LAJMI I FUNDIT:

Si qëndrojnë vendet evropiane në shfrytëzimin e dy përqindëshit të Bruto Produktit Vendor në shpenzimet ushtarake?

Si qëndrojnë vendet evropiane në shfrytëzimin e dy përqindëshit të Bruto Produktit Vendor në shpenzimet ushtarake?

Çka paraqet dy përqindëshi i GDP-s (Bruto Produkti Vendor)?

Qëkur ministrat e mbrojtjes të NATO-s ranë dakord ta shpenzonin atë kuotë në buxhetet e tyre ushtarake çdo vit, ka qenë një shtytje me të cilin shpenzuesit e mëdhenj mund të mposhtin partnerët e tyre kursimtarë.


Kjo gjithashtu është bërë një çështje e rëndësishme sa herë që ka një krizë të re globale dhe lufta ruse në Ukrainë nuk është ndryshe, transmeton Telegrafi.

Disa qeveri evropiane, veçanërisht Gjermania, janë zotuar të rrisin masivisht shpenzimet e mbrojtjes si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore, politikanët tani po garojnë për t’u siguruar që të përmbushin objektivin e përqindjes së paku vitin e ardhshëm.

Polonia, e cila zakonisht përmbush objektivin, miratoi së fundmi një ligj për të rritur shpenzimet e saj në tre për qind.

Në një fjalim në shkurt, që pretendoi të revolucionarizonte qasjen e Berlinit ndaj sigurisë kombëtare, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi një plan prej 100 miliardë eurosh në shpenzimet e mbrojtjes.

“Është e qartë se ne duhet të investojmë më shumë në sigurinë e vendit tonë, në mënyrë që të mbrojmë lirinë dhe demokracinë tonë”, tha ai.

“Ne do të investojmë tani e tutje, vit pas viti më shumë se dy për qind të prodhimit tonë të brendshëm bruto në mbrojtjen tonë”, shtoi Scholz.

Sot, asnjë qeveri evropiane nuk dëshiron të konsiderohet vend që shpenzon pa nevojë. Nëse do të shpenzojnë është një çështje tjetër.

“Vendet në Evropë kanë filluar me të vërtetë të marrin seriozisht objektivin e shpenzimeve prej dy për qind”, thotë Calle Hakansson, një bashkëpunëtore në Programin e Evropës të Institutit Suedez të Çështjeve Ndërkombëtare.

Megjithëse ka pasur një prirje drejt rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në vitet e fundit, lufta në Ukrainë “shërbeu si një katalizator i qartë për shpenzimet e reja të mbrojtjes”, vuri në dukje Hakansson.

Në çdo rast, shumë qeveri do të duhet të shpenzojnë më shumë në vitet e ardhshme për të zëvendësuar dhe plotësuar sistemet e armëve që kanë dërguar në Ukrainë, shtoi ai.

Vetëm këtë muaj, qeveritë e Sllovakisë, Sllovenisë dhe Letonisë thanë se synonin të arrinin kufirin e shpenzimeve deri në të paktën vitin 2023, nëse jo këtë vit. Rumania ka rritur shpenzimet e mbrojtjes me 14 për qind për vitin 2022 dhe thotë se mund të përmbushë objektivin dy për qind vitin e ardhshëm.

Parlamenti i Polonisë miratoi Aktin e Mbrojtjes së Atdheut në muajin mars që do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në tre për qind të GDP-s, gjë që do ta bënte Varshavën shpenzuesin e dytë më të madh evropian në NATO, pas Greqisë, raporton EuroNews, përcjell Telegrafi.

Finlanda, e cila kohët e fundit ra dakord për t’iu bashkuar NATO-s, shpenzoi rreth 1.5 për qind të GDP-s për mbrojtje në vitin 2020. Por qeveria e saj njoftoi një plan prej 2 miliardë eurosh pas pushtimit të Ukrainës, gjë që mund ta sjellë atë mbi kufirin prej dy për qind në vitin 2022 ose vitin 2023.

Në maj, kryeministri çek, Petr Fiala, tha se vendi i tij do ta arrijë këtë objektiv deri në vitin 2024. Zyrtarët e mbrojtjes nga Maqedonia e Veriut e në Holandë kanë thënë gjithashtu se presin të përmbushin qëllimin deri në atë vit, i cili ishte afati i fundit i nënshkruar nga të gjithë anëtarët dhjetë vjet më parë.

Kur anëtarët e NATO-s ranë dakord përsëri të përmbushin objektivin dy për qind të GDP-s në samitin e vitit 2014, vetëm Mbretëria e Bashkuar dhe Greqia po mbanin anën evropiane të marrëveshjes. Deri në vitin 2018 u rrit deri në pesë shtete, dhe deri në vitin 2020 nëntë nga 28 anëtarët evropianë të NATO-s shpenzonin përqindjen e rënë dakord, sipas statistikave të aleancës së mbrojtjes.

Sipas parashikimeve të NATO-s të publikuara muajin e kaluar, shtatë anëtarë evropianë të NATO-s do të arrijnë objektivin këtë vit: Kroacia, Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Mbretëria eb Bashkuar. Rumania dhe Franca do të jenë me më pak se 0.1 për qind. Të gjithë, përveç Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë nga ish “blloku lindor”.

Por gjenerali Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha në një samit muajin e kaluar se ai mendon se 19 partnerë do të tejkalojnë objektivin deri në vitin 2024.

