Policia kombëtare e Spanjës, me mbështetjen e Europolit dhe Drejtorisë së Policisë Kriminale të Serbisë, ka shkatërruar një rrjet kriminal ndërkombëtar që kontrabandonte shtetas kubanezë drejt Spanjës përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Organizata kriminale, e cila drejtohej nga Spanja dhe Serbia, përveç kontrabandimit të njerëzve dyshohet edhe për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.


Hetimet zbuluan se rrjeti kishte shfrytëzuar regjimin pa viza mes Kubës dhe Serbisë, i cili ishte në fuqi deri në prill të vitit 2023.

Migrantëve u ofroheshin “paketa të plota udhëtimi” me çmim prej 3 mijë eurosh. Paketa përfshinte bileta avioni nga Havana në Beograd, kryesisht përmes Frankfurtit, letra të rreme ftese, sigurim shëndetësor dhe rezervime hotelesh për ta paraqitur udhëtimin si turistik dhe të ligjshëm.

Pas arritjes në Beograd, migrantët merreshin nga anëtarët e degës serbe të grupit. Prej aty transportoheshin me rrugë tokësore përmes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me destinacion përfundimtar provincën Malaga në Spanjë.

Për të fshehur gjurmët e lëvizjes, migrantëve u jepej udhëzim që para se të kërkonin azil në Spanjë të deklaronin pasaportat si të humbura. Pas pajisjes me dokumente të reja pa vulat hyrëse të Serbisë, ata pretendonin para autoriteteve spanjolle se sapo kishin mbërritur në Evropë.

Operacioni i përbashkët rezultoi me arrestimin e tetë personave, përfshirë dy drejtuesit kryesorë të grupit kriminal. Gjithashtu u kryen katër kontrolle banesash dhe një kontroll në një objekt hotelierik në Malaga.

Autoritetet konfiskuan dhe ngrinë 28 llogari bankare, si dhe sekuestruan 10 mijë euro para të gatshme, karta bankare, dy kopje armësh zjarri, pajisje elektronike dhe dokumentacion të gjerë.

Hetimet zbuluan edhe metodat brutale të rrjetit kriminal. Migrantët shpesh liheshin të braktisur në Maqedoninë e Veriut pa ushqim, para dhe mjete komunikimi. Mes tyre kishte edhe të mitur që liheshin në kujdesin e migrantëve të tjerë.

Në Serbi, anëtarët e grupit menaxhonin objekte të mbipopulluara dhe në kushte të këqija, ndërsa migrantët kërcënoheshin vazhdimisht për të siguruar bindjen e tyre.

Policia e lidhi grupin me të paktën 30 operacione të suksesshme kontrabandimi që nga viti 2021, gjatë të cilave në Spanjë janë dërguar të paktën 40 shtetas kubanezë.

Për të fshehur rrjedhat milionëshe të parave, rrjeti përdorte llogari bankare spanjolle dhe të huaja, shërbime ndërkombëtare transferimi parash, aplikacione mobile dhe kriptovaluta. Hetimet financiare identifikuan më shumë se 2200 transferta të dyshimta të lidhura me të dyshuarit në Spanjë. /Telegrafi/