LAJMI I FUNDIT:

Shkencëtarët besojnë se Toka është “jashtë hapësirës së sigurt për njerëzimin”

Shkencëtarët besojnë se Toka është “jashtë hapësirës së sigurt për njerëzimin”

Sistemet e mbështetjes së jetës në Tokë janë të dëmtuara aq shumë, sa që planeti është “jashtë hapësirës së sigurt të funksionimit për njerëzimin”, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

Vlerësimi i tyre tregoi se gjashtë nga nëntë “kufijtë planetarë” janë shkelur për shkak të ndotjes së shkaktuar nga njeriu dhe shkatërrimit të botës natyrore. Kufijtë planetarë janë kufijtë e sistemeve kryesore globale, të tilla si klima, uji dhe diversiteti i kafshëve të egra, përtej të cilave aftësia e tyre për të mbajtur një planet të shëndetshëm është në rrezik të dështimit.


Kufijtë e thyer nënkuptojnë se sistemet janë hedhur larg nga gjendja e sigurt dhe e qëndrueshme që ekzistonte nga fundi i Epokës së fundit të Akullnajave, 10 mijë vjet më parë, deri në fillimin e Revolucionit Industrial. I gjithë qytetërimi modern u krijua në atë periudhë kohore, të quajtur Holocene.

Vlerësimi ishte i pari nga nëntë kufijtë planetarë dhe përfaqësonte “kontrollin e parë shkencor shëndetësor për të gjithë planetin”, thanë studiuesit. Gjashtë kufij janë tejkaluar dhe dy vlerësohet se janë afër thyerjes: ndotja e ajrit dhe acidifikimi i oqeanit. I vetmi kufi që nuk kërcënohet është ozoni atmosferik, pasi largimi gradual i kimikateve shkatërruese në dekadat e fundit ka dërguar në reduktimin e vrimës së ozonit.

Shkencëtarët thanë se gjetja “më shqetësuese” ishte se të katër kufijtë biologjikë, të cilët mbulojnë botën e gjallë, ishin në ose afër nivelit më të lartë të rrezikut. Jeta e gjallë është veçanërisht jetike për Tokën sepse siguron elasticitet duke kompensuar disa ndryshime fizike, për shembull, pemët që thithin ndotjen e dioksidit të karbonit, shkruan TheGuardian.

Kufijtë planetarë nuk janë pika kthese të pakthyeshme përtej të cilave ndodh përkeqësimi i papritur dhe i rëndë, thanë shkencëtarët. Përkundrazi, ato janë pika përtej të cilave rriten ndjeshëm rreziqet e ndryshimeve thelbësore në sistemet fizike, biologjike dhe kimike që mbështesin jetën në Tokë. Kufijtë planetarë u krijuan për herë të parë në vitin 2009 dhe u përditësuan në vitin 2015, kur mund të vlerësoheshin vetëm shtatë.

Profesor Johan Rockstrom, atëherë drejtor i Qendrës së Rezistencës së Stokholmit, i cili udhëhoqi ekipin që zhvilloi kornizën kufitare, tha se “shkenca dhe bota në tërësi janë vërtet të shqetësuara për të gjitha ngjarjet ekstreme klimatike që po prekin shoqëritë në të gjithë planetin. Por, ajo që na shqetëson edhe më shumë janë shenjat gjithnjë e më të shpeshta të elasticitetit në rënie të planetit”.

Rockstrom, i cili tani është drejtor i përbashkët i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik në Gjermani, tha se kjo rezistencë e dobët mund të bëjë të pamundur kufizimin e ngrohjes globale në objektivin e klimës 1.5 gradë Celsius dhe mund ta sjellë botën më pranë pikave reale të kthesës. Shkencëtarët thanë në shtator se bota është në prag të pikave të shumta katastrofike.

Profesoresha Katherine Richardson nga Universiteti i Kopenhagës, e cila udhëhoqi analizën, tha se “ne e dimë me siguri se njerëzimi mund të lulëzojë në kushte që kanë ekzistuar për 10 mijë vjet – ne nuk e dimë se mund të lulëzojmë nën ndryshime të mëdha, dramatike [dhe ] ndikimet njerëzore në sistemin e Tokës si i tërë po rriten ndërsa flasim”.

