LAJMI I FUNDIT:

“Shëndeti i popullit mbi të gjitha” – artistët shqiptarë flasin pas ndalimit të dasmave

“Shëndeti i popullit mbi të gjitha” – artistët shqiptarë flasin pas ndalimit të dasmave

Të enjten (30 prill), Ministria e Shëndetësisë prezantoi një plan tri fazësh të hapjes së ekonomisë nga data 1 maj. Në bazë të planit të prezantuar, në fazën e tretë, e cila fillon më 1 qershor do të bëhet rishikimi i hapjes së disa sektoreve të ekonomisë varësisht prej situatës epidemiologjike, ku bëjnë pjesë edhe ahengjet.

Sipas kësaj, grumbullimet familjare dhe ahengjet e ndryshme për këtë vit janë ende në pikëpyetje.

Kjo ka bërë që të ketë reagime të shumta nga ata që fitojnë prej këtyre aktiviteteve, e po ashtu edhe ndikimin e madh që kanë, përkundër organizimeve që janë bërë me vite të tëra.

Artistët, të cilët janë shumë të angazhuar në sezonin e verës, kanë pritur me shqetësim deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me masat e reja kundër përhapjes së COVID-19 – megjithëse kanë theksuar se shëndeti i popullit është mbi të gjitha.

Edona Llalloshi, Lori, Buraku nga Grupi Fama, Alban Mehmeti, Meda dhe Shkëlzen Jetishi-Xeni janë disa nga këngëtarët që kanë ndarë me Telegrafin shqetësimet dhe vlerësimin e tyre rreth vendimit, ani pse një gjë e tillë nuk është e sigurt akoma.

Rrahman Llalloshi – Drejtori i “EMFcreative”

Drejtori i “EMFcreative” njëherësh babai i këngëtares Edona Llalloshi, Rrahman Llalloshi, në një prononcim për Telegrafin shprehet i shqetësuar për këtë vendim të Ministrisë, por ka thënë se këtu nuk përfshihen vetëm këngëtarët dhe nëse dëshirojmë të realizohet një protestë estrada duhet të jetë më e organizuar.

“Prej stafit tonë kryesisht nuk është pritur mirë, kjo industri do të pësojë shumë, nuk është puna vetëm te këngëtarët por është një rrjet më i gjerë, duke filluar nga sallat e dasmave, kamermanët e normalisht se këtu preken edhe këngëtarët. Megjithatë, problem nuk është vetëm te këngëtarët, në përgjithësi ne nuk kemi estradë, estrada nuk ekziston, nuk është e organizuar. Që 13 vite jemi kyçur dhe kemi lobuar për një shoqatë por deri më tani nuk është realizuar. Që të realizohet një protestë, në të mirën e të gjithëve duhet të jemi të bashkuar, të koordinuar për të bërë një zgjidhje”.

Lori

Lori po ashtu është njëra nga artistet e cila ka dhënë mendimin e saj lidhur me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, marrë parasysh që ajo është shumë aktive në dasma e ahengje të ndryshme. Megjithatë, artistja shqiptare deklaron për Telegrafin se shëndeti i popullit është më i rëndësishëm.

“Për momentin për mua është shumë e rëndësishme shëndeti dhe jeta e njerëzve. Normal që çdo njeri i lutet t’i kthehet normalitetit dhe punës ku e ka lënë në gjysmë. Edhe ne e kemi punë dhe jetojmë nga ky profesion nga dasmat, koncertet, mbajmë familjen, veten dhe njerëzit që kanë nevojë. Dhe patjetër që do kishim shumë dëshirë të fillonim me punë. Ashtu si shumë artistë edhe unë e kam të ngjeshur sezonin e verës. Deri tani nuk më është anuluar asnjë datë”.

Burak Vehapi & Grupi FAMA

Një tjetër këngëtar që është mjaft prezent në ahengje të ndryshme muzikore është edhe Burak Vehapi së bashku me grupin e tij, FAMA. I njëjti në një prononcim të dhënë për Telegrafin tregon se është i brengosur pasi ka një përgjegjësi të madhe ndaj dasmorëve, por thekson se duhet rishikuar edhe një herë vendimi i Ministrisë – e mbi të gjitha të mendojmë për secilin prej nesh.

“Situata e pandemisë na ka gjetur edhe neve si shumë njerëz të tjerë në mbarë botën, kjo situatë sigurisht që ka ndikuar në aspektin psikologjik por meqenëse deri tash të gjithë jemi shëndoshë e mirë, tani po brengosemi edhe për punë e për aspektin ekonomik.
Ne kemi kontraktuar mjaft dasma, e deri tani nuk ka pasur anulime direkte nga ana e familjarëve, në përjashtim të disave që vijnë nga disa shtete që nuk do të kenë pushim gjatë verës sepse ua kanë llogaritur kohën sa nuk kanë punuar gjatë pandemisë.

