Si t’i fitosh 25 milionë euro në vetëm 109 ditë?

Chelsea ka marrë vendim ta shkarkojë trajnerin Liam Rosenior, në një moment kur sezoni po hyn në fazën vendimtare, pasi klubi londinez luan në Ligën Premier edhe katër ndeshje, ndërsa është në prag të gjysmëfinales së FA Cup ndaj Leedsit.
Sipas raportimeve nga Anglia, Rosenior – i cili kishte kontratë deri në vitin 2032 – mund të përfitojë një kompensim që arrin deri në 25 milionë euro pas largimit nga “Stamford Bridge”.
Raportohet se trajneri fitonte 5 milionë euro në vit pasi u transferua në stolin e Stamford Bridge.
Vendimi vjen pas një periudhe të cilësuar si e papërballueshme për klubin, ndërsa situata ishte përkeqësuar ndjeshëm edhe nga paraqitjet e dobëta të ekipit.
Përkohësisht, drejtimin e skuadrës do ta marrë Calum McFarlane, deri në vendimin e radhës për stolin e londinezëve.
Ndërkohë, ndryshimet e shpeshta në bankinë mbeten një prej shenjave dalluese të epokës së re te Chelsea.
Që kur Todd Boehly, i mbështetur nga Clearlake Capital, mori drejtimin e klubit në verën e vitit 2022, gjashtë trajnerë kanë zënë stolin (pa llogaritur të përkohshmit): Thomas Tuchel, Graham Potter, Frank Lampard, Mauricio Pochettino, Enzo Maresca dhe tani Liam Rosenior.
Trajnerë e tjerë, Graham Potter dhe Thomas Tuchel thuhet se kanë arkëtuar nga rreth 15.2 milionë euro secili pas shkarkimit. Ndërkohë, Mauricio Pochettino ka marrë rreth 11.7 milionë euro. Maresca nuk ka pranuar të paguhet. /Telegrafi/





















































