SHGM: Pa financim stabil nuk ka reforma thelbësore në RTM

Në seancën e hapur të Këshillit Programor të RTM, ku përfaqësues të komunitetit mediatik dhe institucioneve diskutuan për të ardhmen e servisit publik, prioritetet e tij zhvillimore dhe nevojën për reforma thelbësore, u hap edhe çështja që lidhet me financimin e RTM-së, Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe ASHMAAV.
Nga ana e një përfaqësuesi të rregullatorit mediatik u theksua se Qeveria, në një seancë, ka miratuar konkluzë për ndryshime të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (neni 105, paragrafi 1), me të cilat si bazë për llogaritjen e mjeteve do të merret viti 2023, e jo viti paraprak siç është paraparë në zgjidhjen aktuale ligjore.
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, thonë se kjo qasje mund të ketë efekt negativ mbi financimin e RTM-së, Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe ASHMAAV-it dhe drejtpërdrejt ta kufizojë mundësinë për zbatimin e reformave të paralajmëruara.
"Çdo ndryshim i kornizës ligjore që ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi financimin e servisit publik, infrastrukturës radiodifuzive dhe rregullatorit mediatik duhet të jetë transparent, i arsyetuar dhe i përgatitur me përfshirjen e të gjithë akterëve relevantë. Zvogëlimi i bazës buxhetore, pa debat publik dhe pa konsultime paraprake me Këshillin Programor të RTM-së, ASHMAAV-in, Radiodifuzionin e Maqedonisë, organizatat e gazetarëve dhe komunitetin mediatik, krijon rrezik që reformat të mbeten vetëm zotim deklarativ".
"Financimi stabil dhe i parashikueshëm është parakusht për një servis publik të pavarur, profesional dhe modern. Pa mjete adekuate nuk mund të priten realisht punësime të reja, rifreskim kadrovik, digjitalizim i arkivit, modernizim teknologjik, zhvillim i platformave të reja, përmirësim i kushteve të punës dhe forcim i rrjetit të korrespondentëve. Kryetari i Këshillit Programor të RTM-së, Davor Pashoski, në këtë seancë theksoi nevojën për miratimin e një ligji të ri për RTM-në, rishikimin e Kodit Etik, forcimin e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave të dukshme për avancimin e punës së servisit publik. Ai nënvizoi se Këshilli Programor mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë, ndërsa vetë mbajtja e kësaj seance të hapur është konfirmim i një qasjeje të tillë dhe i përkushtimit për dialog më të gjerë profesional rreth të ardhmes së RTM-së", thonë nga SHGM.
Më tej shtojnë se drejtori i ri i RTM-së, Zoran Ristoski, para të pranishmëve prezantoi drejtimet kryesore të programit të tij. Ai theksoi se synimi është rikthimi i nivelit të servisit publik, duke potencuar se pa servis publik të fortë nuk ka media të forta në shtet. Ristoski vuri në dukje se hapësira mediatike në Maqedoni në dy dekadat e fundit ka qenë në nivel të ulët dhe se nevojiten hapa seriozë për përmirësimin e saj.
Ai foli edhe për sfidat me të cilat përballet RTM-ja, mes të cilave numri i zvogëluar i të punësuarve – nga rreth 2.000 në rreth 600, struktura e moshës së kuadrit, si dhe kushtet e punës. U theksua se është duke u zhvilluar analizë financiare, ndërsa janë paralajmëruar masa për rritjen e numrit të gazetarëve, digjitalizimin e arkivit të RTM-së, zhvillimin e një platforme të re digjitale, punësimin e kuadrove të rinj dhe organizimin e trajnimeve për gazetarët dhe të punësuarit e tjerë.
"Në seancën publike u drejtua edhe kryetari i SHGM-së, Mladen Çadikovski, i cili theksoi se RTM-ja duhet të jetë lider, shembull dhe partner në reformat e sektorit mediatik. Ai potencoi se servisi publik duhet të vendosë standarde për profesionalizëm, zhvillim teknologjik, inovacione kadrovike dhe mbrojtje të interesit publik, ndërsa reformat duhet ta ruajnë dhe zhvillojnë më tej pluralizmin e përmbajtjeve që RTM-ja e ka ndërtuar ndër vite".
"Çadikovski theksoi se SHGM vazhdimisht angazhohet për kornizë më të mirë ligjore për funksionimin e servisit publik, përfshirë edhe hapjen e debatit për një ligj të veçantë për RTM-në. Sipas tij, në zgjidhjet e ardhshme ligjore duhet të definohet qartë statusi i gazetarëve dhe kuadrit kreativ, të cilët nuk duhet të trajtohen si administratë publike, pasi kjo e ndërlikon procesin e punësimit dhe zhvillimit profesional".
"Ai nënvizoi edhe rëndësinë e zhvillimit të një rrjeti të korrespondentëve lokalë me kontrata të rregullta pune dhe infrastrukturë adekuate, si dhe nevojën që servisi publik të mendojë edhe për korrespondentë nga jashtë vendit, duke pasur parasysh se kjo është nevojë reale që mediat komerciale vështirë mund ta mbulojnë vetë".
"Drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekulovski, propozoi forma konkrete bashkëpunimi mes SHGM-së dhe RTM-së. Ai theksoi se SHGM-ja, në bashkëpunim me Institutin Maqedonas për Media, mund të ofrojë mbështetje në vlerësimin dhe avancimin e Kodit aktual Etik të RTM-së, si dhe të ndihmojë në procesin e përgatitjes së planit të ri strategjik pesëvjeçar për punën e servisit publik", thonë nga SHGM.











































