LAJMI I FUNDIT:

Shtypja e lartë e gjakut dhe kokëdhimbja

Shtypja e lartë e gjakut dhe kokëdhimbja

Dr. Driton Haziri,
Kardiolog
tel. 044 312 189

Shtypja e lartë e gjakut ose hipertensioni arterial (HTA), është një gjendje në të cilën presioni i gjakut kundrejt mureve të arterieve është më i lartë se zakonisht.


Sipas kritereve të OBSH-së, shtypja e lartë e gjakut përcaktohet si një rritje e përhershme e shtypjes sistolike të gjakut mbi 140 mmHg dhe një rritje diastolike më shumë se 90 mmHg, pavarësisht nga situata.

Shtypja e gjakut përcaktohet nga:

▪ Vëllimi i gjakut
▪ Rezistenca e enëve të gjakut
▪ Kontraktiliteti i muskulit te zemrës

Shkaktaret e shtypjes së lartë të gjakut

Shtypja e lartë e gjakut mund të jetë me etiologji primare (me etiologji të panjohur) dhe sekondare.

Shtypja e lartë e gjakut me etiologji te panjohur – haset ne 90-95% të rasteve, kryesisht te personat e rritur në moshë dhe nuk ka një shkaktar të identifikueshëm. Ky lloj i shtypjes së lartë zhvillohet me kalimin e viteve.

Shtypja e lartë e gjakut me etiologji sekondare – shfaqet papritur dhe me shifra më të larta se HTA primar. Patologjitë që shkaktojnë shtypje të lartë të gjakut me etiologji sekondare janë:

• sëmundjet e veshkave
• tumoret e gjëndrave mbiveshkore
• sëmundjet e gjëndrës tiroide
• apnea obstruktive e gjumit.
• sëmundjet kongjenitale të enëve të gjakut, etj.

Faktorët e rrezikut për shtypjen e lartë të gjakut janë:

▪ Konsumimi i duhanit
▪ Trashëgimia
▪ Mbipesha
▪ Jeta sedentare
▪ Stresi
▪ Mosha
▪ Konsumimi i ushqimeve me shumë kripë dhe yndyrë
▪ Përdorimi i medikamenteve si psh., kortikosteroidet, kontraceptivët oral, analgjetiket jo steroid, etj.
▪ Abuzimi me substanca narkotike dhe stimulues të ndryshëm.
▪ Përdorimi kronik i alkoolit, etj.

Epidemiologjia e shtypjes së lartë të gjakut

Prevalenca e gjithmbarshme e shtypjes së lartë të gjakut është diku rreth 30-45% të popullatës së përgjithshme, me ngritje të ndjeshme me moshën.

Në të gjitha vendet afërsisht 50% e popullsisë mbi 60 vjeç vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut.

Deri në moshën 45 vjeçare një përqindje më e lartë e meshkujve në krahasim me femrat kanë shtypje të lartë gjakut, mbi këtë moshë përqindjet janë thuajse të barabarta.

Te femrat, ato që përdorin kontraceptivet orale, femrat obeze kanë 2-3 herë më shumë risk për të pasur shtypje të lartë të gjakut në krahasim me femrat e tjera.

Stadet e hipertensionit arterial

Sistolik (mmHg)                    dhe / ose                                            diastolik (mmHg)

Optimal < 120 < 80
Normal 120-129 80-84
I lartë normal 130-139 85-89
Hipertensioni arterial shkalla 1 140-159 90-99
Hipertensioni arterial shkalla 2 160-179 100-109
Hipertensioni arterial shkalla 3 ≥ 180 ≥ 110
Hipertensioni i izoluar sistolik ≥ 140 < 90

Simptomat e shtypjes së lartë të gjakut janë: dhimbje e kokës, marramendje, ushtimë në vesh, vjellje, mjegullim i të pamurit, dhimbje e gjoksit, frymëzënie, etj.

