Shqiptari në Forbes “30 Under 30”, mes të rinjve më me ndikim në inovacion në Evropë

Shkencëtari dhe sipërmarrësi shqiptar, Merkur Smajlaj, është përfshirë në listën prestigjioze “30 Under 30 Europe 2026” të publikuar nga Forbes, duke u renditur ndër të rinjtë më me ndikim në Evropë në fushën e industrisë dhe inovacionit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përgëzuar Merkur Smajlajn, në përzgjedhjen e tij në listën prestigjioze të Forbes-it “30 under 30”.
Haxhiu përmes një postimi në platformën X ka shkruar: “Urime Merkur Smajlaj për emërimin në listën Forbes 30 Under 30 Europe 2026. Puna e tij në ruajtjen e hidrogjenit dhe inovacionin në energjinë e pastër pasqyron talentin dhe përkushtimin e të rinjve që formësojnë të ardhmen. Kosova është krenare për arritjen e tij”.
Ndryshe, Merkur Smajlaj u bë pjesë e listës së famshme të njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara, para se të mbush 30 vjet.
Forbes-i ka vite që e praktikon këtë seleksionim, duke përzgjedhur njerëz shumë të suksesshëm dhe ekskluzivë.
Merkuri është përgjegjës për kërkim dhe zhvillim në startup-in austriak “HydroSolid”, që përqendrohet në ruajtjen e sigurt të hidrogjenit.
Sistemi i tij përdor materiale të përparuara që thithin hidrogjenin, të cilat e ruajnë hidrogjenin në një presion prej vetëm 30 bar, në vend të presionit të zakonshëm prej 300+ bar, duke ofruar atë që startup-i e quan një zgjidhje shumë më të sigurt, më kompakte dhe me kosto efektive, si dhe një zgjidhje që zvogëlon emetimet e CO2.
Duke udhëhequr zhvillimin kimik dhe shkallëzimin e nanokompozitëve të HydroSolid, Smajlaj ka punuar në projekte të BE-së me kompani, përfshirë Stellantis dhe Boeing.
Kompania ka mbledhur 3.5 milionë dollarë deri më tani. /Telegrafi/
Congratulations to Merkur Smajlaj on being named to Forbes 30 Under 30 Europe 2026. His work in hydrogen storage and clean energy innovation reflects the talent and dedication of young people shaping the future.
Kosova is proud of his achievement. pic.twitter.com/OX2lAOUVhs
— Albulena Haxhiu (@albulenahaxhiu_) April 15, 2026





















































