LAJMI I FUNDIT:

Shpresa, thesari më i çmueshëm i njeriut

Shpresa, thesari më i çmueshëm i njeriut
Abdirahim Idrizi

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

“Shpresa është fjala që Zoti ka shkruar në ballin e çdo njeriu”Victor Hugo


Kam shpresë për diçka, rri me shpresë se do të shërohem, jam i gjallë, shpresa zbut hidhërimet tona, e cila i pikturon kënaqësitë e së ardhmes sonë, thuhet se shpresa vdes e fundit.

Njerëzit po të mendonin vetëm me të tanishmen, nuk do të kultivonin, nuk do të mbillnin, nuk do të ndërtonin. Do të na mungonte çdo gjë për të ardhmen e njerëzimit. Natyra ka përcaktuar që çdo njeri të kënaqet me të tanishmen, duke u ushqyer, duke krijuar familje, duke përdorur aftësitë e veta për të ardhmen, për të nesërmen, pa të cilën nuk do të kishte jetë. Por njerëzit kanë një instinkt të fshehur, i cili i urdhëron shqisat tona të kërkojnë argëtim nga jashtë, që në shumicën e rasteve vjen nga hidhërimi, për shkak të mjerimit të tyre të vazhdueshëm. Instinkti është i fshehur, por i domosdoshëm për njerëzimin. Ai është më shumë mjet i lumturisë sonë sesa i hidhërimit për mjerimin tonë.

Kur je vetëm, kur e njeh veten, e ke të qartë çdo gjë, arrin ta shijosh aromën e jetës. Ia lejon vetes të komunikosh me telepati pa asnjë lloj kufiri. Ndjenjat e tua janë gati të depërtojnë atje ku i orienton/drejton.

Të gjithë filozofët, krijuesit kanë kërkuar qetësi, privatësi. Privatësia do të thotë të jesh i qetë, por kjo arrihet vetëm në qetësi të plotë ku ti të jesh vetëm me vetveten. Të jesh vetëm, nuk do të thotë se je i vetmuar. Njoh persona që jetojnë vetëm. Mikja ime e veçantë, M. Galë, që unë e thirri me emrin përkëdhelës Fudullk, pavarësisht se i ka 67 vjet dhe nëna e saj 87 vjeç, ata thonë se nuk ka gjë më të bukur, më paqësore, më të gëzuar se sa të jesh vetëm, sepse kur je vetë ti je i lirë, je me veten tënde. Ti je me Zotin, atëherë edhe Zoti është me ty. Në turmë, bashkësi personi e ka shumë të vështirë të shfaqet, privatësia individuale zhduket. Njeriu lind si anëtar i familjes, bëhet pjesë e shoqërisë, atë e edukojnë si qenie sociale.

Familja, shoqëria bëjnë gjithçka për ju. Ju edukojnë, ju arsimojnë, ju bëjnë të jeni pjesë e shoqërisë. Ata të përgatitin që t’i përshtatesh masës, të tjerëve. Nëse je vetëm, nuk je i përshtatshëm. Në bashkësi nuk ka qetësi, liria jote është e cunguar. Ti luan lojën e shumicës, prandaj kjo jetë është me shumë kufizime. Ne lindim vetëm, jetojmë në bashkësi, por vdesim vetëm. Me privatësinë tënde mund të komunikosh me brendinë tënde, sepse qëllimi është që të jesh sa më afër vetes. Kështu në qetësi mund të zbulosh, krijosh, sepse ti nuk largohesh nga vetja. Atëherë potenciali yt, krijimtaria e krijuesit shpërfaqet.

Vetmia nuk do të thotë që je i vetmuar, nuk është ajo për të cilën duhet të trishtohemi. Vetmia është ajo së cilës duhet t’i gëzohemi, duke qenë vetëm. Njeriu gjen kuptimin e jetës, rëndësinë e jetës, gëzimin e jetës, madhështinë e jetës. Të zbulosh, të njohësh veten është gjëja ma e madhe në jetën e njeriut. Njeriu që rri i vetëm, vetë e ka kërkuar, e ka zgjedhur, atij nuk i mungon asgjë. Ai i mësoi të gjitha ato që duheshin mësuar. Mësimi i tij ka përfunduar. Ai tash është mjeshtër, i kaloi barrierat dhe e zbuloi, njohu veten. Kur zbulon veten, zbulon gjithë universin, sepse qenia jote është gjithë universi.

Në vetminë tënde do të ndeshesh me vetveten dhe për herë të parë do të shohësh, do të zbulosh se cili je. Kjo do të thotë se nuk i frikësohesh vdekjes, je i lirë nga vdekja, i lirë nga vuajtja, i lirë nga shqetësimet, i lirë, i arsyeshëm nga gjithçka. Vetmia duhet të jetë e pastër, që të mos shqetësohesh, përkundrazi. Në ato çaste që vetmia jote ka përfunduar, krijimtaria jote do të jetë përvoja e iluminizmit. Iluminizmi nuk vjen nga jashtë, shpaloset brenda teje. Duke e zbuluar veten, e ke zbuluar Zotin, atëherë Zoti të zgjedh ty.

