LAJMI I FUNDIT:

Shteti më i populluar amerikan thërret seancë të jashtëzakonshme për të “blinduar” ligjet shkaku i Trumpit

Shteti më i populluar amerikan thërret seancë të jashtëzakonshme për të “blinduar” ligjet shkaku i Trumpit

Guvernatori i shtetit më të populluar të SHBA-së thotë se do të thërrasë një seancë të veçantë të legjislaturës për të mbrojtur ligjet e shtetit nga Donald Trump.

Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë, i cili dikur ishte i preferuar për të qenë zëvendës i Kamala Harrisit, tha se fitorja e 78-vjeçarit kërcënon vlerat e këtij shteti me shumicë demokratike.

Ky shtet, ku banojnë 39 milionë njerëz, i ka dhënë Harrisit një epërsi prej 17 pikësh ndaj Trumpit, me 60 për qind të votave të numëruara dhe ka votuar për herë të fundit për një president republikan në vitin 1988.


“Liritë që i çmojmë në Kaliforni janë nën sulm – dhe ne nuk do të rrimë duarkryq”, tha Newsom, raporton skynews.

Guvernatori parashikon që presidenti i zgjedhur do të ndjekë “politika federale antikushtetuese dhe të paligjshme” që do të dëmtojnë kalifornianët ose do të jenë në konflikt me ligjet e shtetit në fusha si shëndeti riprodhues, ndryshimet klimatike dhe imigracioni.

Kur të takohen më 2 dhjetor, politikanët e Kalifornisë duhet të konsiderojnë rritjen e financimit për departamentin e drejtësisë të shtetit në mënyrë që të sfidojnë këto politika në gjykatë, tha ai.

Gjatë mandatit të Trumpit midis viteve 2017 dhe 2021, Kalifornia ngriti më shumë se 120 padi kundër politikave të administratës së tij, tha Newsom.

Zyra e Newsomit i tha Associated Press se guvernatori dhe politikanët janë gati të “blindojnë” ligjet e shtetit të Kalifornisë kundër Trumpit. /Telegrafi/