Sigurisht që gjatë gjithë kohës po interesohemi se çka do të ndodhë tutje, për shkak se kemi përgjegjësi karshi dasmorëve, për t’i informuar saktë se çka mund të bëjmë. Mua personalisht po më brengos fakti i vendimit të MSH, i cili për mua është pak i shpejt dhe pak i mbështetur mbi një analizë më të shëndoshë, sepse kjo do të kishte kuptim vetëm nëse e kishim edhe një informacion të sigurtë për jetëgjatësinë e virusit, por jo në këto rrethana kur çdo ditë shohim së numri është duke rënë dhe virusi po shkon kah fundi. Jemi në një situatë shumë të vështirë se zakonisht ne këngëtarët jemi cak i sulmeve kinse për përfitime, por po ashtu ne jemi edhe tatimpagues të rregullt, edhe ne jemi të barabartë me secilin që ka të drejtë të brengoset për punën e tyre, sepse në fund të fundit kjo është puna jonë, ky është profesioni ynë, dhe sigurisht që jemi të brengosur e sidomos më shumë për faktin se kemi përgjegjësi ndaj atyre qe kemi kontraktu dasma!

Mendoj që duhet gjetur mundësia e rishikimit të vendimit, sepse tani jemi në muajin maj dhe për të arritur deri tek sezona që llogaritet koha kur ka më shumë fluks të dasmave, bëhet fjalë edhe për dy muaj, në këtë mënyrë mendoj që duhet të shohim mirë dhe ngadalë se deri atëherë ndoshta kalojnë në faza të tjera. E rëndësishme është të mendohet për secilin që dikund ka pas burim të të ardhurave, dhe sigurisht që kur individi preket tek të ardhurat ka edhe shqetësime, edhe reagime e që duhet të konsiderohen normal, pavarësisht nga kush vijnë! Kështu që, unë mbes me shpresën që vendimi do të rishikohet, virusi do fillojë të zbehet dhe çka është më e rëndësishmja frika dhe paniku të zhduken”.

Alban Mehmeti

Alban Mehmeti gjithashtu është në mesin e këngëtarëve, i cili kërkohet mjaft shumë në dasma e ahengje. Ai ka thënë për Telegrafin se konsideron që shëndeti i popullit është mbi të gjitha, pavarësisht se është optimist në mbajtjen e dasmave.

“Duke pasur parasysh që gjendja e pandemisë po ndryshon nga java në javë dhe kjo fatmirësisht po shkon duke u përmirësuar, mendoj që është e ngutshme të flasim për diçka që ka kohë edhe dy muaj të ndodhë. Mos të keqkuptohem, shëndeti i popullit mbi të gjitha, megjithatë nuk guxojmë të ngutemi dhe ta rrezikojmë edhe ekonominë e Kosovës, e cila veç e dimë që është në gjendje jo të mirë. Unë mendoj që fillimisht duhet të presim të paktën deri në muajin qershor, pastaj në bazë të gjendjes aktuale të vendosim më tutje.

Kjo deklaratë mendoj që ka shkaktuar edhe panik të madhe në popull sidomos në diasporën shqiptare, e cila e dimë se me padurim presin të jenë në vendlindjen e tyre për pushime apo edhe për organizmin e dasmave të tyre. Ende nuk më është anuluar asnjë dasmë, mirëpo më kanë kontaktuar dasmorët, natyrisht të shqetësuar dhe jemi dakorduar që të presim deri në muajin qershor dhe pastaj të shohim tutje.
Më duhet të shtoj që mosmbajta e dasmave nuk i dëmton vetëm këngëtarë siç po akuzohemi ne, por dëmton një zingjir të tërë biznesesh që lidhen direkt apo indirekt me dasmat, e ku supozohet që do të mbesin pa punë mijëra punëtorë dhe atë jo vetëm për një muaj apo dy, por për një vit të tërë deri në sezonin e ardhshëm. Por, më duhet te them se jam optimist për mbajtjen e dasmave dhe se do të mbahet sezona, por normalisht me disa kufizime”.

Meda

View this post on Instagram

@vjollcahaxhiuu # @lenjaniermir

A post shared by Meda (@mehdin_pergjecaj) on Jul 15, 2019 at 8:50am PDT

Meda vazhdon të mbetet një prej këngëtarëve më të kërkuar në mbrëmje e ahengje muzikore, ndërsa për Telegrafin ka theksuar se do respektojë rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Unë tani vonë e kam kuptuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë rreth dasmave. Por, megjithatë unë jam i pajtimit në atë se çfarë të vendos Ministria, iu përmbahem rregullave të tyre, duke qenë se shëndeti është më i rëndësishëm. Të shohim në vazhdim. Deri më tani nuk kam pasur ndonjë anulim të ndonjë dasme, por megjithatë të shikojmë deri verës”.

Shkëlzen Jetishi – Xeni

Shkëlzen Jetishi-Xeni

Këngëtari nga Gjakova, Shkëlzen Jetishi – Xeni po ashtu është shumë aktiv me dasma gjatë verës dhe në një prononcim për Telegrafin ka thënë se duhet rishqyrtuar edhe një herë ky vendim i Ministrisë, pasi nuk përfshin vetëm këngëtarët por është një dëm shumë i madh edhe për ekonominë e Kosovës.

