LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët sot duhet të pavarësohen nga tradhtarët në pushtet

Shqiptarët sot duhet të pavarësohen nga tradhtarët në pushtet
Ilustrim

Historia jonë është e mbushur sa me atdhetarë e patriotë, aq me maskarenj e tradhtare, që për hir të pushtetit të tyre i kanë vënë shkelmin Shqipërisë. Por, ne pa e ditur, e përsërisim historinë. Sepse, për fat të keq, historia nuk mësohet në kohën kur ndodh, por në kohën kur shkruhet.

Nga komunizmi, kur atdhedashuria ishte detyrë shtetërore ndërsa opozitarizmi politik barazohej me tradhtinë kombëtare, ne u futëm në postkomunizmin çerekshekullor që shkatërroi nocionin e atdhedashurisë. Pamundësinë për të jetuar në vendin e tyre, shqiptarët e shndërruan në urrejtje ndaj Shqipërisë dhe jo ndaj klasës politike përgjegjëse. Shqiptarët u ndjenë të turpëruar e të përbuzur. Sepse, gjatë kësaj kohe u instalua pushteti i zhvatjes, i korrupsionit dhe krimit.


Në politikë u vendos standardi i bastardëve. Shqipëria u pa si ajo kafsha e ngordhur mbi të cilën sulen korbat të shqyejnë çfarë të mundin nga trupi i saj. Këtë metaforë ishim mësuar ta lexonin në librat e historisë që tregonin sesi fqinjët tanë kishin zhvatur territore prej trupit të Shqipërisë. Por, tashmë këta zhvatës nuk janë tjetër veçse shqiptarë. Dhe nuk po zhvasin copa territoresh, por tërë Shqipërinë. Po i zhvasin pasuritë nëntokësore, pyjet, i shkatërruan bregdetin, lumenjtë, i zhvatën perspektivën e zhvillimit, i zhvatën shpresën për të ardhmen, madje i zhvatën edhe njerëzit. Ia zhvatën e po ia zhvasin duke i detyruar të ikin.

Tradhtarët nuk kanë ndonjë damkë në ballë që t’i dallojmë. Ata janë kryeministra, presidentë, ministra, sipërmarrës të mëdhenj. Dhe tradhtinë nuk e bëjnë duke nënshkruar marrëveshje të fshehta me grekët apo serbët për të dhuruar copa territoresh, por me ligje dhe VKM, duke dhuruar pasurinë e Shqipërisë, naftën, kromin, bakrin, pyjet, lumenjtë…. Tradhtinë e bëjnë duke dhuruar shërbimet që paguhen me taksat tona, në duart e koncensionarëve. Tradhtinë e bëjnë duke instaluar korrupsionin dhe krimin si standard shtetëror.

Dhe janë këta që kapardisen podiumeve e paradave, që ecin mbi tapete të kuq. Jam i sigurt se ky soj e do Shqipërinë, por nuk e do si atdhe, e do si një minierë ku nxjerrin pasurinë e tyre. Ata e duan si pronë.

Sot është vërtet dita e pavarësisë së Shqipërisë nga të huajt, por do të duhet të presim të kemi edhe një ditë të pavarësisë nga maskarenjtë e brendshëm.