LAJMI I FUNDIT:

Sindikatat në Britani të Madhe bëjnë thirrje për katër ditë pune në javë

Sindikatat në Britani të Madhe bëjnë thirrje për katër ditë pune në javë

Javët me vetëm katër ditë pune do të bëhen realitet brenda këtij shekulli nëse bizneset detyrohen të ndajnë përfitimet e teknologjive të reja me forcën punëtore. Ky është pretendimi që vjen nga Kongresi i Sindikatave Tregtare (TUC) në Angli dhe Uells.

Transmetuesi britanik BBC raporton se nga konferenca e tyre vjetore ata i bënë thirrje qeverisë të ndërmarrin veprime për të ndihmuar njerëzit të punojnë më pak, por të paguhen njësoj. Sipas tyre, inteligjenca artificiale, robotika dhe automatizimi mund t’i sigurojnë një shtysë ekonomike prej 200 miliardë poundësh Britanisë së Madhe në dekadën e ardhshme.


Në një firmë në Uells, aplikimi i katër ditë pune për javë ka nisur që tani. Themeluesi i firmës IndyCube, me bazë në Kardif, Mark Hooper, tha se se tranzicioni drejt këtij aranzhimi përgjatë 18 muajve të fundit nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.

“Ndjemë se kishim një mundësi për të vërtetuar se në katër ditë pune mund të ishim po aq produktiv sa në pesë, dhe ia ka vlejtur”, tha Hooper, përcjell Telegrafi.

Ai tha se kompania po prodhon më shumë dhe po zgjerohet edhe jashtë Uellsit.

Sekretari i Përgjithshëm i TUC, Frances O’Grady, theksoi se më parë sindikatat kishin luftuar për të siguruar dy ditë pushim në fundjavë për të gjithë punëtorët dhe se kjo është sfida e tyre e radhës.

Sipas TUC, aktualisht në Britaninë e Madhe rreth 1.4 milion njerëz punojnë shtatë ditë në javë. Ndërsa 51 për qind e të punëtorëve të pyetur thonë se druhen që përfitimet e teknologjisë së re do të shkonin për menaxherët e kompanive dhe pronarët.

Një raport i muajit janar 2018 nga Centre for Cities, thoshte se rreth 3.6 milionë vende pune mund të zëvendësohen nga makineritë deri në vitin 2030. /Telegrafi/