shumë që më ka nxitur më shumë se qysh me i bo disa figura me e paraqit realitetin në Kosovë. Pastaj ka shkuar zinxhir si ide, sepse kam menduar dy vjet për këtë projekt edhe kam menduar përfundimin që kam pasur te ideja, e kam pasur me zinxhir, sepse zinxhiri tregon njëfarë shtrëngimi, njëfarë preokupimi, për atë arsye e kam bërë me zinxhir, sepse edhe duket mirë edhe duket mirë, duket i ngërthyeshëm”, ka thënë tutje artisti i ekspozitës “Skulptura në hapësirë”.

Pamje nga ekspozita “Skulptura në hapësirë” (Foto: Telegrafi)

Duke qenë të ekspozuara në një prej shesheve më të frekuentuara të vendit, skulpturat në fjalë kanë rrëmbyer vëmendjen të thuajse çdo kalimtari.

Murati thotë se ngeli i befasuar nga pritja e mirë që iu bë ekspozitës nga qytetarët, të cilët me t’i parë skulpturat, e kanë kuptuar menjëherë thelbin e temës.

“Qytetarët nuk e kam pritur që kanë me ma vlerësu kaq mirë, edhe nuk kam pritur që kanë me kuptu menjëherë, sepse është pak art modern edhe pak një lloj gjysmë abstrakt kisha mundur ta quaj, sepse nuk është krejt abstrakt, janë figurat pak a shumë reale, por e kanë domethënien e mirë. E kanë kuptuar qytetarët menjëherë si e kanë parë karrigen, si e kanë parë të bardhën, të zezën, edhe çka më ka pëlqyer më së shumti është që ishin kuriozë edhe më bënin pyetje shumë: A është kjo lufta për karrige? A po shtyhen për pushtet? A është populli ky? Kanë bërë shumë pyetje edhe e kanë kuptuar, e kanë pritur mirë shumë saqë jam shumë shumë i kënaqur prej qytetarëve të Kosovës, edhe prej artdashësve, prej profesorëve, prej artisteve etj”, ka theksuar Eroll Murati për Telegrafin.

Pamje nga ekspozita “Skulptura në hapësirë” (Foto: Telegrafi)

Megjithëse arti shpesh herë gjen pak mbështetje institucionale, duket se artisti Murati ka gjetur pak përkrahje nga drejtoria e kulturës në Komunën e Prishtinës.

Ai për Telegrafin tregoi se Komuna është kujdesur për lejimin e ekspozimit të skulpturave, ndonëse nga krerët nuk është shprehur ndonjë interesim për t’i parë nga afër ato.

“Komuna realizimin e këtyre punimeve e ka mbështetur komplet. Më shumë nuk di diçka, nuk kanë qenë shumë të interesuar për të parë dhe pyetur për shkak që ma merr mendja koha e pandemisë, edhe kanë pasur ndoshta shumë materiale apo tema tjera prioritare. Kështu që komunën e falënderoj që më ka përkrah, gjegjësisht Drejtorinë e Kulturës”, ka theksuar Eroll Muati.

“Skulptura në hapësirë” do të jetë ekspozitë e disponueshme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deri më 25 nëntor, teksa kalimtarëve u bëhet thirrje që t’i shikojnë nga afër dhe të realizojnë fotografi nëse duan, por të mos i dëmtojnë ato. /Telegrafi/