LAJMI I FUNDIT:

Sinjal paralajmërues nga Brukseli drejt Polonisë

Sinjal paralajmërues nga Brukseli drejt Polonisë

Për herë të parë BE po e shoqëron respektimin e vlerave themelore me pasoja të drejtpërdrejta financiare. Disa qytete polake të shpallura “Zona të pastra prej LGBT-ve” përjashtohen nga fondet e BE-së.

Ende nuk dihet zyrtarisht se cilat qytete do të përjashtohen nga fondet e BE-së për binjakëzimin e qyteteve, por sipas raporteve të mediave, ndër ta do të jetë qyteti Tuchow, shkruan Deutsche Welle.

Kryetarja e Bashkisë së qytetit, Magdalena Marszałek, tha se “ende nuk kemi marrë letër zyrtare nga Komisioni i BE, por unë i kam njoftuar anëtarët e Këshillit se nuk do të marrim asnjë fond prej BE-së”. Ajo vetë kishte qenë kundër “Rezolutës kundër ideologjisë LGBT”, por në fund anëtarët e këshillit bashkiak që i takojnë partisë në pushtet PiS vendosën si deshën, sepse kanë shumicën në këshillin e qytetit. Pasojat e para pasuan – qyteti francez Saint-Jean de Braye dhe ai holandez Nieuwegein e ndërprenë binjakëzimin me qytetin polak Tuchów.

Edhe qyteti Schwerte në NRW e ndërpreu binjakëzimin dhe bashkëpunimin 30-vjeçar me qytetin polak Nowy Sącz. “Vendimi i këshillit tuaj bie ndesh me idenë evropiane për diversitetin,” i shkruajti kryetari i bashkisë së Schwertes, Dimitrios Axourgos, homologut të tij polak, Ludomir Handzel.

Ose fonde evropiane ose homofobi dhe mungesë parash

Krzysztof Śmiszek nga Partia e Majta Polake thotë se pasojat financiare nuk janë befasuese. Ai i sheh vendimet e Komisionit të BE-së si një “pasojë natyrore të masave me motive homofobe në disa komuna. Ose respektim të të drejtave të njeriut, dhe të vlerave dhe fonde evropiane ose homofobi dhe mungesë parash”, tha Krzysztof Śmiszek, i cili edhe vetë bashkëjeton me një burrë.

Sipas tij, ndoshta bashki të tjera do të kenë tani frikë që t’i shpallin qytetet e tyre “Zona të pastra prej LGBT-ve”, por masat për ndërprerjen e fondeve për binjakëzimin e qyteteve me siguri do ta shtojnë frymën kundër BE-së.

Retorika anti-LGBT e pranishme kudo

Retorika kundër LGBT-ve është e pranishme jo vetëm tek politikanët lokalë. Edhe presidenti polak, Andrzej Duda tha në fushatën e tij zgjedhore “tani po mundohen të na mbushin mendjen se LGBT janë njerëz, por LGBT është një ideologji” të cilën ai e quan “neobolshevizëm”. Dhe në zonat ku Andrzej Duda fitoi shumicën e votave, një numër i madh komunash dhe bashkish kanë nënshkruar rezoluta anti-LGBT.

Shoqata konservatore e juristëve “Ordo Iuris” ka ndihmuar në përpilimin e një “Karte të të Drejtave të Familjeve” dhe në të edhe pse nuk përmendet fjala LGBT martesa përcaktohet vetëm si lidhje mes burrit dhe gruas. Avokati Nikodem Bernaciak, i cili është po ashtu anëtar i kësaj shoqate, është zemëruar nga vendimi i Komisionit të BE-së.  “Karta e të Drejtave të Familjes nuk përmban kurrfarë ideologjie dhe fjala “LGBT” as nuk figuron fare në të. Kjo kartë synon të theksojë mbrojtjen e martesës dhe të nxisë politika miqësore ndaj familjes” – tha ai për DW.

Edhe ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, deklaroi se veprimi i Komisionit të BE-së për të përjashtuar nga fondet e BE-së qytetet që e kanë shpallur veten “Zona të pastra prej LGBT-ve” është “i paligjshëm”. Ziobro thotë se komisionerët e BE-së marrin vendime mbi baza ideologjike dhe duke iu referuar traktateve të BE-së. “Komisioni i BE-së dhe të gjitha autoritetet e BE-së janë të detyruara të respektojnë identitetin kombëtar të vendeve anëtare përkatëse.”

Për BE-në dhe Brukselin ky hap është një veprim simbolik që duhet të shërbejë si një sinjal për të ardhmen. Për herë të parë respektimi i vlerave themelore nuk po kërkohet jo vetëm në mënyrë retorike, por po shoqërohet edhe me pasoja të drejtpërdrejta financiare për gjashtë qytete polake që e kanë shpallur veten “Zona të pastra prej LGBT-ve” ose që kanë miratuar rezolutën për të drejtat e familjes.

Në trend Botë

Më shumë
Xhakarta më nuk do të jetë kryeqyteti i Indonezisë

Xhakarta më nuk do të jetë kryeqyteti i Indonezisë

Azia
Ukrainasit shkatërrojnë me dron kamikaz autoblindën e rrallë ruse, që për herë të parë u përdor në katastrofën bërthamore të Çernobilit

Ukrainasit shkatërrojnë me dron kamikaz autoblindën e rrallë ruse, që për herë të parë u përdor në katastrofën bërthamore të Çernobilit

Evropa
Ukrainasja bëhet simbol i rezistencës, pavarësisht se rusët ia bombarduan lokalin në Kiev – ajo vazhdon të shërbejë kafe

Ukrainasja bëhet simbol i rezistencës, pavarësisht se rusët ia bombarduan lokalin në Kiev – ajo vazhdon të shërbejë kafe

Evropa
Scholz: Paqja në Ukrainë është e mundur në çdo moment, vetëm Putin le t’i tërheq trupat

Scholz: Paqja në Ukrainë është e mundur në çdo moment, vetëm Putin le t’i tërheq trupat

Evropa
Ukrainasit godasin me HIMARS-in amerikan sistemin e mbrojtjes kundërajrore ruse BUK – e hedhin në erë me goditjen direkte

Ukrainasit godasin me HIMARS-in amerikan sistemin e mbrojtjes kundërajrore ruse BUK – e hedhin në erë me goditjen direkte

Evropa
Ukraina po përpiqet të krijojë lidhje me aleatin historik të Rusisë, Indinë

Ukraina po përpiqet të krijojë lidhje me aleatin historik të Rusisë, Indinë

Botë
Kalo në kategori