LAJMI I FUNDIT:

Si kurrë më parë, pasuria totale e miliarderëve gjatë pandemisë rritet në 10.2 trilionë dollarë

Si kurrë më parë, pasuria totale e miliarderëve gjatë pandemisë rritet në 10.2 trilionë dollarë

Pandemia e coronavirusit i ka bërë njerëzit e pasur edhe më të pasur, sipas një studimi nga firma konsulente PwC dhe banka kryesore zvicerane UBS.

Sipas të dhënave të lëshuara të mërkurën, gjatë pandemisë COVID-19, pasuria totale e miliarderëve në botë u rrit me 10.2 trilionë dollarë.


UBS shprehet se pasuria e tyre është rritur me 27.5 për qind që nga fillimi i krizës së shkaktuar nga pandemia e coronavirusit, pra nga prilli në korrik, transmeton Telegrafi.

UBS gjithashtu njoftoi se pasuria e miliarderëve arriti një maksimum të ri, duke tejkaluar kulmin e mëparshëm prej 8.9 trilionë dollarëve, të arritur në fund të vitit 2017.

Rritja e pasurisë së tyre ishte pjesërisht për shkak të rimëkëmbjes së tregjeve të bursave dhe aksioneve, dhe investimet e tyre në zona me rritje të shpejtë, si teknologjia dhe kujdesi shëndetësor kanë provuar të jenë nxitësit e rinj të pasurisë, tregojnë rezultatet e studimit.

Miliarderët fituan edhe më shumë nga kriza pasi blenë më shumë aksione të kompanive në një kohë kur tregjet nëpër botë po shembeshin.

Dhe numri i miliarderëve ka arritur një maksimum të ri. Sot janë 2189 të tillë, ndërsa në vitin 2017 ishin 2158. Të gjithë kanë një pasuri prej më shumë se një miliard dollarë.

Njeriu më i pasur në botë është ende kreu i kompanisë amerikane Amazon, Jeff Bezos. Pasuria e tij vlerësohet në 189 miliardë dollarë. /Telegrafi/