Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të parë të raketës së tyre hipersonike “Dark Eagle” në një konflikt të mundshëm me Iranin.

Sipas raportimeve të bloomberg, kjo armë mund të vendoset në Lindjen e Mesme për të goditur objektiva të mundshëm iranianë, veçanërisht lëshues raketash balistike që janë zhvendosur përtej rrezes së armëve ekzistuese amerikane.


“Dark Eagle”, i njohur edhe si “Long-Range Hypersonic Weapon” (LRHW), është një nga sistemet më të avancuara amerikane të gjeneratës së re, i projektuar për sulme precize në distanca të mëdha.

Bëhet fjalë për një sistem raketor tokësor që përdor një kokë hipersonike rrëshqitëse, e cila mund të lëvizë me shpejtësi mbi 5 Mach (më shumë se pesë herë shpejtësia e zërit) dhe ka një rreze veprimi rreth 2700–3500 kilometra.

Ky sistem është projektuar për goditje të shpejta dhe precize ndaj objektivave të rëndësishëm dhe të mbrojtur mirë, si qendrat komanduese, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe objektivat strategjikë të armikut.

Nëse vendoset në përdorim operacional në Lindjen e Mesme, do të ishte hera e parë që SHBA e përdor këtë lloj arme në terren real. /Telegrafi/