LAJMI I FUNDIT:

Shqetësimet e pacientëve për gjendjen në Onkologji, MSH thotë se nuk kanë pranuar ankesa

Shqetësimet e pacientëve për gjendjen në Onkologji, MSH thotë se nuk kanë pranuar ankesa

Pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë në Repartin e Onkologjisë po përballen me vështirësi për shkak siç thonë kushteve të rënda, si rrjedhojë e mungesës së stafit teknik, hapësirës së pamjaftueshme, kushteve higjienike sanitare të vështira gjatë marrjes së terapisë, si dhe mungesën e disa barnave në këtë institucion.

Ata përmes një letre i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë dhe Bordit drejtues të ShSKUK-së që të merren me përmirësimin e këtyre kushteve dhe njëkohësisht i ftojnë që të vizitojnë këtë repart në mënyrë që të binden me kushtet e rënda aty, raporton Telegrafi.


E lidhur me këtë sot kanë reaguar nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët theksojnë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike në asnjë prej departamenteve përgjegjëse, siç pretendohet në lajm.

E në shkrimin që Telegrafi ka bërë bëhet e qartë se pacientë të cilët po trajtohen në këtë klinikë kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe shqetësimin lidhur me gjendjen në këtë institucion shëndetësore dhe letrën do ta procedojnë në Klinikën në të cilën trajtohen, e që personat përgjegjës më pas ta dërgojnë në MSH në pamundësi që letrën ta dërgojnë vet ata.

Kushtet e rënda në Onkologji, pacientët letër MSH-së dhe Bordit: Ndërmerrni masa ose do të mbyllemi në repart deri në plotësimin e kërkesave
Lexo po ashtu Kushtet e rënda në Onkologji, pacientët letër MSH-së dhe Bordit: Ndërmerrni masa ose do të mbyllemi në repart deri në plotësimin e kërkesave

Lidhur me këtë shkrim reagimi ka ardhur sot nga Ministria e Shëndetësisë.

“Njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë në adresën e saj, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike në asnjë prej departamenteve përgjegjëse, siç pretendohet në këtë lajm.

Me këtë rast, ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë në bashkërendim me Bordin dhe menaxhmentin e ShSKUK-së si dhe akterë të tjerë relevant, janë angazhuar në vazhdimësi për të siguruar dhe ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientet në nevojë.

Sa i përket Klinikës së Onkologjisë, ju njoftojmë se projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme veçse është proceduar nga ShSKUK-së së bashku me investimet në aparaturat e avancuara, ndërsa punimet tashmë kanë filluar”, thuhet më tej.

Sipas MSH-së, sipas raportimit nga Bordi i ShSKUK-së, aktualisht furnizimi me barna është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%. Mekanizmat menaxhues të ShKUK-së kanë shtuar angazhimin që edhe kjo përqindje e furnizimit me barna dhe material shpenzues të arrij në plotni kërkesat dhe nevojat e pacientëve tanë.

“Investimet në Kliniken e Onkologjisë duke përfshi infrastrukturën dhe pajisjet, sipas raportit nga Bordi i ShSKUK-së, këtë vit janë në vlerë rreth 2 milionë euro.

Po ashtu, ShSKUK është në fazën përfundimtare të procesit të rekrutimit të rreth 100 infermiereve, të cilët do të sistemohen sipas nevojave në  klinikat e QKUK-së, duke përfshirë edhe Kliniken e Onkologjisë.

Kujdesi ndaj qytetarëve si dhe shërbimet shëndetësore janë gjithmonë prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa mbesim të përkushtuar për të përmirësuar dhe avancuar shërbimet shëndetësore përmes planifikimeve infrastrukturore, si dhe të shtimit të kapaciteteve të stafit profesional shëndetësorë”, thuhet më tej. /Telegrafi/