IKSHPK për rastin "SachPizza": 74 raste të helmimit - shkaku dyshohet të jetë ushqimi i kontaminuar


Pas raportimeve për rastin e helmimit në një nga pikat e “SachPizza” në Prishtinë, për të cilin fillimisht u bë e ditur se dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur rezultatet e hetimeve epidemiologjike deri më 14 korrik 2026.
IKSHPK në një përgjigje për Telegrafin ka theksuar se deri më 14 korrik janë identifikuar 74 raste të helmimit, të lidhura epidemiologjikisht me konsumimin e ushqimit në disa pika të një operatori gastronomik në Prishtinë.
Nga këto raste, 29 pacientë janë hospitalizuar, ndërsa 45 të tjerë janë trajtuar në mënyrë ambulatore.
Pacientët kanë shfaqur simptoma si barkqitje, të vjella, ethe, temperaturë dhe plogështi.
IKSHPK bën të ditur se në mostrat e marra nga pacientët është konfirmuar prania e bakterit Salmonella Enteritidis, ndërsa mostrat e ushqimit dhe strishot e marra nga ambienti kanë rezultuar negative.
Sipas institutit, lakorja epidemiologjike ka treguar një rritje të shpejtë të rasteve me kulm më 10 korrik, e ndjekur nga një rënie e menjëhershme, çka, sipas tyre, përputhet me një shpërthim nga një burim i përbashkët me ekspozim të kufizuar në kohë.
"Mungesa e Salmonellës në mostrat e ushqimit në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator", thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Instituti njofton se së bashku me Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, po vazhdon hetimet në terren, ndërsa përfundimi i rastit do të bazohet në vlerësimin e integruar të të dhënave laboratorike, klinike dhe të gjurmueshmërisë së ushqimit. /Telegrafi/






































