LAJMI I FUNDIT:

Shteti i vlerave të përbashkëta

Shteti i vlerave të përbashkëta

Kosova e sendërtoi pavarësinë vonë, mirëpo historia dhe kultura e saj është ma të lashtë se vitet e shtetësisë. Nisur nga kjo premisë, ne e kemi detyrim moral t’i lartësojmë ato vlera të përbashkëta që kemi trashëguar dhe kështu të ruajmë kohezionin e krijuar me mund e sakrificë, nga shumë breza. Kjo është rruga për të ndërtuar një të ardhme me përgjegjësi. E që të ndodhë kjo, doemos duhet kultivuar ndjenjat e solidaritetit mes nesh, sepse kështu krijohen ndjenjat e përkatësisë dhe identitetit.

Vlerat e përbashkëta që ndërlidhen me traditën, historinë, gjuhën dhe kulturën, e ruajnë kohezionin e brendshëm të çdo kombi, por edhe të kombit tonë. Këto elemente qenësore po ashtu krijojnë ndjenjat e përkatësisë dhe identitetit. Sikur kombet tjera, as kombi ynë s’mund të mbijetojë pa vlerësimin e këtyre bazave që janë fondamentale.


Historia jonë është e mbarsur me përvoja të ndryshme, mirëpo ato që ndërlidhen me kulturën dhe mbijetesën kulturore, përbëjnë boshtin qendror të identitetit tonë. Kosova, si shtet i krijuar vonë, pas peripecive të shumta, dihet mirëfilli se s’ka ndonjë traditë të shquar të sundimit të ligjit, të qeverisjes konstitucionale dhe as të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Si rezultat i kësaj, nuk kemi pasur as një sistemi të mirë administrativ. E për fat të keq, kemi çaluar edhe në arsim. Gjitha këto, janë plagë dhe diga serioze, që penguan dhe pengojnë ecjen tonë kah progresi.

Që të nxisim një përparim të qëndrueshëm të vendit tonë, detyrë imediate e gjithë njerëzve të impenjuar në çështje politike e shoqërore, është kultivimi i ndjenjave solidare, të identitetit dhe përkatësisë. Sepse vetëm kështu krijohen parakushte, që të formohet një shtet i mirëqenies sociale, që synim parësor ka: të mirën e përbashkët, që është postulat i familjeve të kombeve evropiane, ku aspirojmë nesër të gjendemi. Në këtë mënyrë, krijohet një ambient i qëndrueshëm, për ekonomi tregu të zhvilluar dhe kështu, rikthejmë besimin te vetvetja, tradita dhe kultura jonë e përbashkët.

Jemi në gjysmën e dytë të dekadës së dytë, prej kur jetojmë në paqe dhe demokraci. Koha e kaluar s’ka mjaftuar që t’i shërojmë gjitha plagët e së kaluarës. E po ashtu, në vitet e lirisë e demokracisë, janë hapë edhe plagë të reja, sidomos ndjehet ankthshëm ndjenja e mosbesimit në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar janë bërë përçapje evidente për konsolidimin e shtetit tonë. Ndërsa, tani është radha, të bashkuar e me të vetmin synim, ta bëjmë Evropën atdheun e vlerave tona të përbashkëta, siç do të thoshte ideologu dhe shkrimtari i famshëm çek, Vaclav Havel. Kjo është aspiratë themelore e popullit të Kosovës, e politikës se saj, ashtu sikurse e kombit shqiptar anekënd. Integrimi në familjen e kombeve të përparuara që përbëjnë Unionin Evropian për ne s’është luks, por detyrim moral e kulturor. Ne duam të bëhemi pjesë e qenësishme e kësaj familje dhe të hyjmë në mesin e atyre kombeve të përparuara, me demokraci stabile, mirëqenie të shëndoshë e përparim ekonomik. E, këto përparime mund të marrin një koha ma pozitive dhe të përshpejtohen, atëherë kur të zhvillojmë hovshëm ndjenjat e lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit.

Që Kosova të qartësojë pozicionin e saj, përballë sfidave të viteve të fundit, duhet t’i shmang krizat e sajuara identitare. Pikërisht për këtë, si pjesë të identitetit tonë të përbashkët duhet t’i rikujtojmë në mënyrë konstante vlerat e historisë sonë të përbashkët dhe të lartësojmë përherë periudhën e lavdishme të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pa të cilin historia shqiptare s’mund të kuptohet. Ne gjithashtu duhet të kujtojmë kulturën e shkrimit shqip përgjatë shekujve të robërisë dhe shtypjes barbare, sikundër edhe periudhën e ndritshme e frytdhënëse të Rilindjes Kombëtare, kur energjitë e shumta shqiptare, të shkapërderdhura nëpër botë, u bashkuan për të çliruar kombin shqiptar nga zgjedha e gjatë osmane. Po ashtu, s’mund të mos i bëjmë pjesë e botëkuptimit tonë për shtetin, vlerat humane që përçuan ideologët dhe etërit e pavarësisë së Shqipërisë, pastaj ata kolosët e kulturologët e mëdhenj që luftuan me dashuri e dije, për bërjen e shqiptarëve, pasi që ishte bërë Shqipëria.

Kosova, shteti i dytë shqiptar, gjendet para sfidave dhe detyrave serioze. Vendit i duhet një shtrat i qëndrueshëm, si pikënisje për të rrugëtuar drejt shtigjeve të reja. Prandaj, asaj i duhet, të rikujtojë në mënyrë konstante identitetin e thadruar kombëtar dhe të mbrojë me ligj figurat kombëtare, përballë përbaltësve të shumtë.

Në prizëm të proceseve politike nëpër të cilat po kalojmë, na duhet të zhvillojmë idetë dhe ndjenjat patriotike mbi principe të shëndosha e frytdhënëse. Patriotizëm do të thotë: të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për historinë e vendit tonë dhe kështu ta formësojmë të ardhmen e vendit tonë në mënyrë të përgjegjshme. Ky është detyrim për ne, si dhe pikëmbështetja për të ndërtuar një të ardhme ma të ndritshme dhe ma prosperuese për vendin.

Gjuha jonë e përbashkët, historia, si dhe jeta dhe veprimet tona, në një shtet të bashkuar mbi principe të lirisë, solidaritetit dhe drejtësisë, formojnë bazën e përkatësisë së përbashkët. Ky është identiteti ynë dhe shtegdalja drejt një prosperimi.