“E dëgjova urdhëresën e Ministrit të Shëndetësisë unë jam për mbrojtjen e jetës së njerëzve do të thotë që t’iu përmbahemi rregullave dhe kushteve që i vënë njerëzit profesionalë, mjekët, infektologët ata që i përkasin asaj pune. Kur vjen puna të turizmit në përgjithësi, unë personalisht mund të them se më prek në të dy anët, si Xen si këngëtar dhe si biznes familjar. Janë të punësuar standard 15 punëtorë në sezon mund të bëhen deri në 60. Unë mendoj që në bazë të lakores se si do të shkojë kjo lakorja e pandemisë, mendoj se do duhet të rishqyrtohet sepse dasmat dhe ahengjet janë një traditë në Kosovë dhe janë pjesë e rëndësishme e ekonomisë.

Me dasma nuk preket vetëm restoranti, por preket një pjesë e madhe e ekonomisë së Kosovës përfshirë edhe gjërat e tjera, veshjet ekskluzive. Mos ta harrojmë se një pjesë e madhe e bashkëatdhetarëve tonë vijnë në Kosovë vetëm për dasma dhe ta kemi parasysh sepse thuja një buxhet sa e ka e gjithë Kosova vjen nga diaspora për atë nuk duhet të harrojmë askush. Në koordinim me njerëzit përgjegjës për pandeminë mendoj se duhet rishqyrtuar edhe një herë pasi do të jetë një dëm shumë i madh për ekonominë e Kosovës, jo vetëm për dasmat ahengjet, do ta ndjenin të gjitha lëmitë e ekonomisë, tregtisë së Kosovës, kaq mund të them. Shpresoj në një mirëkuptim të njerëzve të cilët janë të thirrur që i sjellin këto rregulla”.

Përveç këtyre artistëve të lartpërmendur, ditën e djeshme këngëtari Labinot Tahiri bëri një reagim kundrejt këtij vendimi duke thënë se ai dhe shumë kolegë të tij kanë marrë parapagesë për dasmat në të cilat do të këndonin dhe nuk mund t’i kthejnë ato para ngase i kanë harxhuar.

Ai madje në mesin e shumë gjërave paralajmëroi edhe protestë nëse anulohen dasmat për këtë verë.

Ky është postimi i tij i plotë 

“Përshëndetje,

Reagim për këto veprime të ulta! Më vjen keq tej mase ku kështu klasifikohen bizneset të cilat duhet bllokohen kinse për rastin e pandemisë.

1. Ne si këngëtarë kemi marrur kopare, dhe ato nuk mund te kthehEn për arsye se i kemi harxhuar dhe tani si do të shtyhet dasma e njeriut qe pret ta bëjë dasmën.

2. a më paguan kredinë personalisht mua shteti tani që raten e kam çdo muaj 2100 €

3. si të ja bëjmë me bankat, ku ato nuk pyesin?

4. si kërkoni tatim me ju pagu edhe pse jam zero zero me pagesa kur nuk punojme pra në këtë sezonë!

Ta merrni seriozisht këtë çështje se do të thërras protesta dhe jo hajgare protesta sepse unë nuk vrapoj per protesta të partive por per jeten e qytetarëve. A e dini se afro 30.000 puntor staf mbesin pa punë sa i perket restoraneve kush ju jep para per muajt qe i humbin?
Uroj që Estrada është e gatshme të reagoj dhe pronarët e restoraneve dhe të diskotekave!

Fundja, unë fitoj nga ky profesion dhe ndaj paratë e mia me skamnoret tash e 15 vite , nesër me dhimet qytetari nëse nuk kam me i dhuru diqka. Kurrfarë pandemie nuk ka as kurrfarë virusi, kjo është shpërlarje e trurit të popujve se që një muaj e gjysëm jam me njerëz por hala s’më vdiq kush as në shtëpi dhe as unë edhe pse maska e dorëza para qytetarëve.
Nëse nuk dilni protesta unë nuk organizoj. Labinot Tahiri Ferizaj Kosovë e Shqipërisë”.

Labinot Tahiri (Foto: Facebook)

/Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Magazina
Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Magazina
Dani Alves me festë

Dani Alves me festë "të çmendur" në vilën e tij milionëshe në Barcelonë pasi u lirua nga burgu

Magazina
Artisti Ledri Vula merr dhuratë nga KFOR-i

Artisti Ledri Vula merr dhuratë nga KFOR-i

Magazina
Pas përplasjes së ashpër me Ilnisa Agollin, Françeska mblodhi valixhet dhe duke qarë kërkoi të dilte nga Big Brother

Pas përplasjes së ashpër me Ilnisa Agollin, Françeska mblodhi valixhet dhe duke qarë kërkoi të dilte nga Big Brother

Magazina
Kalo në kategori