LAJMI I FUNDIT:

Shtëpitë më të mira në vitin 2018

Shtëpitë më të mira në vitin 2018
DCIM112GOPRO

Revista e specializuar për arkitekturë ArchDaily çdo vit midis projekteve të shumta të cilat janë realizuar në gjithë botën, në bazë të votave të lexuesve zgjedh projektet më të mira dhe më inspiruese, në kategori të ndryshme.

Po ju paraqesim shtëpitë të cilat kanë hyrë në zgjedhjen më të ngushtë për më të mirën në këtë vit, si edhe fituesin i cili i ka ngazëllyer ithtarët e arkitekturës origjinale nga të gjitha viset e botës, transmeton Telegrafi.


Shtëpia Carrol/LOT-EK, SHBA

Shtëpia e pazakonshme në Bruklin e ndërtuar nga materiali jokonvencional: më shumë se 20 kontejnerë transportues janë vendosur afër njëri-tjetrit, të cilët pastaj janë prerë në mënyrë diagonale dhe janë lidhur në një tërësi banimi.

Hapësira për jetesë prej 465 metrave katrorë shtrihet në disa nivele dhe është dedikuar për një familje. Kuzhina me trapezari, dhoma e ditës dhe kinemaja shtëpiake janë të lidhura dhe përfshijnë katin e parë të shtëpisë, ndërsa në katet e sipërme gjenden dhomat e gjumit dhe dhomat e punës.

Falë prerjeve diagonale, në çdo nivel gjendet hapësira e jashtme shfrytëzuese. Në katin përdhes gjendet hyrja në bodrum dhe garazh. Projektin e nënshkruan kompania arkitektonike LOT-EK.

Shtëpia MeMo/BAM! Arquitectura, Argjentinë

Në veri të Krahinës Buenos-Ajres është ndërtuar shtëpia e pazakonshme për pronarin i cili me zellin më të madh merret me kopshtari. Për ujitje të kulmit të gjelbër përdoret uji i shiut i cili grumbullohet në një rezervuar nëntokësor me kapacitet prej 10.000 litrash.

Efikasiteti energjetik është arritur falë paneleve diellore dhe dritareve DHV të cilat përmirësojnë izolimin termal.

Shtëpia Gumpha/Within N Witout, Indi

Dizajni i pazakonshëm i shtëpisë është inspiruar nga shpellat, andaj është ndërtuar në pjesën më tëmadhe nga gurët dhe duket sikur një sërë odash të lidhura me rrjete tunelesh.

Dritaret e rrumbullakëta të vendosura përgjatë mureve dhe në kulme të shtëpisë i kontribuojnë dukjes jo të zakonshme dhe mbresëlënëse të objektit.

Shtëpia është e pajisur me gjërat më elementare, kështu që jastëkët e shumtë shërbejnë për ulje në vend të karrigeve dhe sofave në çdo hapësirë.

Villa Ypsilon/LASSA Architects, Greqi

E vendosur në trevën nën ullishte në fshatin Finikunda në Peloponezin Jugor, kjo vilë detare posedon kulm interesant të formës karakteristike që të rikujton shkronjën ipsilon.

Kulmi i gjelbër është sipërfaqe e shfrytëzueshme së cilës mund t’i qaset dhe shërben njëherësh si vazhdim i oborrit.

Për shkak të lokacionit të largët në majë të kodrës, buxhetit të kufizuar, si edhe formave jostandarde, ndërtimi i shtëpisë ka kërkuar që mjaft material ndërtimor të jetë i parafabrikuar dhe i montuar në truall, gjë që njëherësh ka mundësuar që shtëpia të përfundohet për vetëm shtatë muaj.

Brendësia e shtëpisë përfshin sipërfaqen prej 150 metrave katrorë dhe është e organizuar në dy zona kryesore. Zona private përmban tri dhoma gjumi dhe dy banja dhe është e orientuar në drejtim të Lindjes, ndërsa zona qendrore në të cilën gjenden dhoma e ditës dhe kuzhina ofron qasje direkte në të gjitha pjesët e oborrit.

Fituesi në kategorinë e shtëpive

Optical Glass House/HiroshiNakamura& NAP, Japoni

E kthyer në drejtim të rrugës qarkulluese në qendër të Hiroshimës, OpticalGlassHouse është dizajnuar në atë mënyrë që t’u ofrojë privatësi dhe qetësi banuesve të saj.Barrierën natyrale midis shtëpisë dhe tollovisë së qytetit e paraqet kopshti që mund të shihet nga të gjitha dhomat, ndërkaq për zvogëlim të zhurmës është vendosur edhe fasada impresive nga qelqi 8,6 x 8,6 metra, e punuar nga 6.000 blloqe dhe e rëndë 13 tonelata.

Drita kalon nëpërmjet qelqit të pastërtisë së lartë dhe krijon efekte të dritës në muret dhe shtigjet e kopshtit. /Telegrafi/