LAJMI I FUNDIT:

Skijim gjatë natës, muzikë me DJ dhe bukuri natyrore – Kodra e Diellit patjetër duhet vizituar!

E vendosur në bukuritë e malit Sharr, qendra turistike “Kodra e Diellit” në Tetovë është një vend të cilin patjetër duhet ta vizitoni nëse dëshironi ta ndjeni si askund tjetër mikpritjen shqiptare, skijimin gjatë ditës dhe natës, e po ashtu edhe atmosferën muzikore.

Kjo qendër turistike gjendet vetëm 18 kilometra nga qyteti i Tetovës, ku infrastruktura e rrugës është moderne dhe e përshtatshme për të gjitha llojet e automjeteve.


Si qendër turistike për skijim, Kodra e Diellit ka filluar të popullarizohet sidomos gjatë viteve të fundit, ku një pjesë e madhe e punonjësve aty meritat ia japin drejtorit aktual, Adem Avziut, i cili ka arritur përgjatë viteve të fundit ta rris numrin e ski ashensorëve, të vendos tualete publike, hapësira për hedhjen e bërllokut, të bëjë oferta promovuese dhe ta inkorporojë skijimin e natës me muzikë me DJ.

Kodra e Diellit i disponon gjithsej 11 ski-ashensorë me gjatësi prej 7.7 kilometrave, të cilat i lidhin pistat e skijimit në lartësi prej 1070 deri në 2510 metra lartësi mbidetare.

Ekipi i Telegrafi.com përgjatë një vikendi ka vizituar Kodrën e Diellit dhe ka hasur në një mikpritje vëllazërore shqiptare, shërbim e kujdes ndaj klientit dhe ka shijuar një përvojë të paharrueshme në shtigjet e mirëmbajtura të skijimit.

Në një bashkëbisedim me Telegrafi.com, drejtori Adem Avziu ka treguar se planet e së ardhmes në këtë qendër skijimi përfshijnë edhe vendosjen e pajisjeve për borë artificiale, investimin në gondolën gjigante për bartje të turistave nga qyteti me një kapacitet prej 1,000 personave në orë, hapjen e pistave të reja të skijimit dhe krijimin e pakove të përshtatshme turistike për të gjithë të interesuarit.

Përtej skijimit, Kodra e Diellit arrin ta ruajë epitetin e një atraksioni turistik edhe gjatë stinës së pranverës dhe verës, ku gjatë kësaj periudhe ofrohen shërbime tjera, siç janë kalërimi, hikingu, biking, motor biking, etj.

Përndryshe, për 17 shkurt, Kodra e Diellit ka bërë organizim të veçantë për nder të Pavarësisë së Kosovës, duke ofruar çmime promovuese, muzikë gjatë tërë ditës e natës dhe atmosferë festive për të gjithë shqiptarët!