LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria rizgjidhet në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s

Shqipëria rizgjidhet në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s

Shqipëria u zgjodh këtë të mërkurë për një mandat të dytë në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës, për periudhën 2017-2021.

Duke vijuar si anëtare e këshillit, Shqipëria do të ketë mundësi të vazhdojë të japë kontributin e saj në jetësimin e politikave zhvilluese në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.


Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati theksoi gatishmërinë e vendit për të punuar ngushtë me vendet e tjera për të nxitur paqen dhe zhvillimin përmes kulturës, shkencës dhe komunikimit.

Shqipëria ka tre site të regjistruara si pjesë e trashëgimisë botërore. Vlerat dhe trashëgimia shqiptare janë po ashtu pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, si dhe e Programit të Kujtesës së Botës.

Gjatë katër viteve të ardhshëm Shqipëria do të thellojë bashkëpunimin e ngushtë me organizatën në një sërë fushash dhe do të vijojë të mbështesë dhe nxisë planet dhe projektet e bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit tonë.