Ajo tha se Toka duket se është si një pacient me presion shumë të lartë të gjakut. “Nuk tregon një sulm të caktuar në zemër, por rrit shumë rrezikun”, deklaroi ajo.

Vlerësimi, i cili u botua në revistën Science Advances dhe u bazua në 2000 studime, tregoi se disa kufij planetarë janë kapërcyer prej kohësh. Kufiri i integritetit të biosferës, i cili përfshin funksionimin e shëndetshëm të ekosistemeve, u shkel në fund të shekullit të XIX-të, thanë studiuesit, pasi shkatërrimi i botës natyrore shkatërroi jetën e egër. I njëjti shkatërrim, veçanërisht shkatërrimi i pyjeve, do të thotë se kufiri për shfrytëzimin e tokës është thyer në shekullin e kaluar.

Modelet klimatike sugjerojnë se kufiri i sigurt i ndryshimit të klimës u tejkalua në fund të viteve 1980. Për ujin e ëmbël, një matje e re që përfshin ujin në liqene, lumenj dhe në tokë, tregoi se ky kufi u tejkalua në fillim të shekullit të XX-të.

Një kufi tjetër është rrjedha e azotit dhe fosforit në mjedis. Ato janë jetike për jetën, por përdorimi i tepërt i plehrave do të thotë që shumë ujëra janë shumë të ndotura me këto lëndë ushqyese, të cilat mund të dërgojnë në lulëzimin e algave dhe zona të vdekura të oqeanit. Sipas OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, trefishi i sasisë së sigurt të azotit shtohet në fusha çdo vit.

Një studim i vitit 2022 zbuloi se pragu për ndotjen sintetike, si pesticidet, plastika dhe mbetjet bërthamore, ishte tejkaluar. Analiza e udhëhequr nga Richardson vlerësoi për herë të parë ndotjen e ajrit, e cila ndikon në rritjen e bimëve dhe shirat e muson. Ndotja e ajrit është zbuluar se ka kaluar kufirin planetar në disa rajone si Azia Jugore dhe Kina, por jo ende globalisht. Acidifikimi i oqeanit vlerësohet gjithashtu të jetë duke u përkeqësuar dhe afër tejkalimit të kufijve të sigurt.

Shkencëtarët thanë se “ky përditësim zbulon se gjashtë nga nëntë kufijtë janë tejkaluar, duke sugjeruar se Toka tani është shumë jashtë hapësirës së sigurt të funksionimit për njerëzimin”.

“Nëse doni të keni siguri, prosperitet dhe barazi për njerëzimin në Tokë, duhet të ktheheni në një hapësirë të sigurt dhe tani për tani ne nuk po shohim atë lloj përparimi në botë”, tha Rockstorm.

Ndalimi i djegies së lëndëve djegëse fosile dhe përfundimi i bujqësisë shkatërruese janë veprimet kryesore që nevojiten.

Kufijtë planetarë përcaktohen duke përdorur metrika specifike, siç është niveli i CO2 në atmosferë për ndryshimet klimatike. Sistemet e Tokës janë rezistente ndaj disa niveleve të ndryshimit, kështu që shumica e kufijve janë vendosur në një nivel më të lartë se ai që ka ekzistuar gjatë 10 mijë viteve të fundit.

Për shembull, CO2 ishte 280 pjesë për milion deri në revolucionin industrial, por kufiri planetar ishte vendosur në 350 ppm. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Si në filma, policët amerikanë dhe dy persona të armatosur shtien mbi njëri-tjetrin – humbin jetën katër zyrtarë dhe katër tjerë plagosen

Si në filma, policët amerikanë dhe dy persona të armatosur shtien mbi njëri-tjetrin – humbin jetën katër zyrtarë dhe katër tjerë plagosen

Amerika
Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Botë
Një termet me fuqi prej 4.3 magnitudë godet Kroacinë

Një termet me fuqi prej 4.3 magnitudë godet Kroacinë

Kroacia
Dy rezervistë izraelitë të vrarë në qendër të Gazës, u goditën gabimisht nga tanku i IDF-së

Dy rezervistë izraelitë të vrarë në qendër të Gazës, u goditën gabimisht nga tanku i IDF-së

Azia
Kalo në kategori