Natyra e njeriut është sublime. Në saje të pjesës hyjnore (shpirtit, mendjes), që janë dhuratë nga Zoti, kundërthënia në të cilën është njeriu, hyjnorja afron, synon ka idealet. Njeriu shpëtimin mund ta gjejë vetëm duke u tërhequr në vete, duke u larguar nga shoqëria e dyshimtë. Natyra e njeriut është e përbërë nga e keqja dhe e mira, nga kënaqësitë dhe vuajtjet, nga pasionet për të vepruar dhe nga arsyeja që i udhëheq veprimet. Kënaqësitë e jetës janë kënaqësitë e shpirtit dhe të trupit. Nuk janë vetëm zbavitje e kotë, nuk janë ikje nga vetvetja, ngase njeriu realizon vetëm nëpërmjet tyre, ngase dëshirat e begatojnë qenien e njeriut.

Pasuria më e çmuar e njeriut është shpresa, e cila i zbut vuajtjet tona, e cila paraqet kënaqësitë e ardhshme nëpërmjet posedimit të së tashmes. Njeriu jeton në saje të veprimeve tona, lind për veprim që të synojë sa më lart. Të luftojë krahas bindjeve se bota nuk mund të ndryshojë, por ne duhet të përshtatemi. Pikëpamjen mbi njohjen, materien, shpirtin, substancën, natyrën, njeriun, moralin, lirinë dhe vullnetin. Unë jam shumë skeptik ndaj të gjitha sistemeve metafizike, qofshin idealiste apo materialiste, që duam të japim zgjidhje të prerë rreth çështjeve të përmendura. Çdo gjë në këtë botë është krijuar me qëllim të caktuar e në veçanti bota është krijuar për hir të njeriut, që t’u shërbejë nevojave e dëshirave të tij.

Të gjithë popujt e botës, pavarësisht nga dallimet e shumta midis tyre, kanë një nocion bazë të përbashkët mbi të drejtën e të padrejtën, mbi drejtësinë dhe padrejtësinë. Gjithë njerëzit pajtohen se në emër të drejtësisë janë bërë krimet më të mëdha, si dhe padrejtësitë bëhen në emër të drejtësisë. Të gjithë e pranojmë se ka persona me ndikim dhe marrin guximin të krenohen me padrejtësitë. Ata janë të mbrojtur nga ligji dhe feja, aq mirë i maskojnë ato. Ata e bindin masën, se populli dëshiron të jetë i lumtur edhe nëse është i mashtruar, sepse ne jetojmë në gënjeshtra, në mashtrime.

Njeriut në të shumtën e rasteve i mungon arsyeja dhe guximi, sepse më shumë është i udhëhequr nga instinkti sesa nga arsyeja. Në të shumtën e rasteve njerëzit janë viktimë e qeverive dhe e feve. Njeriu është peng i keq qeverive dhe i despotëve të arsimuar. Kështu populli bëhet i dëgjueshëm dhe duhet t’i respektojë ligjet se si duhet të ecë rrugës të jetës, që ia caktojnë udhëheqësit e aftë.

Ti duhet të pranosh, të ballafaqohesh me realitetin tënd, sado i dhimbshëm që të jetë. Duhet t’i largosh të gjitha iluzionet. Sa më parë të jesh gati, të marrësh guximin të pranosh realitetin, problemi, dhimbja, zhduken. Në ato çaste je vetvetja, e di se cili je, je i lirë, nuk merresh me ta. Njeriu i cili e njeh veten, e do veten, e respekton, e do edhe Zotin. Për herë të parë ti i jep jetës sate kuptim, tash je i rëndësishëm. Por besimi dhe dashuria janë formula që jetës sate i japin kuptim, të bëjnë të rëndësishëm, dashuria nuk mund të kufizohet, dashuria nuk mund të konservohet. Dashuria është për të gjithë, ajo është shije, ëmbëlsi, kënaqësi, është aroma e jetës. Në fillim duket e thjeshtë, por kërkon që ti të merresh me veten, me oborrin tënd, me shtëpinë tënde, përpara se të kërkosh të merresh me tërë botën. Nuk është e lehtë, duhet një revolucion i madh në brendinë tënde, individualiteti yt duhet ta gjejë vetveten.

Shkrimet e mia duan që të çlirohesh nga çdo brengë. Edhe ashtu je në këtë botë pa dëshirën tënde. Vetëm ke lindur, vetëm do të shkosh nga kjo botë. Na kanë mësuar se Zotit duhet t’i shërbejmë, ta duam, t’i respektojmë rregullat, t’i frikësohemi Zotit, t’i frikësohemi xhehenemit-ferrit. Është një formulë që predikuesit e praktikojnë që për mendimin tim nuk ia vlen, nuk ka të bëjë me rregullat e Zotit. Zoti neve na ka dhënë liri. Nëse i besojmë Zotit, Ai është frymorja jonë, është zemra jonë, është gjaku ynë. Zoti është gjithçka dhe kudo. Zoti është besimi ynë…

/Telegrafi/