Dhimbjet e kokës si pasojë e shtypjes së lartë të gjakut

Dhimbja e kokës e lidhur me shtypjen e lartë të gjakut është një shqetësim kryesor në departamentin e urgjencës. Besohet se dhimbja e kokës mund të jetë një simptomë që i atribuohet shtypjes së lartë të gjakut vetëm nëse vlerat e shtypjes së gjakut janë shumë të larta ose rriten shpejt.

Kur shtypja e gjakut është shumë lartë (HTA i shkalles së 3-të) dhimbjet e kokës shoqërohen me një nxehtësi të madhe që përfshin kokën, fytyrën dhe gjithë trupin. Njerëzit që vuajnë nga këto dhimbje thonë se ndihen sikur koka do ju shpërthejë.

Krahas dhimbjes së fortë të kokës, te disa pacient që vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut kanë mjegullim të shikimit si pasojë e shtypjes së lartë që prek retinën. Ënjtja e retinës mund të mjegullojë shikimin dhe ta bëjë syrin më të ndjeshëm ndaj dritës.

Në disa raste, dhimbjet e kokës si pasojë e shtypjes së lartë të gjakut shoqërohen edhe me simptoma si: gjakderdhje të hundëve, skuqje të lëkurës së fytyrës, rrahje të çrregullta të zemrës, marramendje, vjellje, vështirësi në frymëmarrje, plogështi.

Komplikimet e shtypjes së lartë të gjakut

▪ Hemorragjia cerebrale
▪ Infarkti miokardit
▪ Aneurizma e enëve të gjakut
▪ Insuficienca kardiake
▪ Ngushtim i arterieve renale
▪ Retinopatia hipertensive
▪ Sindromi metabolik
▪ Çrregullime të humorit dhe të të kuptuarit, etj.

Diagnostikimi

Diagnostikimi i shtypjes së lartë të gjakut bëhet duke filluar nga: anamneza e sëmundjes, ekzaminimi fizik, analizat laboratorike si dhe nga ekzaminimet diagnostike: Ekg, ekokardiografia, holter i TA 24-48 orë, Rtg i mushkërive dhe zemrës, ultrasonografia e abdomenit, ekzaminimi i fundusit të syrit, CT e abdomenit dhe toraksit, etj.

Mjekimi

Shtypja e gjakut jo shumë e lartë mund të përballohet me sukses duke realizuar disa ndryshime në stilin e jetesës si dhe një dietë me shumë pemë e perime. Në qoftë se ndryshimet në dietë dhe në stilin e jetesës nuk mjaftojnë për të kontrolluar shtypjen e lartë të gjakut, atëherë fillohet terapia medikamentoze me klasa medikamentesh, që përcaktohen në varësi edhe të sëmundjeve shoqëruese të pacientëve.

Rekomandimet për fillimin e mjekimit

Te pacientet mbi 60 vjeç të fillohet trajtimi medikamentoz nëse shtypja sistolike > 150mmHg ose shtypja diastolike >90mmHg.

Te pacientët nën 60 vjeç, në ata mbi 18 vjeç, ata me sëmundje renale kronike, diabet, kufiri për fillimin e trajtimit medikamentoz është 140/90mmHg.

Parandalimi i shtypjes së lartë të gjakut

• Zvogëlimi i peshës trupore (për obezët), për çdo 10 kg të hequra shtypja e gjakut bie për 5 deri 20 mmHg.
• Dieta me shumë pemë dhe perime (pa kolesterol) zbret shtypjen e gjakut për 8-14 mmHg.
• Zvogëlimi i konsumimit të kripës zbret shtypjen e gjakut për 2-8 mmHg.
• Aktiviteti fizikë p.sh shëtitjet e rregullta prej 30 min/në ditë, bën zbritjen e shtypjes së gjakut prej 4-9 mmHg.
• (Për ata që pinë alkool) eliminimi i alkoolit zbret shtypjen e gjakut 2-4 mmHg.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori