Një shtatzënë është bërë personi i parë në Britani të Madhe që është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në shpinën e foshnjës, derisa ende qëndronte në barkun e saj.

Bethan Simpson, 26-vjeç nga Essex në Angli, fillimisht ishte këshilluar që t’i jep fund shtatzënisë kur mjekët zbuluan se foshnja në bark kishte një “çrregullim” në boshtin kurrizor, qysh kur ishte në javën e 20-të të shtatzënisë, transmeton Telegrafi.

Por, pas këtij propozimi ajo refuzoi kategorikisht idenë e mjekëve, kështu së bashku me bashkëshortin Kieron, u përcaktuan për ndërhyrje kirurgjikale që do ta shpëtonte foshnjën.

Kjo nënkuptonte që mjekët do ta operojnë foshnjën brenda barkut të ëmës. Për fat të mirë operacioni ka përfunduar me sukses, kurse Simpson pritet që në prill të sjellë në jetë vajzën.

Deri më tani një ndërhyrje e tillë kirurgjike është kryer vetëm në Belgjikë, ku shumë foshnja të Britanisë së Madhe i janë nënshtruar me sukses ndërhyrjeve të tilla dhe sot janë shëndoshë e mirë. /Telegrafi/