Humbje e madhe për Trumpin - gjykata doli në anën e emigrantëve

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara i ka dhënë një goditje të rëndë administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, duke vendosur në favor të mijëra emigrantëve të cilëve u ishin bllokuar procedurat dhe përfitimet ligjore vetëm për shkak të vendit nga vinin.
Gjykatësi federal deklaroi se emigrantët kishin respektuar të gjitha procedurat ligjore të miratuara nga Kongresi dhe të rregulluara nga Shërbimi Amerikan për Shtetësi dhe Emigracion (USCIS), por megjithatë kishin pritur me muaj të tërë që kërkesat e tyre të shqyrtoheshin, ndërsa agjencia refuzonte t’i përpunonte ato.
Sipas vendimit, politikat e zbatuara nga USCIS nuk kishin bazë ligjore apo rregullatore dhe ishin të ndikuara nga qëndrime kundër emigracionit, të cilat nuk mund të përdoren në procesin e vendimmarrjes, shkruan theguardian.
“Vonesat në procedurat e USCIS-it nuk janë rezultat i ndonjë gabimi të këtyre individëve; ato burojnë vetëm nga rastësia e vendit të tyre të lindjes”, shkroi gjykatësi në arsyetimin e vendimit.
Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për një koalicion organizatash që mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe sindikatave, të cilat në mars ngritën padi kundër politikave të USCIS-it, agjenci që vepron në kuadër të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS).
Presidentja e organizatës ligjore “Democracy Forward”, Skye Perryman, tha se vendimi riafirmon parimin bazë se qeveria federale nuk mund të mbyllë rrugët ligjore të emigracionit dhe as të diskriminojë njerëzit për shkak të origjinës së tyre.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment lidhur me vendimin.
Politikat e kontestuara ishin miratuar si pjesë e masave të ashpra kundër emigracionit të administratës Trump, pas një incidenti të armatosur në muajin nëntor, për të cilin paditësit thonë se u përdor si justifikim për kufizime më të gjera ndaj emigrantëve. /Telegrafi/


































