Shtëpia botuese “Dukagjini” hap thirrjen “DUKË TALKS” për nxënës dhe mësimdhënës - çmimi kryesor, udhëtim në Angli

Shtëpia botuese Dukagjini, në bashkëpunim me Pearson, ka hapur thirrjen për aplikim për konkursin “DUKË TALKS - Speak. Record. Inspire”, një iniciativë që synon të nxisë kreativitetin dhe aftësitë komunikuese në gjuhën angleze te nxënësit në gjithë Kosovën.
Ky aktivitet organizohet me rastin e Ditës së Gjuhës Angleze dhe fton nxënësit e klasave 1 deri në 12 të realizojnë një video prezantuese anglisht, duke trajtuar tema të përzgjedhura sipas grupmoshave.
Organizatorët bëjnë të ditur se gara do të mbështetet në përmbajtjen e teksteve shkollore të gjuhës angleze të Pearson-it, të miratuara nga institucionet arsimore në vend, duke e lidhur, kështu, drejtpërdrejt aktivitetin me programin mësimor.
Si të aplikoni?
Nxënësit duhet të:
- Zgjedhin një temë nga kategoria e tyre (klasat 1-5, 6-9, 10-12)
- Të realizojnë një video anglisht (1-5 minuta, në stil të prezantimit individual)
- Të dërgojnë aplikimin përmes linkut: www.filemail.com
Temat janë të ndara sipas kategorive:
Klasat 1-5:
My ideas for a better world
Be a good friend
My family, my support
Klasat 6-9:
How to train your brain?
Protecting and damaging the environment
Traditional food in Kosova
Klasat 10-12:
The smartphone generation
Dealing with exam stress
My dream job
Vlerësimi i aplikimeve do të bazohet në kreativitet, performancë dhe aftësi gjuhësore. Fituesit do të shpallen në tri kategori (klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12), ku për secilën kategori do të ndahen çmime për tre nxënësit më të mirë, si dhe për tre mësimdhënësit më të suksesshëm.
Konkursi ka një sërë shpërblimesh për nxënësit fitues, duke përfshirë bursa njëvjeçare, laptopë, orë inteligjente, biçikleta dhe pajisje të ndryshme teknologjike.
Në këtë konkurs do të shpallen 9 nxënës fitues (nga tre për secilën kategori), si dhe 9 mësimdhënës fitues. Roli i mësimdhënësve konsiderohet kyç në këtë proces, pasi ata do të udhëzojnë dhe do të mbështesin nxënësit gjatë përgatitjes së videove.
Për kontributin e tyre, nëntë mësimdhënësit më të suksesshëm do të shpërblehen me një udhëtim në Angli, përfshirë një program profesional plotësisht të financuar në Konferencën IATEFL 2027 në Mbretërinë e Bashkuar (prill 2027).
Aplikimet duhet të dërgohen deri më 23 prill 2026 në adresën elektronike zyrtare të organizatorëve: info@dukagjinipublishing.com, duke përfshirë të dhënat e nxënësit, të shkollës dhe të mësimdhënësit përkatës, si dhe një numër kontaktues.
Ky aktivitet mbështetet nga Pearson dhe u ofron nxënësve mundësi të mira për përgatitje përmes materialeve edukative që ndihmojnë në zhvillimin e fjalorit dhe të aftësive komunikuese në gjuhën angleze.
Organizatorët inkurajojnë të gjithë nxënësit që të shfrytëzojnë këtë mundësi për ta shprehur kreativitetin dhe për t’i frymëzuar të tjerët.




















































