LAJMI I FUNDIT:

Shiste marihuanë në Ferizaj, një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë

Shiste marihuanë në Ferizaj, një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.I.. shtetas i Maqedonisë së Veriut për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas njoftimit të gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda-Mustaf Tahiri, ka vlerësuar se i pandehuri dyshohet se më 10 shtator 2021 në Ferizaj, pa autorizim ka shpërndarë dhe shitë substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që ditën kritike pas marrëveshjes paraprake, përmes telefonit i shet të pandehurit N.S. substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 9.67 gram, për çmimin prej 40 euro, me ç’rast menjëherë pas kësaj shit-blerje, me t’i vërejtur zyrtarët policor, ikë nga vendi i ngjarjes dhe në ikje e sipër hedh në një kosh të plehrave njëmbëdhjetë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 8.2 gram, të përgatitura për shitje.


“Me rastin e arrestimit, tek i njëjti zyrtarët policor gjejnë dhe sekuestrojnë përveç substancës së dyshuar narkotike të lartcekur, edhe një thikë të vogël bardhë e zi si dhe të hollat në shumë prej 40 euro. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Gjykata shqyrtoi kundërshtimin e mbrojtësit të të pandehurit për caktimin e masës së paraburgimit duke i propozuar gjykatës që të pandehurin ta lirojë për t’u mbrojtur në liri, por të njëjtat propozime gjyqtari i procedurës paraprake i ka vlerësuar si të pabazuara në këtë fazë të procedurë penale, pasi në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore nga KPPRK, dhe se masat e tjera alternative janë të pamjaftueshme për pengimin e rrjedhës së procedurës penale, parandalimin e përsëritjes së veprës penale dhe zbatimin e suksesshëm te procedurës penale, duke marrë parasysh edhe faktin se i pandehuri dyshohet për disa vepra penale të natyrës së njëjtë, e në veçanti faktin se i njëjti po nga kjo gjykatë me aktgjykim është shpallur fajtorë dhe është gjykuar për vepër të njëjtë penale”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.