LAJMI I FUNDIT:

Si po tërhiqen të huajt për të punuar në fshatrat gjermane?

Si po tërhiqen të huajt për të punuar në fshatrat gjermane?

Bizneset e vogla dhe të mesme në zonat më rurale të Gjermanisë po përballen me sfida të mëdha, pasi mungesa e fuqisë punëtore ndihet gjithnjë e më shumë në fshatra.

Kur vizitori zbulon rrënojat e kështjellës Rosenstein, të vendosur në një shkëmb të madh mbi qytetin e Heubach, atij nuk i shkon mendja se rajoni para syve të tij është një vend i preferuar inxhinierie. Fusha dhe pyje mbizotërojnë peizazhin, me disa qytete të vogla të shpërndara kudo.


Mirëpo, Kunjan Patel, një inxhinier indian 30-vjeçar, thotë se është gama e gjerë e mundësive të karrierës për inxhinierët që i duket më tërheqëse në Württembergun Lindor, një rajon një orë me makinë në lindje të Stutgartit.

“Është një rajon interesant për inxhinierët. Ka shumë kompani interesante këtu dhe secila prej tyre ka stilin e vet”, thotë Patel.

Rreth 450 mijë persona jetojnë në Württembergun Lindor, një rajon më shumë se dy herë më i madh se Berlini. Ky rajoni është strehë e shumë bizneseve të suksesshme, duke përfshirë më shumë se 300 kompani të specializuara në prodhimin e instrumenteve, në inxhinierinë mekanike dhe ndërtimin e impianteve.

Kjo e bën atë një nga shumë rajone gjermane rurale, por ekonomikisht të rëndësishme. Sipas qeverisë gjermane, rajonet rurale përbëjnë rreth gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, i cili ishte rreth 3.9 miliardë euro në vitin 2022.

Ndërsa, të rinjtë largohen nga fshati për në qytet, popullsia e shumë zonave rurale po plaket edhe më shpejt se ajo e zonave urbane. Kjo do të thotë se fushatat duhet të tërheqin punëtorë jo vetëm nga zonat urbane, por edhe nga jashtë.

Migrantëve u mungojnë lidhjet familjare

Megjithatë, punëtorëve migrantë u mungojnë lidhjet familjare që tërheqin shumë gjermanë etnikë të kthehen në zonat rurale. Ata gjithashtu mund të hezitojnë të lëvizin në zona ku perspektivat e karrierës janë të pasigurta dhe shqetësohen për një jetë sociale më pak të kënaqshme në një popullsi më pak të larmishme etnike dhe më konservatore.

Universitetet vendase luajnë një rol kyç në rekrutimin e të diplomuarve të huaj. Pateli punon në Richter, një prodhues i sistemeve të ndriçimit të nivelit të lartë me bazë në Heubach, një qytet me 10 mijë banorë. Kompania ka 110 punëtorë nga 34 vende.

Pateli iu bashkua Richter në vitin 2019. Ai u punësua pasi vizitoi kompaninë me një grup studentësh ndërkombëtarë nga Universiteti Aalen aty pranë, ku ai po kryente një diplomë master.

“T’i bindësh studentët e huaj të qëndrojnë pas diplomimit është një nga mënyrat më efektive për të tërhequr të diplomuar të huaj në rajon”, beson Markus Schmid nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Württemberg Lindor.

Ai shton se bizneset e vogla dhe të mesme në rajon kanë pak mënyra për të tërhequr vëmendjen e kandidatëve potencialë nga jashtë.

Kjo është më pak problem për kompanitë e mëdha ndërkombëtare me bazë në rajon, pasi ato mund të përballojnë fushata luksoze rekrutimi dhe kanë një emër të fortë si punëdhënës.

“Aktualisht mund të plotësojmë nevojën tonë për punëtorë të kualifikuar edhe përmes aktiviteteve tona në tregun ndërkombëtar të punës”, thekson Georg von Erffa, kreu i burimeve njerëzore në Zeiss.

Bizneset e vogla duhet të zhvillojnë qasjen e tyre

Me shumë më pak burime në dispozicion të tij, Bernd Richter, pronarit të Richterit, i është dashur të gjejë mënyrat e tij për të ndërtuar dhe mbajtur fuqinë punëtore të larmishme të kompanisë së tij – ndonjëherë me koston e përpjekjeve të konsiderueshme personale: i ndodh që edhe të mirëpresë punonjës të rinj në shtëpinë e familjes së tij.

Qasja e Richterit ndaj punësimit, thotë ai, është të “mos përjashtojë kurrë asgjë”. Të folurit gjermanisht, për shembull, nuk është një kriter vendimtar për të. Gjuha zyrtare e punës në Richter është anglishtja, për kënaqësinë e madhe të Patelit, i cili thotë se mësimi i gjermanishtes ka qenë sfida më e madhe e jetës së tij në këtë vend. Te Richter, punonjësit përfitojnë edhe mësime falas të gjermanishtes.

Kryebashkiaku i Heubachut, Joy Alemazung dëshiron që emigrantët të ndihen të pranuar në qytet.

“Kur nuk ndihem ndryshe kur dikush flet me mua, ndihem si në shtëpinë time”, thotë Alemazung.

Ai mund të bazohet në përvojën e tij, pasi la Kamerunin e tij për t’u vendosur në Gjermani kur ishte student.

Sipas tij, jeta e gjallë e komunitetit në zonat rurale mund të ndihmojë në nxitjen e pranimit të emigrantëve, sepse u ofron të ardhurve dhe banorëve vendas mundësinë për t’u përzier.

“Në këtë drejtim, zonat rurale kanë një avantazh ndaj qyteteve”, shton ai.

Pateli thotë se është i kënaqur me mënyrën e jetesës që ofron Württembergu Lindor.

“Jeta sociale është e mirë dhe organizohen shumë ngjarje, si në punë ashtu edhe jashtë saj”, thotë Patel

Ai gjithashtu shijon ecjen në Alb, një pllajë malore në rajon.

“Më pëlqen ta kaloj verën në Alb”, pohon ai.

Këto duhet të jenë lajme të mira për shefin e tij. Siç thotë Bernd Richter, tërheqja e punëtorëve në Württembergun Lindor në fund të fundit është çështja e konstatimit se “kush do të ndihej vërtet mirë këtu”. /Deutsche Welle/