Megjithatë, të tjerëve u duhet më shumë kohë, sipas deklaratave të bëra nga qeveritë e tyre. Suedia, e cila gjithashtu ra dakord kohët e fundit për t’u bashkuar me NATO-n, është zotuar të arrijë vlerën prej dy për qind deri në vitin 2028. Kryeministri Mario Draghi tha në prill se Italia do të përmbushë objektivin në të njëjtin vit. Qeveria e Spanjës thotë se deri në vitin 2029. Danimarka mendon deri në vitin 2033.

Javën e kaluar, parlamenti i Belgjikës ra dakord të shpenzojë 10 miliardë euro shtesë deri në vitin 2030, duke e çuar atë në rreth 1.5 për qind të GDP-s. Kryeministri Alexander De Croo mendon se shifra prej dy për qind do të arrihet deri në vitin 2035.

Pushtimi rus i Ukrainës ndezi kambanat e alarmit, veçanërisht midis qeverive në Evropën Qendrore dhe Lindore, por gjithashtu shfaqi probleme në planifikimin e mbrojtjes evropiane, për të cilat analistët kishin paralajmëruar për vite me radhë.

Midis vitit 1999 dhe 2021, shpenzimet e kombinuara të mbrojtjes të BE-së u rritën me 20 për qind, sipas raporteve të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes. Kjo krahasohet me një rritje prej 66 për qind nga SHBA, dhe 292 për qind nga Rusia dhe 592 për qind nga Kina, gjatë së njëjtës periudhë.

Liz Truss, sekretarja e jashtme britanike, tha në fillim të këtij viti se “Gjeopolitika ka marrë një kthesë”.

Disa janë të shqetësuar se evropianët nuk mund të mbështeten në SHBA-në për mbështetje mbrojtëse. Ky ishte një panik gjatë udhëheqjes së ish-presidentit Donald Trump, dhe disa kanë frikë se Evropa mund të ekspozohet edhe më shumë nëse Trump ose një tjetër “izolues” merr Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Kina tani konsiderohet si rivale. Një pushtim i mundshëm kinez i Tajvanit nuk ishte një problem për shumë qeveri evropiane vetëm pak vite më parë; shumica e rajonit është padyshim pro-Taipei në ditët e sotme. Me këtë rast, komisionet parlamentare dhe komentuesit debatojnë nëse evropianët do të mbështesin ushtarakisht Tajvanin nëse Pekini përpiqet të “ribashkojë” ishullin e vetëqeverisur.

Daniel Fiott, një profesor në Universitetin e Lirë të Brukselit dhe Institutin Real Elcano thotë se testi kryesor është nëse premtimet materializohen në shpenzimet aktuale të mbrojtjes. “Ne ende nuk e dimë realisht se si inflacioni do të gëlltisë rritjen e shpenzimeve të paralajmëruara”, shtoi ai, duke iu referuar një inflacioni më të lartë të të gjitha kohërave prej 8.6 për qind në të gjithë eurozonën në qershor.

Gjermania kohët e fundit është vënë nën kritika pasi planet e reja financiare të publikuara këtë muaj duket se tregojnë se shpenzimet e mbrojtjes do të jenë vetëm rreth 1.5 për qind të GDP-s këtë vit dhe 1.7 për qind në vitin 2023. Vetëm deri në vitin 2026 ajo do të përmbushë premtimin e saj prej dy për qindm sipas disa raportimeve të mediave.

Edhe nëse shumica e vendeve evropiane tejkalojnë objektivin prej dy për qind, atëherë pyetja do të jetë: pse?

“Në mënyrë të pashmangshme, sa më shumë që aleatët e NATO-s të përmbushin objektivin prej dy për qind, aq më shumë vëmendja do t’i drejtohet vlerës minimale”, tha Fiott.

Se pse u zgjodh pikërisht objektivi prej dy për qind ka qenë burim debati prej vitesh.

Kur u arrit nga ministrat e mbrojtjes së NATO-s në vitin 2006, objektivi ishte “parashikuar kryesisht si një mekanizëm politik…për të ndihmuar ministritë e mbrojtjes të shmangin shkurtimet buxhetore të imponuara nga ministrat e financave”, thanë disa ekspertë.

Sipas disa analistëve, përqindja arbitrare nuk përcjell shumë informacion për gatishmërinë mbrojtëse. Në fund të fundit, një qeveri mund të shpenzojë dy për qind të GDP-s për pajisje ushtarake të vjetruara ose një për qind për teknologjinë më të fundit. Kjo e fundit mund të jetë më mirë.

Por, sipas Fiott, çdo rishikim i rregullit të dy përqindëshit do të jetë “një mundësi për të menduar për efektivitetin e investimeve të mbrojtjes në Evropë”. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati Arigona Bytyçi 

Në trend Botë

Më shumë
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Shikoni videon që riktheu shpresën në Kiev, 42 tanke dhe mjete luftarake ruse shkatërrohen në Donetsk

Shikoni videon që riktheu shpresën në Kiev, 42 tanke dhe mjete luftarake ruse shkatërrohen në Donetsk

Evropa
SHBA-ja përgjon aeroplanët rusë

SHBA-ja përgjon aeroplanët rusë

Botë

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
DASH i zhgënjyer me propozimet për qeverinë e re të Serbisë, Vuçiq thotë se atë

DASH i zhgënjyer me propozimet për qeverinë e re të Serbisë, Vuçiq thotë se atë "e zgjedhin qytetarët"

Serbia
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Kalo në kategori